Bota/Rajoni

Rusia lufton për të plotësuar trupat e saj në Ukrainë

Rusia lufton për të plotësuar trupat e saj në Ukrainë
13:28 | 11 Gusht 2022

Të burgosurit në Shën Peterburg prisnin një vizitë nga zyrtarët, duke menduar se do të ishte një lloj inspektimi. Në vend të tyre, erdhën burra me uniformë dhe u ofruan amnisti – nëse pranonin të luftonin përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë.

Gjatë ditëve në vijim, rreth një duzinë u larguan nga burgu, sipas një gruaje, i dashuri i së cilës po vuan dënimin atje. Duke folur me kushtin që të mos identifikohej, për shkak të frikës nga hakmarrja, ajo tha se i dashuri i saj nuk ishte në mesin e vullnetarëve, megjithëse me vite të tëra të mbetura nga dënimi i tij, ai “nuk mund të mos mendonte për këtë”.
Ndërsa Rusia vazhdon të pësojë humbje në agresionin e saj në Ukrainë, që tanimë po mbush gjashtë muaj, Kremlini ka refuzuar të shpallë një mobilizim të plotë, një lëvizje që mund të jetë shumë jopopullore për presidentin Vladimir Putin. Kjo ka bërë që në vend të mobilizimit të bëhen përpjekje të fshehta rekrutimi që përfshin përdorimin e të burgosurve për të kompensuar mungesën e trupave.

Kjo gjithashtu po ndodh mes raporteve se qindra ushtarë rusë po refuzojnë të luftojnë dhe po përpiqen të braktisin ushtrinë.

“Ne po shohim një valë njerëzish që duan të largohen nga zona e luftës, qoftë ata që kanë shërbyer për një kohë të gjatë apo ata që kanë nënshkruar së fundi një kontratë”, tha Alexei Tabalov, një avokat që drejton një grup të ndihmës ligjore të Shkollës së Rekrutëve.

Grupi ka parë një valë kërkesash nga burra që duan të ndërpresin kontratat e tyre, “dhe unë personalisht kam përshtypjen se kushdo që mundet është i gatshëm të ikë”, tha zoti Tabalov në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press. ” Ministria e Mbrojtjes po gërmon thellë për të gjetur ata që mund t’i bindë të shërbejnë”, theksoi ai.

Edhe pse ministria e Mbrojtjes mohon se po ndodh ndonjë “veprimtari mobilizimi”, autoritetet duket se po bëjnë gjithçka për të nxitur rekrutimin. Reklamat në transportin publik në rajone të ndryshme shpallin, “Kjo është puna”, duke i nxitur burrat të bashkohen me ushtrinë profesionale. Autoritetet kanë ngritur qendra të lëvizshme rekrutimi në disa qytete, duke përfshirë një në vendin e një gjysmë maratonë në Siberi në muajin maj.

Administratat rajonale po formojnë “batalione vullnetare” të cilat i promovojnë në televizionin shtetëror. E përditshmja Kommersant numëroi të paktën 40 subjekte të tilla në 20 rajone, me zyrtarë që u premtonin vullnetarëve paga mujore që sillen nga 2,150 dollarë në gati 5,500 dollarë, plus bonuset.

AP pa mijëra kërkime në faqet e internetit për specialistë të ndryshëm ushtarakë.

Ushtria britanike tha këtë javë se Rusia ka formuar një forcë të re të madhe tokësore të quajtur Korpusi i 3-të i Armatës nga “batalione vullnetare”, duke kërkuar burra deri në moshën 50 vjeç, që nuk ka nevojë të kenë të kryer më shumë se shkollën e mesme, ndërsa ofron “shpërblime në para” pasi të jenë vendosur në Ukrainë.

Por ankesat po shfaqen gjithashtu në media se disa nuk po marrin pagat e premtuara, megjithëse raportet e tilla nuk mund të vërtetohen në mënyrë të pavarur.

Në fillim të muajit gusht, avokati Tabalov tha se filloi të merrte kërkesa të shumta për ndihmë ligjore nga rezervistët, të cilët janë urdhëruar të marrin pjesë në një stërvitje dymujore në zonat afër kufirit me Ukrainën.

Rekrutimi i të burgosurve ka vazhduar javët e fundit në rreth shtatë rajone, tha Vladimir Osechkin, themelues i grupit të të drejtave të të burgosurve Gulagu.net, duke cituar të burgosurit dhe të afërmit e tyre, që grupi i tij kishte kontaktuar.

Nuk është hera e parë që autoritetet përdorin një taktikë të tillë. Bashkimi Sovjetik kishte përdorur “batalione të burgosurish” gjatë Luftës së Dytë Botërore.

As Rusia nuk është e vermja. Në fillim të luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy premtoi amnisti për veteranët ushtarakë pas grilave nëse ata dolin vullnetarë për të luftuar, megjithëse mbetet e paqartë nëse diçka doli prej kësaj.

