×
  • Opinione
  • Opinione

    Pse Hashim Thaçi ishte figura e duhur për ta shpallur Pavarësinë e Kosovës?

    Shkodran Ramadani
    18 Shkurt 2025

    Shkruan Shkodran Ramadani:

    Prej vitesh, më ka rastisur të dëgjoj plot njerëz tek thonë se pavarësia do të duhej të ishte shpallur nga Presidenti Sejdiu apo Kryekuvendari Krasniqi, e jo nga Hashim Thaçi. Kjo për shkak se sipas hierarkisë shtetërore dhe Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut, Presidenti dhe Kryekuvendari qëndronin sipërisht mbi Kryeministrin në hierarkinë institucionale.

    “Mirëpo,” thonë ata, “Thaçi e përmbysi këtë hierarki moderne përmes forcës, kërcënimit dhe dinakërisë fisnore. Të drejtën që ligji modern i UNMIK-ut ua dha Sejdiut e Krasniqit, ia mori pushteti mesjetar e primitiv i Thaçit”.

    Edhe në këtë përvjetor të pavarësisë pamë një valë të re të sulmeve vitrolike mbi të vërtetën.

    Për t’i rënë shkurt e shqip, në zemër të këtij këndshikimi të përmbysur qëndron një gënjeshtër e kulluar, ashtu siç ishte sajuar fillimisht nga LDK-ja e pastaj edhe nga Vetëvendosja.

    Sa për fillim, shpallja e pavarësisë nuk është bërë as nga Kuvendi, as nga Presidenca, e as nga Qeveria.

    Kjo për arsyen e thjeshtë se këto institucione kanë qenë të themeluara dhe kanë funksionuar në kuadër të Rezolutës 1244.

    Sipas kësaj rezolute, çdo vendim i këtyre institucioneve, përpara se të hynte në fuqi, duhej dorësëpari të miratohej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i njohur ndryshe edhe si Kryeadministrator i Kosovës.

    Asokohe, ky funksion ushtrohej nga diplomati gjerman, Joachim Rücker.

    Në bazë të Kornizës Kushtetuese, Përfaqësuesi Special në tagrin e vet kishte pushtetin të mbikëqyrë dhe, në rrethana të caktuara, të shfuqizojë vendimet e atyre që njiheshin si Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes.

    Në disa raste, veçmas në meskohën prej 2002 deri më 2005, kur Kuvendi i Kosovës ndërmori nisma për të shtyrë përpara pavarësinë e Kosovës, Përfaqësuesi Special i kishte shpallur si të papajtueshme me Kornizën Kushtetuese nëpërmjet argumentit se ato “dilnin përtej fushëveprimit të kompetencave [të Kuvendit]” (Dosja e Kombeve të Bashkuara nr. 189, 7 shkurt 2003), dhe, rrjedhimthi, edhe jashtë kompetencave të Kuvendit të Kosovës.

    Për ta shmangur këtë kokolepsje, Kosova nuk e shpalli pavarësinë përmes institucioneve, por në një mënyrë fort kreative, e shestuar asisoj që të mos shfuqizohej nga OKB-ja dhe që të kalonte testin juridik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Merret me mend, kjo ishte bërë edhe me rekomandimin dhe këshillat qëllimmira të partnerëve ndërkombëtarë në krye me ShBA-në.

    Kjo shembullzohet më së miri nga disa veçori të tekstit të Deklaratës dhe rrethanat e miratimit të saj.

    Pikësëpari, në tekstin origjinal shqip të Deklaratës (që është teksti i vetëm burimor) nuk përmendet askundvend se shpallja është vepër e Kuvendit të Kosovës. Fjala “Kuvendi i Kosovës” shfaqet në krye të shpalljes vetëm në përkthimet në anglisht dhe frëngjisht, të përfshira në dosjen e dorëzuar në emër të Sekretarit të Përgjithshëm.

    Le të vëmë llupën mbi disa dromca nuancore të tekstit. Siç argumenton GJND-ja, gjuha e përdorur në Deklaratë ndryshon nga ajo që përdorej në vendimet e Kuvendit të Kosovës. Ky dallim vërehet qysh në paragrafin e parë, i cili fillon me frazën “Ne, udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike…”. Në anën tjetër, në vendimet e mëhershme të Kuvendit të Kosovës përdorej veta e tretë njëjës.

