×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Rusët po i ikin ushtrisë, ky është destinacioni ku po ia mësyjnë

    FrontOnline
    01 Tetor 2022

    Kazakistani, vend në Azinë Qendrore, është mbushur me rusë që i druhen luftës së përgjakshme të Kremlinit në Ukrainë.

    Prej se presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi mobilizim të pjesshëm ushtarak për këtë luftë, më 21 shtator, pamjet e rusëve që enden rrugëve të Kazakistanit me çanta shpine, janë bërë të zakonshme.

    Ashtu duken edhe radhët në kufijtë e shteteve, ku rusët mund të kalojnë pa viza.

    Panikun e kanë thelluar raportet se Rusia mund t’i mbyllë së shpejti daljet, së paku për burrat në moshë luftarake.

    Në Oral të Kazakistanit, ku një kinema e quajtur “Cinema Park” ka ofruar strehim për rreth 200 rusë fundjavën e kaluar, korrespondentët e Radios Evropa e Lirë kanë parë banorë vendas duke u ofruar pilaf rusëve të mbledhur në stacionin e trenit të qytetit.

    “U ndihmojmë sa të mundemi. Nëse do të mund të bënim më shumë, do të bënim”, tha një vullnetar me emrin Miras.

    Megjithatë, në mesin e vendasve ka edhe frikë nga rritja e re e kostos së jetesës. Inflacioni atje tashmë është i lartë.

    Disa kanë dyshime për të ardhurit e çuditshëm, shumë prej të cilëve pranojnë se nuk dinë asgjë për vendin ku kanë mbërritur.

    Më 26 shtator, një burrë udhëtoi me biçikletë nga qyteti kazak, Karaganda, në kryeqytetin Astana, me një pankartë në çantën e shpinës që u bënte thirrje autoriteteve ta mbyllnin kufirin me Rusinë.

    “Është koha të mendojmë për të ardhmen e republikës sonë”, tha aktivisti Askar Nurmaganov për Shërbimin kazak të Radios Evropa e Lirë.

    Si motive të protestës së tij, ai përmendi rrezikun nga rritja e çmimeve dhe konkurrencën për punësim.

    Tri ditë para protestës së Nurmaganovit, dy kazakë u arrestuan për një kohë të shkurtër, për shkak të një demonstrate në aeroportin e qytetit më të madh, Almati.

    Njëra nga protestuesit, studentja Qaragoz Qasym, i tha Shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë se “dëshironte të tregonte se çfarë mendojnë njerëzit në vendin tim për të gjitha këto”.

    “Nuk ka asnjë garanci se ata që po mbërrijnë këtu tani, nuk do të na godasin me thikë pas shpine më vonë”, tha Qasym, duke aluduar, me gjasë, në mbështetjen e mundshme të të ardhurve për separatizmin në vendin multietnik

    Kazakistani është i vetmi vend nga Azia Qendrore, anëtar i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Moska, që kufizohet me Rusinë.

    Ashtu si Gjeorgjia në Kaukaz, Kazakistani ka parë radhë kilometërshe të rusëve në makina, në këmbë dhe në motorë, që po largoheshin për t’i shpëtuar mobilizimit ushtarak.

    Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 21 shtator se do të mobilizohen vetëm ata që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

    Por, shpejt janë shfaqur edhe raportet se Kremlini ka krijuar një rrjet më të gjerë, me në shënjestër pakicat etnike.

    Autoritetet e Kazakistanit kanë bërë përpjekje të zbusin frikën e vendasve për ndikimet në tregun e punës, ndërsa kanë pranuar se flukset e rusëve – që hyjnë dhe kalojnë transit ditëve të fundit – janë dy ose tri herë më të mëdha se nivelet e vitit të kaluar.

    Sipas ligjit kazak, rusët mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa regjistrim dhe 60 ditë të tjera më pas, por u duhet një shkresë nga Qeveria e tyre për të aplikuar për qëndrim më të gjatë.

    Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka thënë më 27 shtator se shumica e rusëve që vijnë në vendin e tij, “janë të detyruar të largohen, për shkak të situatës aktuale të pashpresë”.

