Gjatë ditës së djeshme në media është raportuar që javën e ardhme do të ketë një takim në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Por, kjo gjë është mohuar nga Qeveria e Kosovës, shkruan FrontOnline.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për FrontOnline se është e vërtetë që kryeministri Kurti do të ketë një vizitë në Bruksel në javën e ardhshme, por se nuk do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit”, ka thënë Kryeziu për Front Online.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka filluar më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ndryshe gjatë ditëve të fundit letrat e dërguara nga lider botërorë tek liderët e Kosovë kanë theksuar domosdoshmërinë e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi./FrontOnline