    Për më tepër, GJND-ja sqaron se procedura e përdorur në lidhje me shpalljen ndryshonte nga ajo për miratimin e legjislacionit nga Kuvendi i Kosovës. Në veçanti, Deklarata është nënshkruar nga të gjithë të pranishmit në shpallje, duke përfshirë edhe Presidentin e Kosovës, i cili nuk ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Prandaj, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndryshe nga herat e kaluara, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm heshti. Kjo jep dorë të besohet se ai nuk konsideronte se shpallja ishte një vendim i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes i krijuar për të hyrë në fuqi brenda Rezolutës 1244, për të cilën ai ishte përgjegjës.

    Njashtu, Deklarata nuk i është përcjellë fare Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm për publikim në Gazetën Zyrtare, siç ndodhte me vendimet tjera të institucioneve të Kosovës nën UNMIK.

    Duke i përmbledhur së toku këto konsiderata, gjuha e Deklaratës tregon se autorët e shpalljes nuk kanë synuar të veprojnë brenda kornizës standarde të vetëadministrimit të përkohshëm të Kosovës, por kanë synuar krijimin e Kosovës “si shtet i pavarur dhe sovran”.

    Kështu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra, në opinionin e saj më 22 qershor 2010 doli në përfundimin se: “Duke marrë parasysh të gjithë faktorët së bashku, autorët e deklaratës së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk kanë vepruar si një nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes brenda Kornizës Kushtetuese, por më tepër si persona që kanë vepruar së bashku, në cilësinë e tyre si udhëheqës të popullit të Kosovës, jashtë kornizës së administratës së përkohshme”.

    Ajo këtë e precizon, e bardha në të zezë, në Kapitullin e saj të Katërt, Pika B, Paragrafët 104, 105, 106, 107, 108 dhe 109, në faqet 46, 47, 48 dhe 49.

    Nuk është puna se fjalët e Marc Wellerit, këshilltar i Kryeministrit Albin Kurtit, i japin fund këtij diskutimi, por gjithsesi ato mund të përdoren për të shtjelluar atë që veçse dihet:

    “Më thelbësisht, Gjykata pranoi se deklarata e pavarësisë del gjithmonë dhe domosdoshmërisht nga rendi juridik nga i cili kërkon të ndajë subjektin shpallës. Prandaj, vendimi nuk mund të vlerësohet në mënyrë të arsyeshme sipas atij rendi juridik: Gjykata vlerëson se autorët e asaj deklarate nuk kanë vepruar, e as nuk kanë synuar të veprojnë, në cilësinë e një institucioni të krijuar dhe të autorizuar për të vepruar brenda atij rendi juridik, por përkundrazi, vendosën të miratonin një masë, rëndësia dhe efektet e së cilës do të binin jashtë këtij urdhri.”

    Nga kjo mund të kuptojmë se, më 17 shkurt, nuk u përdor as protokolli, as procedura e as formalitetet e Rezolutës 1244. Pavarësinë nuk e shpalli Kuvendi, prandaj nuk ishte nevoja të përdorej Rregullorja e tij që favorizonte Kryekuvendarin.

    Nuk e shpalli as Presidenca, prandaj nuk pati protokoll të saj.

    Nuk e shpalli as Qeveria.

    E bënë thjesht udhëheqësit e popullit, me Hashim Thaçin në krye.

    Kredencialet e Thaçit si Drejtor Politik i UÇK-së, si udhëheqës i Delegacionit kosovar në Rambuje, ashtu sikundër edhe rrethana që ai ishte politikani më i votuar dhe figura më e pushtetshme, ishin mjaftueshëm me peshë edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

    Vetëm Ibrahim Rugova mund të kishte deri diku këtë staturë përballë tij, por tanimë ai veçse kishte vdekur.

    Në anën tjetër, pasardhësi i Rugovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeministrat Kosumi e Çeku nuk e kishin peshën e duhur politike për të qenë kandidatë për një ndërmarrje të tillë.

    Afërmendsh, një ngjarje kaq e rëndësishme nuk mund të mbahej peng i protokolleve të një protektorati ndërkombëtar.

