×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria kërkon dënim ndaj ish-deputetit të LDK-së, i akuzuar për korrupsion

    FrontOnline
    22 Nëntor 2021

    Me dhënien e fjalës përfundimtare nga prokurorja Ajshe Ferati dhe nga ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Murat Hoxha, ka përfunduar gjykimi në rastin ku ky i fundit po akuzohet për mos deklarim të pasurisë.

    Në fjalën e saj përfundimtare prokuroja Ferati deklaroi se mbetët në tërësi pranë aktakuzës së ushtruar ndaj të akuzuarit Hoxha për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 437 të Kodit Penal të Kosovës.

    Ajo tha se i akuzuari Hoxha është kryerës i veprës penale e cila i vihet në barrë dhe se kjo vërtetohet nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

    E njëjta kërkoi nga gjykata që i akuzuari Hoxha të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

    Në anën tjetër i akuzuari Hoxha, fjalën e tij përfundimtare ia ka dorëzuar gjykatës me shkrim të cilën më pas e ka elaboruar.

    Në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari Hoxha, kërkoi nga gjykata që të hedhën poshtë të gjitha pikat e aktakuzës dhe shtoi se ndihet i pastër në tërë veprimtarinë dhe karrierën e tij.

    “Unë besoj se ju do të hedhni poshtë të gjitha pikat e aktakuzës sepse është e drejtë në dorën tuaj dhe është në diskcrecionin tuaj, për mua qoftë edhe një vërejtje nga gjykata është dënim që ta përjetoj rëndë për shkak se ndihem i pastër në tërë veprimtarinë dhe karrierën time. Për mua dhe kjo periudhë 3-4 vjeçare gjatë të cilës isha nën akuzë penale ishte një formë e dënimit, tani ju vlerësoni dhe nxjerrni përfundimet e juaja”, tha i akuzuari Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Hoxha tha se që nga viti 1974 ka punuar në Institucionet Shtetërore të Kosovës në pozita të ndryshme dhe gjatë gjithë kësaj karriere ai tha se asnjëherë nuk kishte qenë në kundërshtim me ligjin.

    Tutje, Hoxha deklaroi se në periudhën 2015-2017, sa kishte qenë deputet në Parlamentin e Kosovës kishte deklaruar pasurinë dhe detyrimet financiare brenda afatit ligjor.

    “E nderuara gjyqtare ngritja e kallëzimit penal ndaj meje sigurisht që më ka thyer moralisht më ka zbeh besimin në institucionet nga ku është ngrit ky kallëzim, por nuk mund të ma thyej dinjitetin tim dhe as të gjejë ndonjë provë jo në periudhën sa isha deputet, por as në periudhën prej 1974 kur kam punu si zyrtar i thjeshtë, drejtor e kryeshef agjencie deri në ditët e sotme. Megjithatë unë tani përgjigjëm për periudhën 2015-2017, sa kam qenë deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në këtë periudhë unë kam deklaruar pasurinë të ardhurat dhe detyrimet financiare brenda afatit të paraqitjes së deklaratës”, tha i akuzuari Hoxha.

    I njëjti shtoi se mos përfshirja e parcelës me sipërfaqe prej 209 m2 ka qenë një lëshim teknik pa ndonjë qëllim.

    Ndërsa, lidhur me çështjen e veturës “Peugeot 407”, i akuzuari Hoxha tha se e kishte konsideruar të deklaruar më 18 tetor 2010, pasi që sipas tij, në atë kohë ishte konsideruar e hyrë e faktuar në letër prej 5 mijë euro për të cilën ai tha se janë paguar të gjitha kontributet ligjore.

    Kurse, lidhur me bashkëpronësinë në shoqërinë aksionare KF “Gjilani”, Hoxha ka thënë se ajo shoqëri sipas tij, nuk ishte regjistruar as me pëlqimin e as me dijeninë e tij deri më tani dhe shtoi se KF “Gjilani”, në vitin 2016, sipas tij, ka funksionuar si organizatë joqeveritare e jo si shoqëri aksionare.

