×
  • Opinione
  • Opinione

    Pse po shkëlqejnë të rinjtë e Kosovës?

    FrontOnline
    24 Korrik 2021

    Vitet e fundit, shqiptarët kosovarë po shkëlqejnë në sport, në muzikë, në media e kudo. Shumë njerëz, kryesisht në Shqipëri, pyesin si me habi se si është e mundur që një shtet aq i ri të nxjerrë aq talente. Kjo nuk ka lidhje me shtetin. Shteti i Kosovës njimend është shtet i ri por shqiptarët kosovarë nuk janë popull i ri.

    Shqiptarët kosovarë janë bij e bija të fiseve kreshnike të Gegnisë. Janë pasardhësit e një geni vital i cili ka jetuar në malet e Drenicës, Rugovës, Beranës e Konjuhut, Sharit dhe Pazarit të Ri si dhe në malet e Shqipërisë së sotme gjeografike. Në varësi të rrethaneve, luftrave, pushtimeve dhe dyndjeve, ata kanë lëvizur, herë në male thellë, herë në fusha e zabele.

    At Zef Pllumi në librin e tij me titull “Histori kurrë e shkrueme”, tregon për një vajzë nga Mirdita e viteve 1930 e cila, ngaqë nuk kishte pranuar të martohej me pahir, ishte arratisur dhe kishte shkuar në Tiranë. Punonte dhe shërbente si kujdestare në familjen e një doktori a nënpunësi. Familja ishin habitur prej edukatës dhe fisnikërisë së saj. Mesazhi i habisë ishte kështu: si ka mundësi që atje thellë në malet dhe fshatrat e Mirditës të rritej një vajzë kaq e edukuar e sojnike, sikur të ishte vajzë e ndonjë familjeje fisnike konservatore europiane! At Zef Pllumi, mesa mbaj mend, shkruan se shumë familje e fise fisnike e kalorsiake, janë ngjitur dhe janë ndry në male për shkak të pushtimeve, luftrave dhe trazirave. Atje kanë marrë me vete dhe kanë ruajtur genin fisnik, zakonet dhe mënyrat e sjelljes.

    Jo vetëm në atë çka quhet Gegni por edhe në Sul e Zagori, në Gramoz, Çermenikë e në Tomor, ka pasur grupacione familjesh dhe fise të cilat janë ngjitur për tu mbrojtur e për të jetuar sipas mënyrës së tyre, me zakonet e tyre, me genin dhe me vitalitetin e tyre. Përfytyroni, mes lisash, midis lëndinave, buzë lumenjve e shpateve, me borën dhe me stuhinë, jetonin ata të cilët, cilido kronikan dhe udhëtar që i pa e i njohu, shkroi për ta e i përjetësoi, sikur kishte parë në vitet 1800, njerëzit e Perandorisë Romake apo Mbretërisë së Maqedonisë së Lashtë.

    Konferenca e Londrës e vitit 1913, krijoi Shqipërinë shtet në këta kufinj që kemi sot. Me operacion kirurgjikal i preu trupit të Shqipërisë tendinat dhe muskujt kryesorë. Mbetën jashtë Kosova, Janina, Dibra e Madhe, Manastiri. Siç vajton At Gjergj Fishta tek poema Çohi t’Dekun: “Mbaroi Kosova, Janina hupi e ndoshta Tepeleni/ shkoi Manastiri, Dibra e Gjakova/ vendet ma t’mira ne na i mori shkau/ e çka asht ma zi, aj vlla me vlla na ndau”. Siç mund ta lexojmë, në përfytyrimin e kohës, ato që mbetën jashtë Shqipërisë Londineze, ishin vendet më të mira të shqiptarëve. Ishin vendet kyçe, vendet kryesore, vendet vitale. Me mbetjen e tyre jashtë, krahinat e tjera të Shqipërisë së mbetur u varfëruan tmerrsisht. Sepse Shqipëria verilindore nuk kishte Gjakovën, Prizrenin dhe Dibrën, qytetet e veta natyrore. Juglindja nuk kishte më Manastirin. Jugperendimi nuk kishte më Janinën, kryeqendrën e vet. Është si t’i heqësh sot Kamzës Tiranën, Devollit Korçën, Malsisë së Madhe Shkodrën, Shijakut Durrësin. Mbetën shumë keq. Edhe krahinat e mbetura, mbetën keq pa krahinat e tyre natyrale. Ndodhi tmerri, dobësimi, defaktorizimi, prerja e gjymtyrëve.

