Ekonomi

Serbët e veriut hamenden për faturat e rrymës

Serbët e veriut hamenden për faturat e rrymës
20:44 | 13 Qershor 2022

Qeveria e Kosovës konfirmoi të hënën se është shumë pranë zgjidhjes së çështjes së furnizimit dhe inkasimit të energjisë elektrike në veri.

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur në muajin prill të vitit 2013”.

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, por nuk është zbatuar asnjëherë.

Reagimi i Bislimit të hënën duket se u nxit nga një deklaratë që bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 10 qershor. Vuçiq tha se “pala serbe ka zhvilluar negociata dhe ka arritur pajtim me KEDS-in për prezencën e kësaj kompanie në veri” të Kosovës.

Bislimi, në reagimin e tij në Facebook, nuk e mohoi takimin e KEDS-it me palën serbe.

“Në emër të Kosovës, negocion vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Takimi mes KEDS-it dhe palës serbe, i organizuar nё Stamboll më 9 qershor, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit të garancive për katër shërbimet e dakorduara në vitin 2015: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi, dhe këtë obligim e ka përmbushur”, tha Bislimi.

Disa qytetarë s’duan t’i paguajnë faturat në Kosovë
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.

Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri arrin nga Elektro-rrjeti i Serbisë.

Disa qytetarë të pjesës veriore të Kosovës, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se e përkrahin idenë që të rregullohet çështja e furnizimit me energji elektrike, por disa nga ta thonë se do të donin që pagesën ta bënin në Serbi, e jo në Kosovë.

“Në cilindo rast, më shumë dua që ta paguaj energjinë sesa mos të kemi fare – të them të drejtën. Unë jam për këtë, më mirë të paguhet”, thotë Dragica Vulliq.

Një qytetar tjetër i Mitrovicës së Veriut, i cili prezantohet vetëm me emrin Millosh, thotë se nuk do të donte ta paguante energjinë elektrike për ndonjë institucion të Kosovës.

“Një rend duhet të ekzistojë… por më parë do t’ia paguanim shtetit tonë [Serbisë], sesa Qeverisë së Kosovës. Nuk e di, më duket se gjithnjë e më shumë po na shtyjnë drejt duarve të Prishtinës”, thotë Milloshi.

Sipas Millanit, çështja e pagesës së rrymës tani është e pakuptimtë.

“Nuk e di, por mendoj se tash kjo është e pakuptimtë për arsye politike”, thotë ai.

Pas komenteve të presidentit serb, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione shtesë nga KEDS-i për takimin me palën serbe, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.

REL ka kontaktuar edhe Elektro-rrjetin e Serbisë (EMS), por nga ky institucion kanë rekomanduar që të kontaktohet Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Kjo e fundit nuk është përgjigjur.
Kërkesave të REL-it për komente nuk i janë përgjigjur as zyrtarë të Bashkimit Evropian, bllokut që ka ndërmjetësuar marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, të arritur në vitin 2013 në Bruksel.

Njohësi i fushës së energjisë në Kosovë, Lulëzim Syla, thotë se zbatimi i marrëveshjes për energjinë është një proces i vonuar, por i domosdoshëm, sidomos tani kur Kosova është duke u përballur me krizë energjetike dhe shtrenjtim të çmimit të energjisë.

“Është marrëveshje shumë e vonuar, por e mirëseardhur në këtë krizë të energjisë”, thotë Syla për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Vuçiq e ka keqpërdorur procesin e bisedimeve në Bruksel, kur ka thënë se Serbia ka arritur marrëveshje me KEDS-in për rrymën në veri.

Ai thotë se Vuçiq e ka bërë këtë për t’i përgatitur qytetarët serbë në veri se, së shpejti, do të jenë të obliguar të paguajnë për rrymën e shpenzuar.

“Sigurisht se do të ketë hezitime prej anës së qytetarëve, sepse është krijuar një kulturë e mospagesës dhe, në fillim, do të haset në refuzime”, thotë Syla.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në prill të vitit 2013.

Me këtë marrëveshje, të konfirmuar nga vetë palët në vitin 2015, parashihet që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”. Pronare e kësaj të fundit është Qeveria e Serbisë.
Përfaqësuesit e saj e kanë regjistruar atë si biznes në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në nëntor të vitit 2018. Aktivitet primar i saj është tregtia e energjisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.” – ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet e arritura me Serbinë, tha ai.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve, kjo kompani, për të filluar operimin në Kosovë, do të duhej që të licencohej nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” ka aplikuar për licencim, por nuk ka konfirmim se ZRRE-ja e ka licencuar.

Në muajin shkurt të këtij viti, ZRRE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se licenca është kërkuar në fund të dhjetorit, 2020, por ende nuk është miratuar, sepse “duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen [e Brukselit] dhe konkluzionet”, gjë që, sipas ZRRE-së, nuk është arritur.

ZRRE-ja nuk ka specifikuar konkretisht se çfarë është e kontestueshme në këtë proces.
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

Prince Coffee House tani edhe në Vjenë të Austrisë

Të tjera