×
  • Lajme
  • Lajme

    Shuarja e Task-Forcës për korrupsion “amniston politikanët”

    FrontOnline
    22 Tetor 2020

    Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes kur merr vendime, siç ishte ai për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës, thotë drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli. Ai thekson se ky departament ka kontribuar në luftimin edhe parandalimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

    “Task-forca ka dhënë një kontribut të çmuar sa i takon hetimit të disa rasteve të profilit të lartë dhe po besoj se qeveria duhet ta ketë në konsideratë këtë çështje sepse siç e dini, kusht për integrim të Kosovës në Bashkimin Europian dhe për çështjen e liberalizimit të vizave, është edhe luftimi i korrupsionit. Mendoj se duhet pasur kujdes sa i përket marrjes së vendimeve të tilla”, tha Havolli.

    Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.
    Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Një nga rastet që ky departament ka realizuar ishte ai për arrestimin e pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, pasi të njëjtin dyshohet se kishin marrë ryshfet për lëshimin e patentë-shoferëve.

    Kabineti qeveritar i Kosovës të hënën ka vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të mërkurën në një konferencë për media tha se në kohën kur është marrë vendimi për themelimin e këtij departamenti, ka qenë vendim anti-kushtetues.

    “Në pikën e parë të këtij vendimi thuhet se ‘Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themelojë një Departament Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë’. Ndërkaq, në pikën e dytë ia përcakton edhe numrin e prokurorëve, Departamenti Special Anti-Korrupsion të përbëhet nga gjithsej tetë prokurorë, pesë prej të cilëve do të jenë vendorë, ndërsa tre do të emërohen nga autoritetet e EULEX-it’. A e dini çka i ka munguar këtij vendimi? Vetëm edhe emër i prokurorëve”, tha Hoti.

    Hoti ka thënë se arsyeja e dytë se pse është marrë vendimi për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, është se ‘brenda Policisë së Kosovës janë krijuar struktura joligjore’.

    “Policia e Kosovës do të jetë plotësisht në dispozicion të organeve të drejtësisë edhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar gjatë këtyre viteve”, tha kryeministri Hoti.

    Sido që të jetë, misioni i EUELX-it thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar Departamentin kundër korrupsionit, ngreh shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin.

    “Qeveria duhet të sqarojë pozicionin e saj sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga EULEX-i dhënë për Radion Evropa e Lirë.

    Po ashtu në një raport të publikuar të hënën nga EULEX-i, pak para vendimit të qeverisë, thuhej se “Task-Forca Anti-Korrupsion e Policisë së Kosovës, luan rol esencial në fushën e zbulimit, hapave fillestarë dhe hetimeve kundër korrupsionit”.

    “EULEX-i ka vënë re se Task-Forca ka zbuluar dhe ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshijnë persona të njohur dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste të ndërlikuara financiare, siç janë ato që ndërlidhen me privatizime apo tenderë publikë, që i kanë shkaktuar buxhetit publik dëme të vlerësuara në miliona euro buxhetit publik”, thuhet mes tjerash në raportin e EULEX-it.

    Për shuarjen e Departamentit kundër korrupsionit në Policinë e Kosovës ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

    “Fatkeqësisht, vendimi i qeverisë për të shuar Taskë-Forcën kundër korrupsionit ngrit shqetësime serioze mbi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin në mënyrë efektive”, ka shkruar në Twitter ambasadori Rohde.

    Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vlerëson se qëllimi i Qeverisë Hoti dhe partive në pushtet, është që përmes shuarjes së kësaj Task-Force të shkatërrojë me dhjetëra raste penale që janë proces, ku të dyshuar janë eksponentë të lartë nga politika.

    “Kryeministri Hoti me sukses ka ofruar amnisti të plotë për partitë në pushtet dhe opozitë që kanë problem me ligjin, në kurriz të shtetit ligjor”, tha ai.

    Miftaraj thotë po ashtu se vendimi për shfuqizimin e Task-Forcës nga qeveria bie në kundërshtim me dokumentet e politikave lidhur me rishikimin funksional të sundimit të ligjit, që sipas tij thonë në mënyrë taksative se kjo Task-Forcë duhet të fuqizohet dhe jo të shuhet.

    “Rishikimi funksional është përmbledhje e katër vjetëve punë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, SHBA-ja, BE-ja, shoqëria civile etj. Në këtë drejtim, adresimi i djeshëm i kryeministrit ishte një mashtrim i madh, duke gënjyer haptazi lidhur me arsyet e shuarjes së kësaj Task-Force”, u shpreh Miftaraj.

    Ndryshe, korrupsioni në Kosovë me vite është identifikuar si njëri nga problemet kryesore në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Së fundi, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka përmendur se Kosova është “në fazën e hershme” në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se “nuk ka vullnet të fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin si dhe një përgjigje të fuqishme të sistemit juridik ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”./REL/

    Artmotion dhe DigitAlb arrijnë marrëveshje të re bashkëpunimi pesëvjeçar
    Nga Rubrika
    Lajme18 Prill 2024
    Opinionisti Ilir Deda, ka thënë se në 30 vitet e fundit, ndërhyrje në zgjedhje kishte në Shqipëri, gjatë kohës së shembjes së...
    Lajme18 Prill 2024
    Njohësja e zhvillimeve politike, Magbule Shkodra ka komentuar  veprimet e ditëve të fundit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ajo ka thënë...
    Lajme18 Prill 2024
    Policia serbe ka arrestuar një mërgimtar që jeton në Angli me pretendimet se i njëjti ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe....
    Të tjera
    Vip18 Prill 2024
    Tashmë është e konfirmuar, Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht në emisionin e Bora...
    Lajme18 Prill 2024
    Sonte në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh, raporton FrontOnline. Lajmin për të shtëna me armë në kryeqytet për FrontOnline e ka...
    Lajme18 Prill 2024
    Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, ka reaguar pas maltretimeve që Serbia i bëri shtetasve të Kosovës, të mërkurën, derisa ishin duke udhëtuar transit...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Lajme18 Prill 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai në një moment, Kurtin e quajti argat të...
    Lajme18 Prill 2024
    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, ka takuar disa deputetë të Kuvendit të Austrisë, përfshirë edhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.