×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Privatizim dhe krim/ Dosja e keqpërdorimeve milionëshe nga vreshtaria në Suharekë (Dokument)

    FrontOnline
    01 Shkurt 2022

    Një auditor i pavarur ka gjetur një mal krimesh financiare, përfshirë këtu futjen në investime kapitale të pajisjeve për prodhimin e qumështit, në një fabrikë që merret me kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës, si dhe pagesën prej mbi 2 milionë euro ndaj një biznesi privat për punët e pakryera

    Enis Veliu & Lavdim Hamidi

    Krime financiare milionëshe janë zbuluar në raportet e auditorëve të pavarur që kanë monitoruar planin e investimeve dhe punësimeve në kompaninë “AgroKosova Holding” SHPK, e cila në vitin 2007 kishte privatizuar Ndërmarrjen Bujqësore Industriale (NBI Suhareka).

    Kjo e fundit ishte privatizuar për 4.17 milionë euro, duke përfshirë edhe zotimet për investime prej 8.6 milionë euro dhe punësimin e 345 punëtorëve nga konzorciumi QMI –Qendra e Mobiljeve Italiabe SH.PK dhe Gruppo Vinicolo Fantinel SPA.

    Për shkak të mospërmbushjes së zotimeve për investime dhe punësim, si dhe gjetjes së shkeljeve të shumta nga pronari i ri, Agjencia Kosovare e Privatizimit   (AKP) dje i ka tërhequr aksionet ndërmarrjes, duke e kthyer në menaxhimin direkt të saj.

    Që nga fillimi i procesit të privatizimit, nga viti 2002 e deri më tani, janë rreth 5 ndërmarrje shoqërore që u janë tërhequr aksionet për dështime të tilla.

     

     

    Pajisjet për prodhimin e qumështit u futën si investime kapitale në fabrikën për prodhimin e verës

    Portali “Front Online” ka arritur ta sigurojë raportin e një auditori të pavarur, Audit AK Prizren, i cili ka audituar periudhën e investimeve dhe punësimeve 7 vjeçare në ndërmarrje, përkatësisht nga viti 2007 deri në 2014.

    Ky auditor ka gjetur një mal krimesh financiare, përfshirë këtu futjen në investime kapitale të pajisjeve për prodhimin e qumështit, në një fabrikë që merret me kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës, si dhe pagesën prej mbi 2 milionë euro ndaj një biznesi privat për punët e pakryera.

    Në raportin e auditimit të kompanisë “Audit AK Prizren”, të cilën e posedon Front Online,thuhet se  mbjelljet e fidanëve në vreshta janë bërë me të punësuarit e “AgroKosova Holding” dhe lavrimi për mbjellje është bërë nga kompania “Shehu” Rahovec. Por të gjitha këto punë kanë qenë të faturuara edhe nga biznesi privat “AgroHazrolli” nga Banja e Malishevës. Ndërsa menaxhmenti i “AgroKosova Holding”  ka preznatuar fatura të investimeve nga “AgroHazrolli” në vlerë prej 2.1 milionë euro.

    Ndërsa kontrata tjetër me furnitorin “Fan Real Estate” SRL –Itali prej 1.35 milionë euro, auditori ka gjetur se rreth 310 mijë euro janë pajisje për industrinë e qumshtit që nuk kanë të bëjnë asgjë me planin investiv, pasi që kompania merret me kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës. Sipas deklarimit të menaxhmentit, investimet në fjalë janë të pranueshme sit ë paguara pasi që janë dërguar nga firma, pronar i së njejtës është aksionar i “AgroKosova” Holding.

     

    Punësimi u realizua vetëm 21.14 %

    Me rastin e privatizimit, pronarët kishin premtuar 8.6 milionë euro investime në ndërmarrje. Sipas raportit të kompanisë “Audit AK” Prizren, investimet e realizuara janë rreth 7 milionë euro, apo 81.93%.

    “Lidhur me pagesën e investimeve, një pjesë e tyre është bërë përmes llogarive bankare, ndërsa pjesa dërmuese është prezantuar si kompensime me pasuri të patundshme, ndërsa kontratat e prezantuara nuk janë të vërtetuara në Gjykatë. Patundshmëritë e transferuara kanë qenë në pronësi të Aziz Tafaj, janë bartur te punëkryesit dhe kreditorët tjerë në emër të shlyerjes së borxheve ndaj kreditorëve të AgroKosova Holding”, thuhet ndër të tjera në raportin që e posedon Front Online.

