Lajme

Profesori i UP-së: Asociacioni të zëvendësohet me Modelin Kroat për pakicat serbe

Profesori i UP-së: Asociacioni të zëvendësohet me Modelin Kroat për pakicat serbe
14:35 | 14 Tetor 2020

Profesori i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Bedri Bahtiri, thotë se Republika e Kosovës duhet të bazohet në modelin kroat të akomodimit të kërkesave të pakicave, meqë, sipas tij, kërkesa e BE-së për themelimin e Asociacionit e vë në rrezik funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

Bahtiri thotë se Qeveria e Kosovës duhet të përkthejë vendimin e Qeverisë kroate për formimin e Këshillit të Përgjithshëm të Komunave Serbe të Kroacisë, dhe të kërkojnë nga BE-ja sqarime pse në Kroaci është lejuar një zgjidhje e tillë dhe pse në Kosovë kërkohet diçka tjetër.

“Një tentim propozim i imi është për ta përkthyer vendimin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë lidhur me formimin e Këshillit të Përgjithshëm të Komunave Serbe të Kroacisë, pa pasur nevojë as për ndryshime kushtetuese, e që ky përkthim mund të jetë me gabime të vogla gjuhësore dhe të përkthimit nga gjuha kroate, por që ja vlen ta kenë para vetes të gjithë vendimmarrësit dhe të kërkojnë nga këta “miqtë” e nderuar evropian pse paska pasur dhe ka mundësi që në një shtet të BE-së me problemin e ngjashëm me Kosovën të jetë pranuar një zgjidhje e tillë e problemit, e cila është zgjidhje funksionale, e në Kosovë jo!? Këtë model duhet ta përdor edhe Kosova për ta ruajtur unitetin e shtetit duke respektuar në plotëni të drejtat dhe interesat e komunitetit pakicë”, ka shkruar Bahtiri në profilin e tij zyrtar.
Shkrimi i plotë:

Tendencat për eksperiment në Republikën e Kosovës dhe defunksionalizimin e shtetit

Lidhur me kërkesat absurde të dërguarit të BE-së Miroslav Lajčák, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sipas dëshirave dhe kërkesave të njërës palë është i papranueshëm. Gjithë skena politike shqiptare janë unik në këtë pikë dhe duhet të jenë deri në fund.

Pse ka nevojë që Kosova të jetë gjithnjë ajo që i bëhet presion për gjithçka, madje edhe për çështje të rregullimit të brendshëm!? Në këtë pikë, duhet të kemi kujdes si shoqëri dhe institucione për të tërheq paralele dhe për të shikuar në aspektin krahasues rastet se si kanë vepruar me çështjet e njëjta shtetet e tjera si rasti i Kosovës.

Për këtë reagim, mora shkas nga deklaratat e përfaqësuesve të BE-së për dialogun, të cilët dëshirojnë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive substanciale. Me këtë veprim, shteti i Kosovës do zhbëhet nga brenda dhe do bëhet defunksionalizimi dhe paralizimi i shtetit ngjashëm me problemet që sot i ka Republika e Bosnës dhe Hercegovinës. Në rastin e njëjtë që kishte Kroacia me serbët, kishte bisedime dhe marrëveshje ngjashëm me Kosovën, me ndërmjetësimin ndërkombëtarë, por që në fund çështjet e brendshme i kanë rregulluar me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe jo me shtete tjera për çështje të brendshme.

Një tentim propozim i imi është për ta përkthyer vendimin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë lidhur me formimin e Këshillit të Përgjithshëm të Komunave Serbe të Kroacisë, pa pasur nevojë as për ndryshime kushtetuese, e që ky përkthim mund të jetë me gabime të vogla gjuhësore dhe të përkthimit nga gjuha kroate, por që ja vlen ta kenë para vetes të gjithë vendimmarrësit dhe të kërkojnë nga këta “miqtë” e nderuar evropian pse paska pasur dhe ka mundësi që në një shtet të BE-së me problemin e ngjashëm me Kosovën të jetë pranuar një zgjidhje e tillë e problemit, e cila është zgjidhje funksionale, e në Kodovë jo!? Këtë model duhet ta përdor edhe Kosova për ta ruajtur unitetin e shtetit duke respektuar në plotëni të drejtat dhe interesat e komunitetit pakicë.

Unë jam i bindur dhe i vetëdijshëm që këtë e kanë pasur dhe e kanë parasysh të gjithë ata që kanë qenë dhe janë të përfshirë në këtë proces, por vetëm sa për të zgjuar edhe njëherë vëmendjen për këtë temë si më e rëndësishmja nga të gjitha temat dhe marrëveshjet e arritura deri më tani dhe që gjithë energjia duhet të akumulohet këtu dhe jo në çështjet tjera të cilat në krahasim me këtë janë minore.

