×
  • Opinione
  • Opinione

    Rusia mësoi një leksion të hidhur në lidhje me marrëzinë e luftës

    FrontOnline
    20 Maj 2022

    Autori është gazetar britanik.

    Vladimir Putin nuk ishte i vetmi që gaboi. Me supozimin e udhëheqësit rus se ushtria e tij do ta mposhte Ukrainën brenda disa ditësh, ishin dakord shumë analistë dhe politikanë në Perëndim. Të njëjtat agjenci të inteligjencës perëndimore që parashikuan me saktësi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën, besonin gjithashtu se Putini do të arrinte ndoshta një fitore shumë të shpejtë.

    Por kur po mbushen thuajse 3 muaj që nga fillimi i luftës, ushtria e Moskës është e bllokuar në vend, dhe ka pësuar shumë humbje të mëdha. Izolimi ndërkombëtar i Rusisë po thellohej çdo ditë e më shumë, teksa është konfirmuar tashmë zyrtarisht se Finlanda dhe Suedia do të aplikojnë për t’u bërë pjesë e NATO-s.

    Tani po flitet shumë mbi paaftësinë e ushtrisë ruse. Por ndoshta nuk po kërkohet një shpjegim i veçantë për problemet e saj. Në kohët moderne, kur fuqitë e mëdha pushtojnë vendet më të vogla, ato zakonisht përfundojnë duke e humbur luftën.

    Amerika dështoi në Vietnam, Afganistan dhe Irak. Poshtëruese ishin për të edhe tërheqjet pas ndërhyrjeve më të vogla ushtarake në Somali dhe Liban. Edhe Bashkimi Sovjetik dështoi në Afganistan; ndërsa Rusia po dështon tani në Ukrainë.

    Siç vëren edhe akademiku indian Pratap Bhanu Mehta:“Është një nga misteret e mëdha të politikës ndërkombëtare, fakti se pavarësisht rezultateve të tyre të tmerrshme në fitimin e luftërave asimetrike, vendet e fuqishme vazhdojnë të mendojnë se mund të fitojnë në të ardhmen”.

    Vetëm një vend i fuqishëm i ka rezistuar tundimit për të bërë luftë gjatë 40 viteve të fundit. Ajo është Kina. Kinezëve iu “gjakos hunda” kur pushtuan Vietnamin në vitin 1979. Që atëherë Pekini i është larguar me mençuri luftës. Duke u përqendruar në zhvillimin e saj ekonomik, Kina ka transformuar ekonominë dhe shoqërinë e saj, dhe është bërë vendi më i fuqishëm në botë pas SHBA-së.

    Gjithsesi, vitet e fundit, qeveria dhe populli kinez kanë shfaqur një lloj dëshire për t’u angazhuar në fushën e betejës. Kina ka shpenzuar shumë para për ushtrinë e saj. Ajo ka shtuar stërvitjet ushtarake kërcënuese pranë ishullit të Tajvanit.

    Filmat me temën e luftës janë bërë shumë popullorë. E megjithatë, përvojat e Rusisë në Ukrainë sugjerojnë se do të ishte një gabim katastrofik që Kina t’i nënshtrohej tundimit për të zhvilluar një luftë të shkurtër dhe të lavdishme.

    Me fillimin e sulmit, gjërat shkojnë rrallë sipas planit. Historiani Adam Tooze thotë: “Përveç luftërave nacionalçlirimtare, është e vështirë të përmendet një luftë e vetme agresioni që nga viti 1914, që ka dhënë rezultate qartësisht pozitive për agresorin”.

    Njerëzit dhe kombet që po mbrojnë shtëpitë e tyre, janë zakonisht shumë më të motivuar sesa një ushtri pushtuese. Reputacioni i Rusisë si një fuqi ushtarake e madhe, u krijua në luftërat mbrojtëse kundër Napoleonit dhe Hitlerit.

    Por tani Rusia është agresore, dhe janë ukrainasit ata që janë në rolin e mbrojtësve heroikë të atdheut të tyre, një rol që rusët e luajtën në vitet 1812 dhe 1942. Si një vend që lufton për ekzistencën e vet, Ukraina ka qenë në gjendje të këmbëngulë që të gjithë burrat të qëndrojnë në vend dhe të luftojnë.

    Rusia është e detyruar ende të gënjejë popullin e saj se është e përfshirë në një “operacion ushtarak special”, që nuk kërkon një mobilizim masiv. Sa më gjatë të zgjasë një luftë, aq më e vështirë bëhet për një ushtri pushtuese. Edhe nëse pushtoni kryeqytetin e tij – siç bënë amerikanët në Irak dhe Afganistan – ka të ngjarë të përballeni me një kryengritje të vazhdueshme, e cila do të mbështetet me entuziazëm nga fuqitë e jashtme.