    Kosova u martirizua veçanërisht. Llogaritet të jenë vrarë e shpërngulur rreth 200 mijë shqiptarë. Kosova martire, qëndroi. I qëndroi genocidit, shtypjes strukturore, qëndroi edhe përballë Traktatit të Lozanës për shkëmbimin e popullsive me qëllim për të shpërngulur sa më shumë shqiptarë kosovarë në Turqi dhe, për ta mbushur Kosovën me kolonë serbë e malazezë.

    Plot 32 vite pas Konferencës së Londrës, ndodhi goditja e dytë. U instalua komunizmi.

    Komunizmi në Kosovë fliste serbisht dhe menjëherë u perceptua si pushtim i ri. Komunizmi në Kosovë istalohej 4 vite pas “Kohës së Shqipnisë”. Koha e Shqipnisë u quajt koha kur Italia e Gjermania pushtuan Shqipërinë dhe realizuan Shqipërinë e Bashkuar. Nacionalistët e qeverive në Tiranë, dërguan në Kosovë mësues shqiptarë për shkollat, dërguan nënpunës dhe xhandarë, shqiptarët kosovarë u bënë ministra e kryeministra e deputetë në Tiranë. Kosova e pa bashkimin kombëtar, jetoi vetëm 3 vite me Tiranën kryeqytet. Dhe ripushtimi i rimobilizoi përsëri për qëndresë.

    Në Shqipëri komunizmi foli shqip. U maskua mirë. Përdori patriotizmin dhe flamurin. Vrau ose izoloi familjet dhe fiset vitale e nacionaliste për të forcuar pushtetin. Pastaj nisi bluarjen e njeriut shqiptar. E zhveshi nga çdo ndjenjë kombëtare. E dhunoi. E poshtëroi. E varfëroi së tepërmi. E demoralizoi. Ia zyrtarizoi veset e pazyrtarizuara. E devitalizoi. Ia gërryeu krenarinë. E uli shqiptarin shumë poshtë, në statusin e mirëfillt të skllavit.

    Ndërsa në Kosovë situata ishte paksa ndryshe. Jugosllavia e ndërtuar mbi Bashkim-Vllazërim, si formulë për të ndejtur bashkë 5 kombe e kufizoi disi shovenizmin serb. Pavarësisht pjesëmarrjes së shumë shqiptarëve kosovarë në Jugosllavi, makineria e bluarjes nuk ishte aq e thellë. U ndoq tradita, oda, feja, zakoni, kënga epike e rapsodike e cila glorifikonte luftrat e shkuara dhe ngazëllente për luftrat e ardhshme dhe për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ata nuk u kënduan arave të grurit dhe aksioneve të partisë.

    Vetëdija e shqiptarëve kosovarë mbeti e lartë. Ata shkuan në vendet europiane por, nuk shkuan për tu arratisur nga Kosova. Shkuan duke e mbajtur mendjen dhe shpirtin në Kosovë. Duke kënduar dhe ëndërruar për çlirimin e saj. Për gjuhën shqipe, për flamurin, për Kosovë pa sundim sllav, për Bashkimin Kombëtar. Kudo ku shkuan organizuan shoqatat patriotike për të mbajtur gjallë shqiptarin.

    Pas shpalljes së Pavarësisë u hodh idea për “Komb Kosovar”. Ide strategjike e agjenturore për ta ndarë Kosovën nga Shqipëria. Ose nëse përdor një varg në Ilir Shaqirit, nga “Trungu i Shqipes”. Mirëpo shqiptarët kosovarë befasuan përsëri. Ata e refuzuan dhe po e hedhin në koshin e mbeturinave ketë ide.

