Hulumtime

Skandaloze/Hidrocentrali “Brezovica” operon pa leje mjedisore (Dokument)

Skandaloze/Hidrocentrali “Brezovica” operon pa leje mjedisore (Dokument)
10:59 | 21 Korrik 2021

Një mori shkeljesh ka evidentuar Grupi Punues i emëruar nga Ministria e Mjedisit në raportin për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentralet dhe ndikimet e tyre në ujërat dhe mjedisin, raporton Front Online.

Në këtë raport potencohet se Hidrocentralit “Brezovica”, i operatorit “Matkos Group”, i është lëshuar pëlqimi ujore pa i përmbushur kushtet ujore.

“Ky pëlqim ujor është lëshuar pa i përmbushur asnjë prej kushteve ujore të përcaktuara me aktvendimin e datës 15/06/2015, kushte këto të përsëritura me aktvendimin (konkluzionin) e datës 3/07/2015. Mospërputhja e kërkesave të përcaktuara me kushte ujore dhe me konkluzione është evidente nga arsyetimi i aktvendimit, ku nuk është përfshirë asnjë prej dokumenteve të kërkuara me Kushtet Ujore dhe Konkluzionin si bazë për lëshimin e Pëlqimit Ujor (as studimi hidrologjik as studimi për prurjen e pranueshme ekologjike e as përcaktimi I regjimit koncesional. As asaniula e kosto- benefiteve)”, thuhet në raportin e grupit punues të cilin e posedon “Front Online”.

Sipas raportit të grupit punues, pëlqimi ujorë është lëshuar pas më shumë se 4 muajsh prej lëshimit të kushteve ujore, pra pasi ka tejkaluar afatin prej 90 ditësh, i përcaktuar për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar me kushte ujore.

Përveç këtyre shkeljeve ,  grupi punues ka konstatuar se dhënia në shfrytëzim e pronës ujore nga Komuna e Shtërpcës për “Matkos “ është në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës (neni 109, paragrafi 3).

“Pëlqimi mjedisor është lëshuar për ndërtimin e HC-ve gjeneruese përgjatë lumit Lepenc, Komuna e Shtërpcës nuk i ka specifikuar ngastrat kadastrale. Edhe pse leja mjedisore nuk është lëshuar, hidrocentrali është duke operuar”, potencohet mes tjerash në raport.

Hidrocentralet në Kosovë, për të operuar duhet që të pajisen me leje mjedisore, por  HC “Brezovica”, sipas grupit punues është duke punuar pa këtë dokumentacion.

Investitori “ Matkos Group”, ka deklaruar se vlera totale e investimeve në katër hidrocentralet e kaskadës së Lepencit është 17,891,464 euro.

Ndërsa, për shkeljet e gjetura në HC “Brezovica”, grupi punues ka rekomanduar anulimin e akteve administrative mbi bazën e shkeljeve të ligjeve material dhe procedural si dhe të zbatohet koncesioni si instrument i të drejtës ujore.

Lidhur me këto të gjetura të grupit punues për Hidrocentralet në Kosovë dhe rekomandimet e dhëna Front Online, ka dërguar pyetje  në kabinetin e Ministrit, Liburn Aliu, por deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur nëse do t’i zbatojnë rekomandimet e grupit punues.

Front Online, ditë më parë ka raportuar ekskluzivisht mbi të gjeturat e grupit punues për Hidrocentralet në Kosovë.

Ekskluzive/ Zbulohen dallavere të mëdha me hidrocentrale në Kosovë (Dokument)

/Front Online/

 

Comodita nis 35 kontejnerë me dyshekë për në SHBA

Të tjera