    Paraprakisht, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale dhe i akuzuari Hoxha ka dhënë mbrojtjen e tij.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses Sulltane Hoti, i akuzuari Hoxha ka thënë se në vitin 2016, ka qenë deputet i Parlamentit të Kosovës dhe shtoi se deklarimin e pasurisë për vitin 2016, e kishte bërë brenda afatit të paraparë.

    I akuzuari Hoxha ka thënë se biznesin “Progis” SH.P.K i cili ishte në emër të djalit të tij e kishte deklaruar si pasuri të përbashkët në formularin për deklarim të pasurisë.

    “Në formular nuk ka ndonjë rubrikë që e përcakton formën e deklarimit të biznesit të tjetërkujt që ka lidhje me familje, djalit në ketë rast prandaj unë e kam deklaruar në rubrikën në tabelën para të gatshme në llogarinë rrjedhëse, në depozita dhe në huadhënie ose ne valuta tjera, dhe deklarimin e kam bërë në pikën ku shënon “ProCredit Gjilan”, kam deklaruar në rendin 1, 2 dhe 3 e përbashkët d.m.th. me vet faktin që e kam deklaruar e përbashkët kjo nënkupton që është një biznes i përbashkët familjar. Për këtë i kam dhënë edhe dëshmitë e ATK-së që në atë kohë firma ka qenë pa kurrfarë fitimi në llogari ka qenë zero-zero. Kemi shku në humbje njo 15 mijë euro dhe nuk kom vlerësuar që duhet me dhënë detaje tjera nëse s’ka para të gatshme ku si provë është formulari i ATK-së, bilanci”, deklaroi Hoxha në mbrojtjen e tij.

    Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 24 nëntor 2021.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në gusht të 2018-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Murat Hoxha, në cilësinë e zyrtarit publik-deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po akuzohet për mosdeklarim të plotë të pasurisë.

    Prokuroria pretendon se i pandehuri Hoxha si person që sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare, i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë ashtu që në Formularin për Deklarim të Pasurisë, i cili dorëzohet nga 1 marsi 2017, deri më 31 mars 2017, për vitin paraprak 2016, i njëjti e deklaron pjesërisht pasurinë e tij.

    Aktakuza thotë se i pandehuri në formularin e lartcekur nuk ka shënuar saktë paluajtshmërinë- pronën e paluajtshme me sipërfaqe prej 209 m2, biznesin e “Progis” SH.P.K në emër të djalit të tij Valdrin Hoxha, veturën e djalit të tipit “Peugeot” 407, si dhe bashkëpronësinë në shoqërinë aksionare K.F “Gjilan” SH.A.

    Me këtë, Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhuarave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financianre” nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

    Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

    Banorja e 13-të e BBVK rrëfen ngjarjen e frikshme që i ka ndodhur
    Nga Rubrika
    Lajme20 Korrik 2024
    A po i pastroni fëmijët tuaj më shpesh sesa duhet? Udhëzimet për t’i mbajtur fëmijët tuaj të pastër ndryshojnë shumë pasi rriten...
    Lajme20 Korrik 2024
    Sllavica Radovanoviq, kolonele në pension e Policisë së Serbisë, ka kritikuar publikisht ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, për...
    Lajme20 Korrik 2024
    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka intervistuar një person, i cili dyshohet se e ka ndihmuar Faton Hajrizin...
    Të tjera
    Lajme20 Korrik 2024
    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit, të vrarë nga policia serbe duhet të kthehet...
    Lajme20 Korrik 2024
    Agim Musliu nga instituti “Octopus” ka shkruar për atë që ka ndodhur në Serbi përgjatë këtyre tre ditëve, ku një polic serb...
    Lajme20 Korrik 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar Festivalin Anibar që po mbahet në komunën e Pejës. Kurti qëndroi në Galerinë e Arteve...
    Lajme20 Korrik 2024
    Faton Hajrizi intervistën e fundit televizive e kishte dhënë para 10 muajve. Në të ai kishte rrëfyer se si ishte burgosur, e...
    Lajme20 Korrik 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, ku tha se ishte pikërisht Islanda, vendi që i...
    Lajme20 Korrik 2024
    Disa nga të burgosurit shqiptarë në Greqi, kanë njoftuar se kanë filluar një grevë urie. Ata thonë se këtë po e bëjnë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.