Besojmë se në çdo gjë që bëjmë, udhëhiqemi nga kredo e ‘shqiptarizmës’. Por, çfarë nënkuptohet në të vërtetë me këtë, çfarë e justifikon këtë kredo? Krejt çfarë dimë është të bashkojmë dy duartë në formën e një shqiponje. Nuk ka asnjë politikan populist, intelektual mediokër, biznesmenë mashtrues dhe mafioz që nuk e përdor idiomën e shqiptarizmës për interesat e tyre të ulëta
Fadil Sahiti
Kam vënë re se në prag të çdo feste kombëtare, krenaria jonë shqiptare merr flakë. Vdesim të dëshmojmë se jemi patriotë dhe se ‘shqiptarizmi’ është kredo e jetës sonë. Edhe popujt e tjerë veprojnë në mënyrë të ngjashme.
Amerikanët, për shembull, kanë një kredo nacionale që i bën të dallohen nga popujt e tjerë. E bazojnë atë në deklaratën e tyre të pavarësisë, e cila thotë se amerikanët janë të barabartë pavarësisht nga origjina etnike; se të drejtat e çdo amerikani janë të patjetërsueshme, etj. Anglezët dikur janë udhëhequr nga një kredo supremacie, e kanë menduar veten kombi më i emancipuar, me religjion dhe kulturë unike, me doktrina politike qeverisëse shumë më të avancuara se të tjerët. Kjo kredo, e shndërruar në mit, ka bërë që perandoria e tyre të zgjerohen në Azi dhe veçanërisht në Afrikë. Sot, ka pak anglezë që besojnë në këtë kredo. Shumica e tyre e shohin veten si komb normal, tokësor, racional, agnostik etj. Gjermanët janë transformuar në mënyrë të ngjashme. Nga një kredo mitike kombëtare, me origjinë ariane, që Zoti i ka dërguar në tokë për të sunduar botën, sot udhëhiqen nga një kredo krejt tokësore. Kredoja gjermane sot është puna e palodhur, të cilën ata e shohin si detyrim moral. Në Ballkan, populli më mitik janë padyshim serbët; ata vazhdojnë ta ëndërrojnë veten si një popull i dërguar nga Zoti.
Të huajt mund të na përshkruajnë më mirë; ata mund ta dinë më mirë se cila është kredo jonë, çfarë na udhëheq ne shqiptarëve në jetë. Por, ne vetë besojmë se në çdo gjë që bëjmë, udhëhiqemi nga kredo e ‘shqiptarizmës’. Por sa prej nesh mund të japin një lloj përshkrimi racional të kësaj kredoje, çfarë nënkuptohet në të vërtetë me këtë, apo çfarë e justifikon këtë kredo? Krejt çfarë dimë është të bashkojmë dy duartë në formën e një shqiponje. Kaq. Nuk ka asnjë politikan populist, intelektual mediokër, biznesmenë mashtrues dhe mafioz që nuk e përdor idiomën e shqiptarizmës për interesat e tyre të ulëta.
Vazhdojmë të jemi ‘patriotë’, por për një njeri normal që dëshiron të jetojë me nder dhe me djersë, jeta në dy vendet tona nuk është aspak e lehtë. Atdheu ynë vazhdon të varfërohet. Të rinjtë shqiptarë vazhdojnë t’i shohin vendet e tyre (atdheun) si kurth për jetën e tyre. E kuptojnë se patriotizmi e atdhedashuria janë shndërruar në grremç për benefite të pa ndershme.
Grremçi i atdhedashurisë vazhdon të kontrollohet nga një ‘elitë’ njerëzish me diploma akademike: politikanë, intelektualë, analistë politikë etj., të cilët pa identitet dhe dinjitet profesional vetëm nxisin urrejtje. Skena politike, intelektuale dhe mediatike në dy vendet tona është e mbushur me gangsterë ordinerë, servilë, sykofantë të neveritshëm, ziliqarë, spiunë e hajdutë, zhvatës e dështakë të zakonshëm. Duket sikur të gjithë janë bashkuar rreth një dufi shkatërrues dhe përmbysës. Kanë përmbysur të gjitha parimet morale; çdo gjë që ka vlerë. Kanë rrafshuar gjithçka, çdo standard profesional dhe moral.
A do të zhduket një ditë kjo shqotë? Ndoshta. Por, pa e frenuar këtë marrëzi dhe këtë urrejtje që kemi mes nesh, pa e zbutur këtë skizmë të frikshme, është e vështirë të kthesh shpresën. Ndryshe, grremçi i turpshëm që kemi krijuar karshi Atdheut nuk është e keqja e vetme. Edhe Kosova edhe Shqipëria, atdheu ynë, një ditë mund të boshatiset plotësisht nga të rinjtë. Dhe, një Atdhe i banuar vetëm nga të moshuarit, çfarë të ardhme mund të ketë?