×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajrit

    FrontOnline
    28 Dhjetor 2024

    ALARM!! – Duam ajër të pastër’, ‘E ardhmja nuk shihet nga smogu’, ‘Ajri ynë është helm, Qeveria jonë është e shurdhër’ – këto ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e mbajtura nga banorët e Shkupit, që të shtunën, për herë të dytë brenda këtij muaji, dolën në marsh protestues kundër ndotjes së ajrit.

    Si herën e kaluar, edhe tani, protestuesit nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan drejt Kuvendit dhe e përfunduan para ndërtesave të Qytetit të Shkupit.

    Dy javë kanë kaluar që kur kërkesat e para janë dorëzuar pas protestës së parë, por deri tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga institucionet, theksuan udhëheqësit e protestës.

    Përpjekjet e autoriteteve për zgjidhjen e problemit

    Më 23 dhjetor, autoritetet paralajmëruan një masë të re kundër ndotjes, që sipas tyre do të sjellë “një të ardhme të gjelbër në kryeqytet”. Bëhet fjalë për një projekt që do të zbatohet në tri komuna të Shkupit: Aerodrom, Çair dhe Gazi Babë, me 100 automjete elektrike, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë institucionet qeveritare, kompanitë dhe qytetarët përmes një aplikacioni celular, me pagesë.

    Projekti do të nisë, gjatë vitit të ardhshëm, pas përgatitjes së infrastrukturës, duke përfshirë vendet e parkimit dhe mbushësit, për të cilat u tha se do të përdorin energji të gjelbër. Investimi për këtë projekt deri në vitin 2030 pritet të kushtojë rreth 30 milionë euro.

    Kritikat ndaj masave të propozuara

    Ndërkohë, organizatat ekologjike qytetare e kundërshtuan këtë vendim, duke theksuar se është një hap në drejtim të gabuar. Sipas tyre, kjo iniciativë do të sjellë më shumë automjete në qytet, duke e penguar hapësirën tashmë të kufizuar.

    Më 16 dhjetor, organizata qytetare, Iniciativa O2, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, njoftoi një sërë masash konkrete të adresuara për këshilltarët komunal dhe kryetaren e Komunës së Shkupit, Danela Arsovska. Masat përfshijnë: ndalimin e karburanteve ndotëse, instalimin e filtrave për dru, kontrollin e trafikut, ndalimin e përdorimit të mazutit dhe karburanteve të tjera, instalimin e kamerave për monitorimin e djegies së mbetjeve.

    Me këto vendime, u tha nga Iniciativa O2, do të përfshihen të gjithë burimet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe zbatimi i tyre do të çojë në uljen e niveleve të ndotjes brenda kufijve ligjorë të caktuar. Sipas tyre, brenda një periudhe të shkurtër, këto nivele mund të jenë dy herë, ose shumë më të ulëta se ato aktuale, në përputhje me Direktivën e re të BE-së për cilësinë e ajrit.

    Rrjedhimisht, gjatë stinës së dimrit, përveç Shkupit edhe qytete tjera si, Manastiri, Tetova, Gostivari, Kërçova, apo edhe Ohri, kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10.

    Nga aspekti shëndetësor, në fillim të vitit 2024 Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 për qind e vdekshmërisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5.

    Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit Jetësor (EEA) tregojnë se ajri i ndotur është shkaktar i mbi 5000 vdekjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.

    Organizatorët, iniciativa ‘Qyteti i Gjelbër Human’, së bashku me qytetarët protestues, paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup, përfshirë monitorimin e vazhdueshëm publik të objekteve industriale, për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin.

    “Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve, si Klinika e Fëmijëve ‘Kozle’, e cila ende ngrohet me naftë. Kërkesa e tretë është që të zgjidhet autocentrizmi në qytet, me prioritet transportin publik dhe biçikletat para veturave, dhe kërkesa e katërt është menaxhimi më i mirë i mbeturinave”, tha Borjan Jovanovski nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human”.

    Protestuesit, herën e kaluar, më 10 dhjetor, theksuan se shkak për protestën janë rastet e shumta të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend.

    “Çdo i nënti rast vdekjeje te foshnjat në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, njoftoi agjencia e Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti.

    Shkupi ka qenë vazhdimisht ndër qytetet më të ndotura në botë muajt e fundit, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit. Ndërkohë, masa e vetme që zbatohet gjatë periudhës me ndotjen më të lartë të ajrit, është transporti publik falas. /REL

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të shkojë në spital për t’i hequr prostatën të dielën. Kjo pasi ai u diagnostikua me një...
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për hetimin e nisur nga SPAK-u për kryetarin e Tiranës dhe bashkëpartiakun e tij, Erion...
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Forcat izraelite arrestuan më shumë se 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra nga stafi mjekësor dhe drejtorin e një spitali verior të Gazës që...
    Të tjera
    Sport28 Dhjetor 2024
    Ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka thyer heshtjen e tij pas lëndimit që pësoi e i cili do ta lë atë për...
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Forcat izraelite arrestuan më shumë se 240 palestinezë, përfshirë dhjetëra nga stafi mjekësor dhe drejtorin e një spitali verior të Gazës që...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Kandidati i për deputet nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri, thotë se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike dhe temperaturave të...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka kundërshtuar pretendimet se masat e subvencionimit të pajisjeve ngorhëse efiçiente nga dikasteri që ajo udhëheq kanë...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Kryetari i Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq, njoftoi se Prokuroria e Lartë Publike në Nish e ka hedhur poshtë padinë penale të Ministrisë...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sot nisën punimet e edicionit të 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.