Forcat rebele që kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Asadit në Siri kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të qytetit të Alepos, i dyti më i madh në vend. Rusia ndërmori sulme ajrore në pjesë të Alepos gjatë natës dhe në orët e para të së shtunës për herë të parë që prej vitit 2016.
Sipas Observatorit për të Drejtat e Njeriut në Siri, me bazë në Londër, mbi 300 persona, përfshirë rreth 20 civilë, kanë humbur jetën që prej nisjes së trazirave ditën e mërkurë. Kjo është ofensiva më e madhe kundër qeverisë siriane në shumë vite dhe hera e parë që forcat rebele arrijnë në Alepo që kur u dëbuan nga ushtria në vitin 2016.
Aeroporti i Alepos dhe të gjitha rrugët që çojnë në qytet janë mbyllur, sipas burimeve ushtarake. Rebelët arritën të pushtonin shumicën e qytetit pa u ndeshur në rezistencë të rëndësishme dhe, siç raportohet, nuk pati përleshje teksa forcat e regjimit tërhiqeshin.
Më herët gjatë së premtes, autoritetet thanë se kishin rifituar pozicione në një numër fshatrash në Alepo dhe Idlib, pas ofensivës së nisur nga milici aleate. Video të postuara në një kanal të lidhur me grupin militant islamik Hayat Tahrir al-Sham duket se tregojnë luftëtarët rebelë teksa lëvizin me automjete brenda qytetit.
Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë vrarë gjatë luftës civile që shpërtheu pasi qeveria shtypi protestat pro-demokracisë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se sovraniteti i vendit ishte nën sulm dhe shprehu mbështetjen që qeveria siriane të rikthejë me shpejtësi rendin./A2cnn