[wp-story]

Lajme

Sejdiu: Koalicioni LDK-LVV do t’ua siguronte 70 ulëse në Kuvend

Sejdiu: Koalicioni LDK-LVV do t’ua siguronte 70 ulëse në Kuvend
11:55 | 07 Shtator 2019

Ish-deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se vetëm një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes do të mundë ta shpëtonte Kosovën nga rreziku i krijimit të një koalicioni PAN 2, parti këto që sipas tij i kanë zaptuar gjitha institucionet.

Sipas Sejdiut, Kosova gjendet në një kaos, prandaj qeveria e re do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit.

Zëri: Z. Sejdiu, keni vendosur të mos garoni për deputet. Pse ky vendim pikërisht tani?

Sejdiu: Nuk kam vendosur të tërhiqem nga politika 100%, por thjesht kam marrë vendim të mos garoj për këtë mandat si deputet. Sigurisht që ky ishte një vendim jo i lehtë për mua dhe ka qenë vendim të cilin e kam menduar qe disa javë, duke e ditur se do të vijë kjo kohë. Posti i deputetit, por edhe çfarëdo posti i shërbyesit publik është mundësi për të shërbyer jo për përfitime personale, por një mundësi që t’i shërbesh të mirës së përgjithshme dhe besoj se këtë e kam bërë qe dy vjet, por njëkohësisht mendoj që kur i futesh një gare të tillë, kur e merr me përgjegjësi detyrën tënde, duhet të jesh 100% i bindur që mund ta kryesh punën me potencialin e plotë që e ke. Prandaj unë për arsye edhe të natyrës personale, edhe të disa rrethanave që janë zhvilluar kam menduar që përafërsisht të njëjtin kontribut mund ta jap edhe nga jashtë Kuvendit, pa e marrë përsipër përgjegjësinë e të qenët deputet në këtë mandat. Kështu që kjo ishte rrjedha e të menduarit dhe me diskutimet që i kam pasur me familjen e me njerëzit e afërt mendova se ka ardhur koha të kontribuoj në një mënyrë tjetër për vendin.

Zëri: Kemi parë një përafrim tuajin me Vetëvendosjen dhe me LDK-në, madje keni bërë edhe një parafushatë lidhur me një bashkëpunim të mundshëm të të dyja partive. Meqë dështoi koalicioni parazgjedhor mes tyre, sa mund të pritet një koalicion pas zgjedhjeve të 6 tetorit?

Sejdiu: Unë kam qenë pjesë e opozitës së bashkuar së paku, opozitës që është bërë nga LDK dhe VV-ja dhe kemi bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për t’i parandaluar gjitha dëmet që Qeveria e PAN-it kishte për synim t’ia bënte këtij vendi. Te bashkimi i LDK-së dhe LVV-së pashë potencialin që të arrihet edhe një fitore shumë e madhe, ndoshta me një akumulim prej 70 deputetësh potencialisht në Parlament, me ç’rast do t’i mundësohej asaj qeverie të jetë jashtëzakonisht stabile, duke pasur një shumicë të tillë shumë të fuqishme në Parlament të deputetëve shqiptarë. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, gjë që është një fatkeqësi e madhe për vendin, sepse ndryshimet të cilat mund të bënim së bashku do të ishin shumë më të mundshme në atë mënyrë, por tash ajo është e kaluar. Aktualisht unë besoj që LDK-ja dhe LVV-ja duhet të jenë shumë të kujdesshme në mënyrën se si i qasen njëra-tjetrës tani në fushatën parazgjedhore, me qëllim t’i lejojnë vetvetes mundësi që nesër të ulen në tavolinë dhe të negociojnë për formimin e qeverisë. Çfarëdo antagonizmi që këto dy parti paraqesin ndaj njëra-tjetrës në fushatë gjithashtu e zvogëlon numrin e atyre të cilët shpresojnë të dalin në zgjedhje të votojnë për njërën nga këto dy parti, që njëkohësisht e rrit edhe prezencën e tyre në Parlament, mundësisht për t’i fituar mbi 50% të votave dhe për të bërë një qeveri stabile.

Zëri: A ka qenë një shtysë që ju të mos garoni për deputet në këtë legjislaturë dështimi i arritjes së një marrëveshjeje mes LDK-së dhe LVV-së?

Sejdiu: Në fakt unë dëshiroj ta mbaj fjalën që e jap dhe pata thënë që nëse këto dy parti bëhen bashkë unë do të garoj për deputet. Kështu që unë do të garoja sikur të bëhej ky koalicion parazgjedhor, për t’i ndihmuar natyrisht këtij blloku politik. Sigurisht që mosrealizimi i këtij projekti është njëri nga faktorët, i cili ka ndikuar në vendimmarrjen time, por nuk është i vetmi, nuk është arseja kryesore, por natyrisht që kur mblidhen gjitha gjërat edhe ky është njëri prej faktorëve që e kam pasur parasysh.

Zëri: A keni pasur ofertë nga LDK-ja dhe LVV-ja për t’u bashkangjitur me to?

Sejdiu: Jam jashtëzakonisht mirënjohës për vlerësimin që e kanë treguar edhe LDK-ja, edhe Vetëvendosja ndaj meje, duke më bërë oferta gjeneroze që të jem pjesë e projekteve të tyre në këtë synim që e kanë. Unë vendimin nuk e kam marrë duke u bazuar në atë se a kam oferta ose jo, sepse ato kanë qenë prezente, por siç e thashë ka qenë një numër i madh i çështjeve që kam kalkuluar para se të marr vendimin për të vazhduar si deputet ose jo. Natyrisht që u kam thënë të dyja partive që edhe pse nuk po u bashkohem formalisht në listë nesër kur të jenë në Qeveri të mos hezitojnë të më konsiderojnë pjesë integrale të “argatëve”, të cilët punojnë drejt reformave që janë të nevojshme në vend.

“Petrol Company” ndihmon më shumë se 200 familje për festën e Fitër Bajramit (VIDEO)

Të tjera