[wp-story]

Lajme

Prokurorja Drita Hajdari kundërshton vendimin për mosdëgjimin e provave në rastin “Pronto”

Prokurorja Drita Hajdari kundërshton vendimin për mosdëgjimin e provave në rastin “Pronto”
12:10 | 06 Shtator 2019

Prokurorja Drita Hajdari, e ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues, që provat e Prokurorisë Speciale në rastin “Pronto”, të konsiderohen të lexuara, përfshirë edhe bisedat e përgjuara telefonike ndërmjet protagonistëve.

Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të tjerët, akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka thënë se është për keqardhje një vendim i tillë nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Shashivar Hoti.

“Më mbetet të shprehi keqardhje për vendimin e juaj kjo nuk është shqyrtim i provave dhe ky rast ka specifikat e veta dhe është e papranueshme të procedohet në këtë mënyrë, në situatë ku kemi vetëm prova materiale dhe s’kemi dëshmitarë ky shqyrtim gjyqësor është paraqitur në një formalitet në konstatimin që janë lexuar provat. Provat duhet të shqyrtohen dhe do ta ceki me ankesë më vonë”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ndaj kësaj deklarate të prokurores, ka reaguar gjykatësi Hoti, i cili ka thënë se vendimet e trupit gjykues nuk mund të atakohen në këtë formë.

“Nuk mund te atakohen në këtë formë siç ju e thatë. Nëse keni diçka lidhur me vërejtët urdhëro, por nuk kemi nevojë ku është vendim i trupit gjykues. Kemi vendosur bashkërisht me të gjitha palët, ne nuk kemi vendosur asgjë që e dëmton një palë këtu, sepse trupi gjykues është i obliguar që të gjitha provat t’i shqyrtojë”, ka thënë ai.

Por, prokurorja Hajdari ka thënë se ajo nuk mund të deklarohet për provat që nuk janë shqyrtuar.

Ky reagim i saj ka ardhur pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka konsideruar të lexuara të gjitha provat e propozuara nga prokuroria, në rastin e njohur si “Pronto”.

Një vendim i tillë është marr në seancën e së premtes, nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti.

Si të lexuara janë konsideruar edhe CD-të me përmbajtjen e përgjimeve.

“Pas konsultimit lidhur me kërkesat e palëve, për shkak të racionalizimit të kohës dhe duke pas për bazë faktin se kemi shumë CD për të dëgjuar dhe marrin kohë, dhe se çështja kryesore palët nuk e kontestojnë përmbatjen e tyre, të gjitha provat e propozuara nga prokurroia, duke përfshirë edhe CD të konsiderohen si të lexuara”, ka thënë gjykatësi Hoti.

Ndërsa, ka thënë se për secilën provë veç e veç palët mund të japim vërejtjet e tyre, pasi këtij vendimi.

Fillimisht, prokurorja Drita Hajdari, ka propozuar që disa urdhëresa dhe vendime të konsiderohen të lexuara, ndërsa pjesa e CD-së ku janë përgjimet të lexohen në seancë.

Por, mbrojtja ka kundërshtuar një gjë të tillë, pasi sipas tyre, këto përgjime janë dëgjuar edhe në publik dhe nuk ka nevojë të dëgjohen përsëri, pasi siç kanë thënë ata, nuk ka diçka të re.

Mirëpo, sipas prokurores Hajdari, aktakuza nuk është ngritur vetëm në bazë të asaj që është publikuar në media, por sipas saj, në CD, janë disa biseda që nuk janë dëgjuar kurrë në media, prandaj ka thënë se këto CD duhet të dëgjohen drejtpërdrejtë.

“Graniti” hap showroom-in e dytë në Prishtinë (VIDEO)

Të tjera