    Është paradoksale, nëse jo dashalige, që mu ata që bënin sikur e fshikullonin UNMIK-un si mision neokolonial, tani ngulmojnë se protokollet, ligjet dhe formalitetet e tij duhej t’i ishin mbivendosur vullnetit politik të popullit të Kosovës për vetëvendosje.

    Kështu, emri i Hashim Thaçit ishte përgjigja e pakontesueshme dhe e merituar rreth pyetjeve se kush duhej ta shpallte pavarësinë e Kosovës.

    Për vite me radhë, kjo ishte temë e pakontestuar, derisa Albin Kurti dhe Vetëvendosja filluan prej havaje ta lëshonin me çikrik pohimin se Thaçi e paska uzurpuar privilegjin për shpalljen e pavarësisë.

    Sigurisht, kjo nuk është vetëm një arritje e tij jetësore, por mbi të gjitha momenti kulmor i aspiratave të Kosovës për Republikë.

    Shpallja e pavarësisë ishte bërë derisa në sfond dëgjoheshin të rrahurat e zemrave të gjyshërve e stërgjyshërve tanë që u flijuan dhe vetëmohuan për këtë ditë, ndërkohë që qytetarët e Kosovës me entuziazëm vërshuan rrugët për të festuar këtë ngjarje që ndodh vetëm një herë në histori.

    E mbyllur në qymezin e vet në lagjen ‘Pejton’, duke e përjetuar si zi, si makth ekzistencial, vetëm Vetëvendosja asokohe nuk pati zemër t’i bashkohej kremtes së madhe. Ajo ishte bërë pikë e vrerë pse shpirti i kohës dhe mendjet e guximshme e çanë rrugën përpara duke mos përfillur keqleximet e mistifikimet që i bënte Kurti e pasuesit e tij.

    Kosova arriti të drejtën e vetëvendosjes kur shpalli pavarësinë dhe Vetëvendosja mbeti pa kauzën që mbante emrin e saj.

    E, pikërisht për shkak të kësaj smire deri në helmatisje të shpirtit, ajo sot përfaqëson kundërprojektin e së vërtetës dhe po përçapet që nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat e së sotmes dhe nesërmes t’i indoktrinojë, t’i mashtrojë e t’i rritë me alternativën e lehtë të profkave, dokrrave e frymës mohuese.

    Mirëpo, zemra e shpirtrave të lirë, integritetit dhe lirisë vazhdon të pulsojë edhe sot dhe nuk ka fuqi në botë që i ndalon regëtimat e saj.

    Prandaj, në fund e vërteta dhe luftëtarët e saj do të fitojnë, kurse luftuesit e saj do të turpërohen.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Mars 2025
    Nga: Piro Ahmetaj  24 marsi 1999 do të mbetet i skalitur në historinë e NATO-s, si “fillimi i fundit të pushtimit barbar...
    Opinione23 Mars 2025
    Demokratizimi i një shoqërie vlerësohet, përveç tjerash, me organizimin, mbajtjen dhe pranimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Rezultati i zgjedhjeve...
    Opinione22 Mars 2025
    Burimi: The Guardian, Simon Tisdall. Rregulli i parë dhe i fundit i doktrinës së luftës së përhershme të Benjamin Netanyahut është brutal...
    Të tjera
    Lajme25 Mars 2025
    Gjykata Themelore në Prizren sot ka ngritur aktakuzë për sulm dhe kanosje ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe...
    Lajme25 Mars 2025
    Luftërat, krizat dhe tendencat autoritare të qeverive po shkaktojnë shqetësim mes zviceranëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët përbëjnë një grup të...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shkarkuar ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç, sipas një vendimi të publikuar këtë të martë në...
    Lajme25 Mars 2025
    “Një formë tjetër manipulimi” – kështu e sheh Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë kosovare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, formimin e “Lëvizjes...
    Lajme25 Mars 2025
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga fshati Fortesë vazhdoi për në fshatin Celinë të Komunës së Rahovecit, ku mori pjesë...
    Lajme25 Mars 2025
    Frika dhe pasiguria kanë pllakosur Vushtrrinë. Rrugët duken më të heshtura se zakonisht, ndërsa banorët flasin me zë të ulët për ngjarjet...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.