Në prag të festave të fundvitit, qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve të ndryshme, veçanërisht atyre ushqimore dhe të konsumit të përditshëm.
Ky trend ka shkaktuar shqetësime te shumë familje, të cilat tashmë e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet në prag festave.
Ndërkohë që kërkesa për produkte rritet në këtë periudhë, bizneset dhe konsumatorët janë të detyruar të përballen me rritje të ndjeshme të kostove, çka ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet familjare.
Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit për muajin nëntor janë më të larta këtë vit, duke u rritur për 0,7%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2023.
Njohësit e fushës së ekonomisë kanë vlerësuar, se Qeveria nuk po ndërmerr asnjë hap për uljen e çmimeve dhe lehtësimin e jetesës së qytetarëve duke thënë se rritja e çmimeve për fund vit zbeh ngrohtësinë e festave.
Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”: Qeveria duhet të merr masa për ta frenuar rritjen e çmimeve
Selatin Kaçaniku, përfaqësues i Shoqatës së Konsumatorëve të Kosovës, ka theksuar shqetësimin e tij lidhur me rritjen e çmimeve dhe ndikimin e saj në jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se përballimi i çmimeve është bërë një sfidë e madhe për familjet kosovare.
Kaçaniku thotë se krahasuar me vendet perëndimore si: SHBA, ku të ardhurat janë shumë më të larta, qytetarët e Kosovës po përballen me çmime që janë të ngjashme.
“Duke marr parasysh varfërinë e familjarëve të Kosovës përballja është shumë e vështirë me këto çmime. Çmimet po rritën, ne i kemi të ardhurat 10 fish
më të ulëta siç i kanë ata në SHBA dhe ata po ankohen për çmimet e çfarë të bëjmë ne me 1/10 e të ardhurave të tyre kur çmimet i kemi shumë më të larta”, tha ai.
Ai kërkoi që Qeveria të marrë masa të menjëhershme për të adresuar këtë problem.
Bellaqa: Bizneset po abuzojnë me çmimet, shteti duhet të ndërmarrë masa të qarta
Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente për të kontrolluar rritjen e çmimeve dhe të krijojë politika që do të frenonin këtë tendencë shqetësuese.
Bellaqa deklaroi për “Front Online” se Inspektorati i Tregut duhet të dalë në terren dhe të monitorojë më ngushtë aktivitetet e bizneseve, veçanërisht gjatë periudhës së festave.
“Duhet të merren masa nga Qeveria dhe të ketë politika të çmimeve që të frenohen ato. Inspektorati i tregut duhet të dal në teren dhe t’i monitorojë bizneset”, shprehet Bellaqa.
Ai e cilësoi si të papranueshme dhe jo etike ngritjen e çmimeve nga bizneset vetëm për shkak të fluksit të vizitorëve, duke theksuar se kjo sjellje është e dëmshme për konsumatorët.
“Është jo etike nga bizneset që për festa dhe ardhjen e diasporës t’i rrisin çmimet”, deklaroi ai.
Sipas Bellaqës, shteti duhet të marrë masa për të menaxhuar situatën dhe të parandaluar praktikat e abuzimit nga bizneset, të cilat shpesh vendosin çmime të ndryshme për të njëjtin produkt ose krijojnë monopole të fshehura.
“Shteti duhet të menaxhoj situatën se shumë biznese për të njëjtin produkt i kanë çmimet e ndryshme ose ka monopol të fshehur. Kosova i ka çmimet më të larta edhe se në perëndim kjo është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Bellaqa.
Muhaxhiri: Rritja e çmimeve në fundvit, qytetarët po përballen me pesha të rënda ekonomike
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxhiri, për “Front Online” ka folur lidhur me rritjen e çmimeve të produkteve në fund të vitit, duke e cilësuar këtë situatë si një ngarkesë të papranueshme për qytetarët.
Ai tha se kjo rritje çmimesh, e cila ka ndodhur edhe vitin e kaluar, është rezultat i kërkesës më të lartë për produktet gjatë festive.
“Qytetarët po ankohen që në fund të vitit ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar po përballën me rritje të çmimeve të produkteve, kjo po ndodh për shkak të festave. Në një gjendje të rënduar ekonomike të familjarëve kjo është e papranueshme”, theksoi ai.
Muhaxhiri theksoi se roli i Qeverisë është pasiv, dhe se ajo ka dështuar të ndërmarrë masa për të kontrolluar çmimet.
“Roli i qeverisë është pasiv si çdo herë, rolin kish mundur me pas për kontrollim e çmimeve por nuk e ka bërë asnjëherë. Koston më të madhe po e paguajnë qytetarët”, përfundoi Muhaxhiri.