Uroj dhe shpresoj për unitet në këtë pikë, për respektim të Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe tërheqjen e paraleleve me shtetet funksionale si Kroacia, si dhe refuzimin e plotë të zgjidhjeve të ofruara të ngjashme me Bosnjen dhe Hercegovinën. Nuk është e lehtë të arrihet, por me unitet dhe me ekipe profesionale të gjeneratave të ndryshme, me bisedime në tavolina profesionale ku do të përfshihen edhe disa njerëz eminent të cilët për nga vitet janë të pensionuar, por për nga memoria dhe njohja e kësaj teme dhe problemeve tjera madhore të vendit, janë në moshën më të mirë!

E di se është paksa shkrim i gjatë, por problematika që trajtohet nuk lejon të shkruaj më shkurt. Lexim të këndshëm!

Përmbajtja e Vendimit është me sa vijon:

“Qeveria e Republikës së Kroacisë

Në bazë të nenit 30 paragrafi 2 dhe nenit 31 paragrafi 2 i Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kroacisë (“Gazeta popullore”, numër 101/98), Qeveria e Republikës së Kroacisë në seancën e saj të mbajtur më 15 tetor 1998 ka nxjerrë:

V E N D I M

I.

Qeveria e Republikës së Kroacisë vërteton se përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, të bashkësisë etnike srbe dhe UNTAES-it si dëshmitar, më datën 23 maj 1997, në pajtim me nenin 4 paragrafi 2 të Ligjit kushtetues për të drejtat e njeriut dhe liritë dhe për të drejtat e bashkësive etnike dhe nacionale apo të pakicave në Republikën e Kroacisë (“Gazeta popullore”, nr. 34/92”, sipas të cilës “Bashkësia etnike dhe nacionale apo pakicat kanë të drejtë në vetorganizim dhe bashkim me qëllim të realizimit të interesave të tyre dhe të interesave të tyre në pajtim me Kushtetutën dhe me këtë ligj.”, të dispozitës pika 12 Marrëveshjes Themelore për rajonin e Sllavonisë lindore, të Baranjës dhe të Sremit perëndimor, sipas të cilit ekziston “e drejta e bashkësisë serbe të emroj këshillin e përbashkët të komunave”, dhe të dispozitës së paragrafit 4 të Letrës së Qeverisë së Republikës së Kroacisë sipas të cilës “Anëtarët e bashkësisë etnike serbe nga rajoni që momentalisht është nën Administrimin kalimtar do të emërohet Këshilli i përbashkët i komunave”, kanë themeluar Këshillin e Përbashkët të komunave, me aktin me këtë përmbajtje:

“KËSHILLI I PËRBASHKËT I KOMUNAVE

Organizimi, statusi, përbërja, kompetenca dhe financimi

1.

Këshilli o përbashkët i komunave i Sllavonisë lindore, Baranjës dhe Sremit perëndimor si pjesë të Zhupanisë së Osiekut-Baranjës dhe Vukovarit-Sremit (në tekstin e mëtejmë: Këshilli) – themelohet dhe vepron në pajtim me dispozitën e nenit 4 të Ligjit Kushtetues për të drejtat dhe liritë dhe për të drejtat e bashkësive etnike dhe nacionale në Republikën e Kroacisë

– nenit 11 të Ligjit për administrimin e vetëqeverisjes lokale;

-të Marrëveshjes Themelore për rajonin e Sllavonisë lindore, Baranjës dhe Sremit perendimor (Marrëveshja e Erdutit);

– Letrës së Qeverisë së Republikës së Kroacisë për vazhdimin e reintegrimit të qetë, të rajoneve nën administrimin kalimtar prej janarit 1997;

– Letrës së përfaqësuesit kryesor të KB-a prej 21 janar 1997;

– Komunikatës së Këshillit të Sigurimit prej 8 majit 1997;

– të këtij aktidhe të akteve tjera që i nxjerrë në kufijtë e kompetencës së tij, dhe të marrëveshjeve të arritura me insitutcionet e pushtetit të Republikës së Kroacisë.

2.

Këshill është organ i cili harmonizon interesat e bashkësisë nacionale serbe në Sllavonin lindore, Baranjën dhe Sremin Perëndimor në rajonet e pjesëve të Zhupanisë së Osiekut- Baranjës dhe të Vukovarit-Sremit.

3.

Këshilli e ka statusin e personit juridik dhe themelohet në pajtim me dispozitat e Republikës së Kroacisë.

4.

Selia e Këshillit është në Vukovar në vendbanimin Borovo, Shtëpia e punëtorëve.

5.

Këshilli nxjerrë statutin, rregullat për punën dhe akte tjera në pajtim me dispozitat e theksuara në pikën 1. Këshilli e ka vulën përmbajtja dhe forma e të cilës përcaktohet me statut.