    Një luftë e humbur, ka ndërkohë edhe efekte të brendshme shumë të dëmshme. Mbi 15.000 trupa dhe kontraktorë amerikanë vdiqën në luftërat në Afganistan dhe Irak, dhe 2 herë më shumë vdiqën më vonë duke u vetëvrarë. Qindra mijëra të tjerë janë plagosur, dhe efektet e këtyre luftërave janë ndier në shoqërinë dhe politikën amerikane.

    Përjashtimet e pakta nga rregulli që fuqitë e mëdha i humbin edhe luftërat e vogla, duket se ndodhin kur luftimet dhe objektivat janë qartësisht të kufizuara. Nëse konflikti është vërtet një “operacion ushtarak special” (sa për të përdorur termin e pasinqertë të Putinit për pushtimin e Ukrainës), atëherë suksesi është i mundur.

    Në luftën e Gjirit të vitit 1991, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja i kufizoi qëllimet e tij në dëbimin e Irakut të Sadam Huseinit nga Kuvajti. Kur SHBA-ja u përpoq të shkonte shumë më tej në luftën e dytë të Gjirit në vitin 2003 – duke e rrëzuar Sadamin nga pushteti dhe duke pushtuar Irakun – plani dështoi.

    Ndërhyrja e suksesshme e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, u bazua te fuqia ajrore, në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës. Ndryshimet aktuale në teknologjinë ushtarake, mund të rrisin më tej shanset kundër një ushtrie pushtuese, siç e theksoi së fundmi edhe Max Boot në një artikull në “Washington Post”. Teknologjia e informacionit dhe dromët, mund të përcaktojnë lëvizjet e një force sulmuese.

    Më pas raketat e drejtuara me precizion mund t’i sabotojnë ato. Ky ndryshim në teknologji mund të jetë pjesërisht përgjegjës për humbjet e rënda që ka pësuar Rusia në betejat për Kievin dhe rajonin e Donbasit. Dhe siç po e zbulon Moska tani, edhe një luftë kundër një fqinji më të vogël e më të dobët mund të shkojë keq.

    Konfliktet më të mëdha rrezikojnë të shkaktojnë katastrofa. Edhe një fitore nominale mund ta lërë ekonominë dhe shoqërinë e një vendi në një gjendje të rrënuar. Britania doli fitimtare në Luftën e Dytë Botërore, por nuk e rifitoi kurrë statusin e saj si një fuqi e madhe, shkruan CNA.

    Siç do të thoshte më vonë historiani A.J.P Tejlor: “Megjithëse synimi i të qenit një fuqi e madhe është të jesh në gjendje të zhvillosh një Luftë të Madhe, e vetmja mënyrë për të mbetur një fuqi e madhe është të mos zhvillosh një luftë të tillë”.

    Tani ky paradoks po shfaqet plotësisht në Ukrainë. Putin drejtoi ringritjen e ushtrisë ruse gjatë dekadës së fundit, dhe më pas nisi një luftë për të rivendosur statusin e Rusisë si një fuqi e madhe. Por në vend të kësaj, Rusia ka të ngjarë të dalë nga lufta në Ukrainë më e varfër, më e dobët dhe shumë e zvogëluar. Lufta e Putinit nuk është thjesht një krim. Ajo është gjithashtu një gabim.

    Njoftimet nga KEDS, vendet që s’do të kenë rrymë nesër
    Nga Rubrika
    Opinione18 Prill 2024
    Burimi: The Guardian (Titulli origjinal: Netanyahu faces tough questions on Iran – because we Israelis don’t need any more forever wars) Shkruan:...
    Opinione17 Prill 2024
    Nga Xhezair Zaganjori: Pak ditë më parë, më 9 prill 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut...
    Opinione16 Prill 2024
    Nga Shlomo Ben-Ami: E ndodhur përballë kërcënimit të një fitoreje ruse në Ukrainë, Evropa duhet të vendosë se si të përballet me...
    Të tjera
    Sport20 Prill 2024
    Të premten, gazeta spanjolle ”Mundo Deportivo”, ka raportuar se Zinedine Zidane është afër të bashkohet me Bayern Munichun Trajneri francez i cili...
    Lajme20 Prill 2024
    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë me një reagim pas zotimit të Qeverisë se rruga Kijevë-Zahaq...
    Ekonomi20 Prill 2024
    Kryeminsitri, Albin Kurti ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit se pasuri të paluajtshme e ka vetëm një banesë me sipërfaqe...
    Ekonomi20 Prill 2024
    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë...
    Lajme20 Prill 2024
    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur me tone disfatiste para Ndihmëssekretarit amerikan të shtetit James O’Brien. Gjatë konferencës për media me...
    Lajme20 Prill 2024
    Kurti në Berlin më 25 prill – gazetari gjerman zbulon agjendën Gazetari gjerman, Michael Martens, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.