    Shqiptarët kosovarë janë pjesë e Kombit Shqiptar, pjesë e Trungut të Shqipes. Gjuha e tyre është shqip, kënga e tyre shqip, historia e tyre është shqip, vuajtja dhe gëzimi i tyre janë shqip. Shteti i Kosovës nuk është krijuar si mjet për tu ndarë nga Trungu i Shqipes. Përkundrazi, ai shtet është mjeti për të përmbushur qëllimet shekullore. E cilat janë qëllimet shekullore? Nuk janë as kombi kosovar, as diçka e ngjashme. Janë gjuha shqipe, jetesa të lirë si shqiptarë, përparimi si shqiptarë. Po të kishin dëshiruar të ishin diçka tjetër e jo shqiptarë ose ishin asimiluar në Jugosllavi ose ishin asimiluar në vendet e Bashkimit Europian apo në Zvicër. Nuk e kanë bërë, bash pse qëllimi shekullor ka qenë të jetojnë si pjesë e Kombit Shqiptar.

    Kosova prijese e shqiptarizmit

    Nëse deri para 20 vitesh prijëse e Kombit Shqiptar ka qenë Shqipëria, sepse Shqipëria ka pasur institucione, ka pasur më shumë mjete, më shumë financa, sot edhe Kosova është prijëse e Kombit Shqiptar. Kosova është hisedare njëlloj sa Shqipëria. Është e barabartë me Shqipërinë. Dy shtetet janë si dy motorë të një avioni. Që të dy e shtyjnë kombin përpara drejt përparimit.

    Sot rinia e Shqipërisë, brezi i ri, ata të cilët janë të pahelmuar me formulat enveriane “Vëllezërit kinezë e miqt kosovarë”, admirojnë sportistët shqiptarë kosovarë, duartrokasin këngëtarët, këndojnë këngët e tyre, pëlqejnë politikanët dhe personat publikë të Kosovës. Nderojnë dëshmorët dhe adhurojnë herojnt e luftës së fundit çlirimtare. Rinia vitale e Kosovës iu ka dhënë atyre përfaqësim, krenari, emocion e ngazëllim. Kombi Shqiptar ka nisur të funksionojë në natyralitetin e vet.

    Petrol Company thyen rekordet me: çmimet, kualitetin dhe aktivitetet
    Nga Rubrika
    Opinione17 Prill 2024
    Nga Xhezair Zaganjori: Pak ditë më parë, më 9 prill 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut...
    Opinione16 Prill 2024
    Nga Shlomo Ben-Ami: E ndodhur përballë kërcënimit të një fitoreje ruse në Ukrainë, Evropa duhet të vendosë se si të përballet me...
    Opinione16 Prill 2024
    Autori është Konsull Nderi i Maltës në Kosovē: Kosova ka qenë gjithmonë një minierë e njerëzve të mbërrirë. Nëse bota e muzikës...
    Të tjera
    Bota/Rajoni17 Prill 2024
    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se 14 shqiptarë të rinj nga Bunajovci, janë ndaluar në pikën kufitare...
    Sport17 Prill 2024
    Real Madridi ka arritur të kalojë në epërsi ndaj Manchester Cityt. Ishte Rodrygo i cili shënoi në minutën e 12-të të ndeshjes....
    Kronika17 Prill 2024
    Një person është arrestuar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 23-vjeçares ukrainase, Olena Kozii në autostradën “Arbën Xhaferi”, në muajin shkurt....
    Lajme17 Prill 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se dhjetë (10) pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë në mesin e të ndaluarve nga...
    Vip17 Prill 2024
    Ndonëse është munduar të jetë sa më hermetik për jetën e tij private, Liam sot ka “hapur zemrën” dhe ka treguar për...
    Sport17 Prill 2024
    Tashmë sezoni në Superligën e Kosovës në basketboll ka hyrë në fazën më të nxehtë të saj. Trepça, Peja, Ylli janë skuadrat...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.