6.

Anëtarët e Këshillit caktohen në mënyrën si vijon:

Nga këshillat e qyteteve në të cilat bashkësia nacionale srbe e ka shumicën, emrohet numri i anëtarëve dhe ate:

-qytetet mbi 30.000 banor- gjashtë anëtar;

– qytetet prej 10.000 – 30.000 banor – katër anëtar;

– qytetet deri në 10.000 banor – tre anëtar.

Nga këshillat komunale përkatësisht qyteteve në të cilat bashkësia nacionale e ka pakicën, emërohet gjysma e numrit të theksuar në paragrafet paraprake.

Nga këshillat e qyteteve në të cilat bashkësia nacionale srbe ka shumicën relative apo nëse për atë ekzistojnë shkaqet e arsyeshme mund të emërohet numri i anëtarëve më i madh se gjysma, ndërsa më i vogël nga më e larta e paraparë.

Këshilli ka kryetarin dhe d nënkryetar.

Të drejtat dhe detyrat e kryetarit dhe të nënkretarëve përcaktohen me Statutin dhe Rregullë e Punës së Këshillit.

NënZhupanët e zhupanisë së Osiekut – Baranjës dhe të Vukovarit-Sremit të emruar nga radha e bashkësive nacionale srbe me propozimin e Këshillit janë nënkryetarët e Këshillit sipas pozitës.

7.

Këshilli ka këto kompetenca:

-propozon kandidatët për pozitat e nënzhupanëve në kuvendin ezhupanisë;

– propozon kandidatët në pozitat e ndihmësve të ministrave në ministritë e punëve të brendshme, gjyqësisë, arsimit, sportit dhe kulturës, dhe për pozitën e lartë në Minsitrinë e Zhvillimit dhe të ripërtrirjes dhe në zyrën për të dëbuar;

– analizon gjendjen në komunat dhe u jep propozime organeve kompetente dhe organizatave të shkallës më të lartë;

-themelon dhe qeverisë, në pajtim me ligjin, veprimtarinë informative dhe botuese të bashkësive nacionale srbe (TV, stacionet e radios dhe të mjeteve tjera informative);

– analizon dhe jep propozime në lidhje me përfaqësimin proporcional të Srbve;

– përcjellë zbatimin e autonomive kulturore dhe arsimore dhe jep propozime për realizimin e tyre dhe përparimin;

– kujdeset për realizimin e drejtave njerëzore, civile dhe etnike të bashkësive nacionale srbe,në polici, gjyqësi, shëndetësi dhe shërbime tjera publike;

– mban kontakte me Presidentin e Republikës së Kroacisë përkatësisht me Zyrën e tij;

– merr pjesë në ndërtimin dhe mbrojtjen e lidhjeve institucionale me bashkësitë e tjera nacionale srbe në Kroaci dhe jashtë;

– bashkëpunon me subjektet e tjera në pajtim me fushëveprimin e tij të punës.

8.

Me qëllim të realizimit të rolit të tij Këshilli mund të themeloj këshilla dhe ate:

1.Financa;

2. Informim, arsim dhe kulturë;

3. ekonomi;

4. urbanizëm dhe ndërtim;

5. të drejta të njeriut për refugjatët;

6. për çështje shëndetësore, sociale dhe çështje të invalidëve;

7. mbrotje dhe përparim të ambientit.

Kryetarët e këshillave nga paragrafi 1 i këtij neni i emron Këshilli me propozim të Komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Kryetari i këshillit mbikëqyr punën e Këshillit.

Bartësit e funksioneve të emëruar në bazë të Letrës së Qeverisë së Republikës së Kroacisë kanë të drejta dhe detyrim të marrin pjesë në punë e atyre organeve punuese dhe të këshillit.

Sipas nevojës Këshilli mund të themeloj trupa punues të përhershme dhe të përkohshme.

Me aktin për themelimin e trupave nga paragrafi paraprak caktohet përbërja e tyre dhe kompetenca.

9.

Këshilli do të financohet nga këto burime:

-dotacione të Qeverisë së Republikës së Kroacisë të përcaktuara me buxhetin vjetor;

– kontributet e qyteteve dhe të komunave;

– të hyrave të tyre;

– donacione.

10.

Këshilli në punën e tij do të organizojë takime me prëfaqësuesit e këshillave të qyteteve dhe të komunave, do të analizojë dhe përjellë punën e trupave/organeve punuese dhe do të shqyrtoj të gjitha problemet nga fushëveprimi i punës së Këshillit me shërbimet kompetente të Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Në Vukovar, 23 maj 1997.”

Përfito FALAS një pushim për çift në Budva

Të tjera