Lajme

Rrëfimi i Flamur Shalës: Emrin ma vendosi babai, ishte i burgosur politik për flamur e për bashkimin e shqiptarëve

Rrëfimi i Flamur Shalës: Emrin ma vendosi babai, ishte i burgosur politik për flamur e për bashkimin e shqiptarëve
07:50 | 28 Nëntor 2022

Emrin Flamur ia kanë vendosur prindërit.

Por, më shumë me insistim të babit të tij, Hazir Shalës.

Kjo, për shkak se i njëjti ishte i burgosur për idetë e tij politike, e që ishin për flamur, për bashkimin e shqiptarëve e për gjuhë letrare.

Djali i Hazirit, Flamur Shala, i cili është prof.Asoc.Dr., në një rrëfim për Front Online thotë se vendosja e emrit Flamur ishte një lloj proteste, për të plotësuar kërkesën e patjetërsueshme, historike e kombëtare të identitetit kombëtar.

“Unë jam pagëzuar nga prindërit e mi, nga babai, Prof. Hazir Shala. Babai im, Prof. Hazir Shala, është njëri nga ata intelektualë që janë burgosur për idetë e tyre politike: për një flamur, për një gjuhë letrare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Ishte bashkëthemelues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, grupi i të cilit kishte filluar së vepruari fshehtë që në fund të viteve 50-ta të shek XX, sa ishte student. Kjo Lëvizje u zgjerua shumë deri në vitin 1964, deri në arrestimet dhe dënimet e rënda me burgje politike të shumë pjesëtarëve të saj. Lëvizja Kombëtare në Kosovë kishte vazhduar aktivitetet e saj edhe pas burgosjes së anëtarëve të saj, gjatë gjithë viteve 80-ta e 90-ta deri në Luftën e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Shala për Front Online.

Derisa flet për emrin e tij tregon se probleme për regjistrim ka pasur për të gjithë ata që ishin të pagëzuar me emra me përmbajtje kombëtare.

Por, tregon se në fillim të viteve 60-ta nga ajo që i kishte treguar babai i tij kishe filluar të formësohej një brez intelektualësh të cilët po shtronin kërkesa me synim të ngritjes arsimore e kulturore të shqiptarëve, që binin ndesh me politikën diskriminuese të Serbisë-Jugosllavisë.

“Ndër ato kërkesa ishte edhe përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe përdorimi i flamurit. Janë të njohura përpjekjet për unifikimin e gjuhës letrare shqipe, që shqipja të shkruhet njësoj kudo ku përdorej. Këto kërkesa u sublimuan më vonë me rezultate që dihen”, ka deklaruar Shala.

Rrëfimi i Flamur Shalës/ Nëna ime ishte përfolur për guximin që ma la emrin

Ai ka treguar disa nga arsyet se përse në atë kohë fëmijët pagëzoheshin me emra me motive kombëtare.

Shala ka përmendur edhe një rast të nënës së tij për të cilën thotë se njerëzit kanë folur për të se si ishin në rrezik pasi e pagëzuan me emrin Flamur.

“Pagëzimi me emrin Flamur nuk është i zakonshëm te kombet përreth e edhe përtej tyre. Te ne, pagëzimi me emra me motive kombëtare, sikurse edhe pagëzimi me emrat: Vlorë, Sarandë, Shkodran etj., lindi nga nevoja e kompensimit të asaj që të mungon, që të plotësohej një kërkesë më vete, identitare për individin, familjen dhe popullin. Është e njohur një sekuencë që tregonte nëna ime, Hasimja, se si është pëshpëritur për guximin dhe edhe druajtjen se ishte me rrezik për prindërit pagëzimi me emrin Flamur”, ka shtuar Flamur Shala për Front Online.

E, pikërisht sot kur edhe jemi në ditën e flamurit, Shala tregon edhe se çfarë ndjesie i jep kjo festë.