Në rrethanat aktuale, tha zoti Osechkin, nuk është ministria e Mbrojtjes ajo që po rekruton të burgosur, por forca ushtarake private në hije e Rusisë, grupi Wagner.

Yevgeny Prigozhin, një sipërmarrës i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të kontratave të tij të hotelerisë me Kremlinin dhe i cili thuhet se është menaxheri dhe financuesi i Wagner-it, hodhi poshtë raportimet se ai personalisht vizitoi burgjet për të rekrutuar të dënuarit. Prigozhin, në fakt, mohon se ka ndonjë lidhje me grupin Wagner, i cili thuhet se ka dërguar kontraktorë ushtarakë në vende si Siria dhe Afrika nën-Sahariane.

Sipas Osechkin, fillimisht të burgosurve me përvojë ushtarake ose në zbatimin e ligjit iu ofrua të shkonin në Ukrainë, por kjo më vonë u shtri edhe tek të burgosurit e tjerë. Ai vlerëson se deri në fund të korrikut, rreth 1,500 mund të ishin paraqitur, të joshur nga premtimet për paga të mëdha dhe faljen e mundshme të dënimit.

Tani, shtoi ai, shumë nga ata vullnetarë, ose familjet e tyre, po e kontaktojnë atë dhe po kërkojnë të lirohen nga angazhimet e tyre, duke i thënë: “unë me të vërtetë nuk dua të shkoj”.

Sipas gruas, i dashuri i së cilës po vuan dënimin në burgun e Shën Peterburgut, ofertat janë “një fije shprese” për lirinë. Por, ajo citoi të dashurin të ketë thënë se nga 11 vullnetarë, tetë vdiqën në Ukrainë. Ajo shtoi se një nga vullnetarët shprehu keqardhje për vendimin e tij dhe nuk beson se do të kthehet i gjallë.

Pohimet e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, por janë në përputhje me raportet e shumta të mediave të pavarura ruse dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Sipas këtyre grupeve dhe avokatëve, disa ushtarë dhe oficerë kanë refuzuar vendosjen në Ukrainë ose po përpiqen të kthehen në shtëpi pas disa javësh ose muajsh të pjesëmarrjes në luftime.

Raportet e mediave për disa trupa që refuzonin të luftonin në Ukrainë filluan të shfaqen në pranverë, por grupet e të drejtave të njeriut dhe avokatët filluan të flasin vetëm kur numri i refuzimeve arriti në qindra muajin e kaluar.

Në mes të korrikut, Fondacioni Free Buryatia raportoi se rreth 150 burra arritën të shkëpusnin kontratat e tyre me ministrinë e Mbrojtjes dhe u kthyen nga Ukraina në Buryatia, një rajon në Siberinë lindore që kufizohet me Mongolinë.

Disa nga ushtarakët po përballen me pasoja. Avokati Tabalov tha se rreth 80 ushtarë të tjerë që kërkuan të anulonin kontratat e tyre, sipas familjarëve, u arrestuan në qytetin Bryanka të kontrolluar nga Rusia në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore. Javën e kaluar, ai tha se qendra e paraburgimit Bryanka u mbyll për shkak të vëmendjes së medias.

Por, prindi i një oficeri që u ndalua pasi u përpoq të anulonte kontratën e tij, i tha agjencisë Associated Press se disa janë ende të ndaluar diku tjetër në rajon. Prindi kërkoi të mos identifikohej për shkaqe sigurie.

Avokati Tabalov tha se një ushtarak mund të ndërpresë kontratën e tij për një arsye bindëse, gjë që nuk është e vështirë, megjithëse vendimi zakonisht varet nga komandanti i tij. Por ai shtoi se “në kushtet e armiqësive, asnjë komandant i vetëm nuk do të pranonte diçka të tillë, sepse ku do të gjenin njerëz për të luftuar”?

Alexandra Garmazhapova, shefe e Fondacionit Free Buryatia, i tha AP-së se ushtarët dhe të afërmit e tyre ankohen për komandantët që u grisnin njoftimet e anulimit dhe kërcënonin “refuzuesit” me ndjekje penale. Që nga fundi i korrikut, fondacioni tha se kishte marrë qindra kërkesa nga ushtarë që kërkonin t’u jepnin fund kontratave të tyre.

“Po marr mesazhe çdo ditë,” tha zonja Garmazhapova.

Avokati Tabalov tha se disa ushtarë ankohen se ishin mashtruar dhe nuk prisnin të përfundonin në një zonë lufte, ndërsa të tjerët janë të rraskapitur nga luftimet dhe nuk mund të vazhdojnë më tej.

Rrallë, nëse fare, ata u shfaqën të motivuar nga bindjet kundër luftës, tha avokati. /Zëri i Amerikës

Prince Caffe: Hape dhe fito preminë kryesore, çdo muaj nga një Fiat 500

Të tjera