[wp-story]

Lajme

Shyqiri Bytyqi vazhdon politizimin e Universitetit të Gjilanit

Shyqiri Bytyqi vazhdon politizimin e Universitetit të Gjilanit
15:43 | 06 Shtator 2019

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi ka emëruar dy anëtarë në bordin e Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan.

Vendimin e ka marrë javën e kaluar, më 30 gusht. Sipas dokumentit që e ka siguruar “Koha Ditore”, të emëruarit janë Ibrahim Kosumi dhe Violeta Abazi-Huruglica.

Burime të gazetës kanë thënë se Kosumi është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në shumë postime në rrjete sociale ai shihet me zyrtar të kësaj partie. Ndërkaq, e emëruara tjetër, sipas burimeve, është e afërt e familjes së anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Bajram Hasani.

Kosumi dhe Abazi-Huruglica nuk janë përgjigjur për gazetën në lidhje me emërimin e tyre.

“Ju lutem mos më shqetësoni”, ka thënë shkurt Violeta Abazi-Huruglica derisa i emëruari tjetër, Ibrahim Kosumi nuk ka kthyer përgjigje.

Koha Ditore ka drejtuar pyetje edhe tek ministri Shyqiri Bytyqi rreth vendimit të tij por as ai nuk është përgjigjur.

Javën e kaluar ministri Bytyqi dha dorëheqje nga partia Nisma Socialdemokrate derisa e akuzoi këtë parti për përzierje në arsim. Vetëm pak ditë më pas, ju bashkua Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD).

Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë në koalicion parazgjedhor.

Gjatë kohës sa ishte në Nisma, Bytyqi kishte bërë emërime të shumta politike nëpër bordet e Universiteteve publike, Ministrinë e Arsimit dhe shumë institucione tjera që veprojnë në kuadër të MASHT-it.

Sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ligji nuk i ndalon emërimet kur një Qeveri është në largim. Por sipas tij, ministrat në largim nuk kanë të drejtë të marrin vendime që kanë interes të përgjithshëm.

“Me fjalë të tjera Qeveria nuk ka mandat të vazhdojë planprogramin qeverisës. Nëse i marrim praktikat e demokracive parlamentare qeveritë në ikje marrin vetëm vendime teknike dhe administrative përjashtimisht në raste të jashtëzakonshme mund të marrin vendime politike”, ka deklaruar ai.

Më 26 korrik, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, Instituti për Zhvillimin e Politikave – INDEP, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK dhe Iniciativa për Progres – INPO përmes një reagimi për media patën theksuar se Qeveria e dorëhequr nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës, dhe çdo tentim që gjatë kësaj kohe që të merren vendime të rëndësishme, bie në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.

“Ftojmë ish-Kryeministrin dhe Qeverinë në dorëheqje që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, të kujdesen vetëm në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të domosdoshme për ta mbajtur funksionale administratën shtetërore, për të parandaluar vakumin institucional”, thuhej në këtë reagim.

“Graniti” hap showroom-in e dytë në Prishtinë (VIDEO)

Të tjera