    Ndërmarrja poashtu është zotuar të punësojë minimum 172 punëtorë edhe ate 6 muaj pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa numri i punëtorëve parashihej të arrinte në 345 një vit pas nënshkrimit të kontratës. Nga periudha 2007-2014 punësimi është realizuar vetëm 21.14%

    Pronari i verarisë nuk paguante tatimin e as kontributet pensionale

    Pagesa e tatimit në të ardhura personale për muajt 09/2009 deri 05/2013 është bërë përmes kompensimit nga teprica kreditore e TVSH-së me rastin e rimbursimit të saj.

    Për muajt korrik, gusht 2014 nuk janë paguar kontributet pensionale e as tatimi në paga, ndërsa për muajt shtator, tetor të njëjtit vit nuk janë deklaruar fare.

    Furnitorit “Gortani SRL”-Itali, sipas auditorit, përmes bankës i janë paguar 300 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 1.5 milionë euro ekzistojnë kontrata për kompensim të cilat mes të partnerëve që nuk janë valide  pasi që nuk janë të vërtetuara në Gjykatë.

    Te kontrata tjetër me furnitorin “Anasi” Prishtinë, sipas raportit të auditorit nga shuma e përgjithshme prej 486 mijë euro e deklaruar si investim nga kompania, 57 mijë euro janë paguar përmes bankës, 60 mijë euro kompensim vetura, pjesa tjetër është kompensim me tokë prej 145.5 ari. Kontrata nuk është vërtetuar në Gjykatë.

     

     

    Mbi 630 mijë euro nga shpronësimi u transferuan në llogarinë personale të njërit nga aksionarët

    Bordi i Drejtorëve të AKP-së dje ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme mori vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).

    “Si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Ende nuk ka vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor”, bëhet e ditur në komunikatën e AKP-së.

    Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova, sipas AKP-së, kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve të zotuar për punësime sipas kontratës.

    Për më tepër Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes, thuhej mes tjerash në kontratën e AKP-së.

    Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve të njëpasnjëshme, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor si dhe në përputhje me Marrëveshjen e Zotimit, Bordi i Drejtorëve  ka aprovuar tërheqjen e aksioneve të Ndërmarrjes së Re “AgroKosova Holding sh.p.k.” Suharekë dhe kthimin e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Veç kësaj, Bordi i Drejtorëve ka marr vendim që të kërkohet nga Blerësi (aksionari QMI sh.p.k. dhe Gruppo Vinicolo Fantinel s.p.a) i Ndërmarrjes së Re Agrokosova që të kthej mjetet e shpronësimit të cilat i janë paguar nga Qeveria e Kosovës për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës.  Në të njëjtën kohë, Bordi i Drejtorëve ka marr vendim që pas tërheqjes së aksioneve të Ndërmarrjes së Re “AgroKosova Holding sh.p.k.” Suharekë, të vendos ndërmarrjen nën Administrim të Drejtpërdrejtë.

    /Front Online/

     

    Vlera Devolli bashkë me liderin e CDU-së në promovimin e Sara Rosner
    Nga Rubrika
    Hulumtime08 Prill 2024
    Mbi 26 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë Kosovës gjatë tri viteve të fundit,...
    Ekonomi03 Prill 2024
    Komuna e Prishtinës e cila drejtohet nga Përparim Rama si dhe ajo e Fushë Kosovës që drejtohet nga Burim Berisha janë në...
    Ekonomi03 Prill 2024
    Për 12 muaj të vitit 2023, Ministria e Ekonomisë, e cila udhëhiqet nga Artane Rizvanolli, ka shpenzuar vetëm 11% të buxhetit të...
    Të tjera
    Sport19 Prill 2024
    Ish-mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka dërguar një mesazh frymëzues për Topçinjtë teksa po hyjnë në ndeshjen e fundit të betejës së...
    Lajme19 Prill 2024
    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor, pasi një ankese nga një qytetar sot në Prizren. Sipas tij,...
    Bota/Rajoni19 Prill 2024
    Një person i vuri zjarrin vetes të premten jashtë gjykatës së Nju Jorkut, ku po zhvillohej gjyqi historik ndaj ish-presidentit Donald Trump,...
    Lajme19 Prill 2024
    Një 17 vjeçar është arrestuar sot në Ferizaj nën dyshimin se ka tentuar ta vras me thikë një 20 vjeçar. I lënduari...
    Lajme19 Prill 2024
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka konfirmuar arrestimin nga policia serbe të shtetasit kosovar dhe asaj britanike, Sadik...
    Sport19 Prill 2024
    Trojet shqiptarë kanë nxjerrë njerëz të suksesshëm dhe të mbërrirë në fusha të ndryshme. Pa diskutim, sportistët ishin ata që i bënë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.