“Festa e Flamurit është në çdo kohë sublimim i kujtesës sonë. Nuk mund të jemi pa kujtesë. Kujtesa mban ekuilibrin e së tashmes e për të ardhmen tonё tё përparuar. Përmes saj jetojmë sot e do tё jetojmë edhe nesёr, me të kaluarën, me ata që i patëm, me historinë, luftёn, lirinё, paqen, përparimin e qytetërimin e brezave qё vijnё”, është shprehur ai.

Hasani: Kush ka vendosur emra me identitet kombëtar është përballur me presione të ndryshme

Për vështirësitë e asaj kohe dhe sfidat që kanë kaluar familjet shqiptare, për Front Online ka folur edhe ish-i burgosuri politik, Nait Hasani.

Hasani thotë se vendosja e emrave që simbolizonin identitetin kombëtar është shikuar me indinjatë nga pushteti.

Derisa, ka treguar edhe problemet me të cilat janë ballafaquar familjet shqiptare në kohën e pushimit.

“Duke vendosur emrat shqip familjarët tonë janë përballur me presione të ndryshme nga pushteti dhe sigurimi i shtetit. Ata janë pyetur direkt e indirekt se përse po i vendosin këta emra dhe nuk po vendosin emra të ndryshëm të besimeve fetare për të cilët thonin se janë më të mirë për t’u shqiptuar. Me emra kanë dashur të prezantojnë pasqyrën e qytetarëve të vendit tonë në ish-Jugosllavi si vend islamik, por edhe duke filluar t’i asimilojnë me emra jugosllav”, ka thënë Hasani për Front Online.

Sipas tij, Kosova në atë kohë ka qenë eksperiment në ish-Jugosllavi e Serbi.

Kurse, thotë se këta të fundit kanë bërë eksperimente me çdo gjë shqiptare deri në atë shkallë sa edhe kanë helmuar nxënësit nëpër shkolla.

Hasani: Vendosja e emrave shqip për fëmijët sot është detyrë kombëtare e çdo shqiptari

Ish-i burgosuri politik Nait Hasani, për Front Online ka treguar edhe me çfarë pasoja janë përballur personat të cilat kanë pasur emra me identitet kombëtar e po ashtu edhe familjet e tyre.

“Mendoj se ka pasur pasoja në shkollim, në edukim dhe shtrëngime në familje nga policia sekrete që mos të vendosin emra shqip. Por, qytetarët kanë pasur guxim dhe kanë vendosur emra shqip pa llogaritur pasojat e tyre. Ka pasur marrje në pyetje nga sigurimi i shtetit duke përdorur si shkak diçka tjetër, derisa qëllimi ka qenë kryekëput tek emrat shqip”, ka deklaruar Hasani.

Ndërsa, thekson se vendosja e emrave shqip për fëmijët sot është detyrë kombëtare e çdo shqiptari.

“Pavarësisht kërcënimeve e dhunës, në Kosovë u tregua një guxim qytetar në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar në çdo formë e mënyrë të mundshme. Vendosja e emrave shqip për fëmijët sot është detyrë kombëtare e çdo shqiptari. Me emra shqip tregojmë shpirtin tonë, gjakun dhe identitetin tonë kombëtar”, ka shtuar Hasani për Front Online.

ASK: Në 10 vjetëshin e fundit në Kosovë janë 104 persona që janë pagëzuar me emrin Flamur

Por, sa është i përhapur emri Flamur në Kosovë.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), për Front Online kanë dhënë statistika vetëm për 10 vjeteshin e fundit.

“Në 10 vjetshin e fundit në Kosovë, numri i personave me emrin Flamur është 104 persona”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.

Kurse, kanë bërë të ditur edhe sa është numri i personave me emrin Vlorë, Valon e Marigona.

“Vlora janë: 52 persona, Valon janë: 79 persona dhe Marigona janë: 139 persona”, kanë thënë nga ASK-ja.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

28 Nëntori i vitit 1912 shënoi një kthesë historike për popullin shqiptar, pasi që nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shqipëria këtë vit shënon përvjetorin e 110 të pavarësisë./Front Online/

 

Prince Espresso miku më i mirë i yjeve të Sunny Hill Festival

Të tjera