    “Ne duhet të kujdesemi për ta dhe të garantojmë sigurinë e tyre”.

    “Ne do të zhvillojmë bisedime me palën ruse dhe do ta zgjidhim këtë problem në interes të vendit tonë”, ka thënë ai, duke folur nga rajoni Turkestan i Kazakistanit.

    Eksodi i madh rus është i dukshëm edhe në Taxhikistan.

    Një korrespodent i Radios Evropa e Lirë ka takuar më 25 shtator dy rusë, Igorin dhe Arkadyn, në kafenenë “Moose” në Dushanbe.

    Djemtë, të dy në të 20-at, thanë se janë larguar papritur nga vendlindja e tyre, Kaluga, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Moskës, pas njoftimit të Putinit.

    “Nuk dua të më dërgojnë në Ukrainë, nuk dua të më vrasin apo të humbas gjymtyrë atje. Jam vetëm 26 vjeç”, tha Igor.

    Arkady tha se kryeqyteti i Taxhikistanit ishte një “zgjedhje e rastësishme” për arratisjen e tij nga Rusia.

    Dy miqtë thanë se kanë mbetur gati pa mundësi, pasi çmimet e biletave janë rritur në qiell brenda natës për të gjitha destinacionet pa viza.

    “Ne, thjesht, donim të dilnim menjëherë nga Rusia. Kishim frikë se do të mbylleshin kufijtë së shpejti”, tha Arkady.

    “Nuk do të kthehemi në Rusi për sa kohë që Putin është në pushtet”, shtoi ai, duke vënë në dukje se Uzbekistani do të jetë destinacioni i tyre i ardhshëm.

    Disa hotele në Dushanbe i kanë të rezervuara të gjitha dhomat në javën e parë të tetorit. Thuhet se ato i kanë rritur tarifat për më shumë se 50 për qind.

    Një grua e quajtur Orzu, e cila jep me qira një apartament me dy dhoma gjumi në një ndërtesë të epokës sovjetike në Dushanbe, tha se nuk ka pasur kurrë kaq shumë kërkesa për banesën e saj.

    Orzu ka tashmë dy banorë rusë dhe po merr shumë telefonata nga klientë të tjerë të mundshëm.

    “Shumica e tyre janë rusë”, tha ajo.

    E njëjta histori është edhe në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent, dhe në qytete të tjera të këtij vendi.

    Në Bishkek, kryeqytetin e Kirgizisë, Gennady Voitenko, pronar i hotelit “Lavitor”, i tha Radios Evropa e Lirë se ka shkuar disa herë në aeroportin e qytetit për të marrë “klientë të lodhur”.

    Edhe pse qytetet në shumë ish-republika sovjetike kanë përjetuar fluks të madh rusësh edhe në javët e para të luftës në Ukrainë, energjia tani është disi ndryshe, tha Voitenko.

    Nëse në mars të ardhurit ishin “njerëz të IT-së nga Shën Petersburgu e Moska”, tani, tha Voitenko, ata janë “kushdo që ka mundësi” të largohet.

    Me ofertat e “Sharr Travel”, vetëm sot 300 qytetarë udhëtojnë drejtë Shqipërisë
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Kandidati për president Donald Trump do të jetë sot sërish në sallën e gjyqit ndërsa procesi për përzgjedhjen e jurisë vazhdon. Zoti...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Shqipëria renditet e gjashta në Evropë sa i përket aksidenteve rrugore. EUROSTAT në publikimin e fundit e rendit kështu Shqipërinë, ndërkohë që...
    Të tjera
    Vip18 Prill 2024
    Tashmë është e konfirmuar, Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht në emisionin e Bora...
    Lajme18 Prill 2024
    Sonte në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh, raporton FrontOnline. Lajmin për të shtëna me armë në kryeqytet për FrontOnline e ka...
    Lajme18 Prill 2024
    Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, ka reaguar pas maltretimeve që Serbia i bëri shtetasve të Kosovës, të mërkurën, derisa ishin duke udhëtuar transit...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Lajme18 Prill 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai në një moment, Kurtin e quajti argat të...
    Lajme18 Prill 2024
    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, ka takuar disa deputetë të Kuvendit të Austrisë, përfshirë edhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.