[wp-story]

Kronika

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, mbrojtja lirimin e tyre

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, mbrojtja lirimin e tyre
15:37 | 06 Shtator 2019

Me arsyetimin se gjatë gjykimit të zhvilluar është vërtetuar se ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Cakolli, kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, prokuroria i ka propozuar gjykatës që ata shpallen fajtorë.

Por, ndryshe nga prokuroria, mbrojtja e të akuzuarve ka pretenduar se shqyrtimi gjyqësor ka vërtetuar pafajësinë e të akuzuarve dhe për këtë, ata i kanë propozuar gjykatës që Haliti e Cakolli të lirohen nga akuzat që rëndojnë nda tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”

Këto propozime, palët i kanë dhënë në seancën e së premtes të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka përfunduar gjykimi në këtë rast.

Prokuroria pretendon se Haliti, si shef i sektorit të ndërtimit dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Prokurori Rafet Halimi, në fjalën e tij përfundimtare, deklaroi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor me provat e administruara është arritur të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer një vepër të tillë penale.

“Është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, duke marrë parasysh të gjitha këto i propozoj gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, tha prokurori.

Ndërsa, aktakuzën e prokurorisë, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Haliti, avokati Ramiz Krasniqi, e konsideroi si më absurde që ka pranuar gjykata.

Sipas tij, Haliti është akuzuar për mos zbatimin e rrënimit të një objekti, gjatë vitit 2006.

“Është një nga akuzat më absurde sepse kërkohet fajësi për mos zbatimin e një vendimi të vitit 2016, është absurd sepse ky vendim edhe sot nuk është zbatuar, është absurde sepse nga vitit 2016 kanë defiluar shumë shefa në këtë sektor e madje edhe ky i sotmi, por askush nuk është akuzuar. Për një vepër që ka nisë në vitin 2016, kemi një aktakuzë që është ngrit në vitin 2017. Gjykata nuk ka arritur të vërtetoi se fajtor për mos zbatimin e një vendimi është Ismet Haliti”, ishte një pjesë e fjalës përfundimtare të avokatit Krasniqi.

Ai shtoi se klienti i tij, në pozitën e shefit të sektorit ka qenë i obliguar të punojë në bazë të ligjit për ndërtim

Krasniqi tha se kur Ismet Haliti, është emëruar shefi sektorit të ndërtimit, ka qenë i obliguar të punojë sipas ligjit të sektorit për ndërtim, sipas të cilit, nuk e obligon shefin që të del në terren, të kujdeset se kush ndërton pa leje dhe kush e tejkalon lejen, por siç tha ai, të gjitha këto detyra i takojnë inspektorit, tek të cilët është dashur të kërkojë fajësi prokuroria.

Edhe avokatja Ibadete Veliqi, e cila mbron të akuzuarin Skender Cakolli, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet me prova besueshmëria e aktakuzës dhe sipas saj, për këtë arsye, gjykata ndaj klientit të saj, duhet të nxjerrë një aktgjykim me të cilin ai shpallet i pafajshëm.

“Në asnjë rast nuk është vërtetuar teza e akuzës dhe bazueshmeria e saj, kjo nga dëgjimi i  dëshmitareve dhe mbrojtjes së të bashkë akuzuarve e të mbrojturit tim, i cili në mënyrë bindëse e të sinqertë tregon se nuk ka marrë asnjë veprim inkriminues direkt ose indirekt, e as prokuroria nuk ka propozuar asnjë provë bindëse dhe për këtë duhet të merret aktgjykim lirues”, tha avokatja Veliqi.

Ndërsa, pas fjalëve të mbrojtësve të tyre edhe të dy të akuzuarit me arsyetimin se janë të pafajshëm, i propozuan gjykatës që ndaj tyre të shpallet një aktgjykim lirues.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashasnica, pasi këtë proces gjyqësor e konsideroi si të mbyllur, vendosi që shpalljen e aktgjykimit ta bëj më 10 shtator, në ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, nga viti 2008, e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.

Bonus dhe Premium Kartela të cilat po i ofron Petrol Company, kartelat më të kërkuara nga klientët

Të tjera