×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia interviston deputetin Haxhi Shala, “kërcënoi me jetë” zyrtarin e Malishevës

    FrontOnline
    10 Gusht 2020

    Deputeti Haxhi Shala të premten është intervistuar nga Policia e Kosovës. Kjo për shkak të dyshimit se Shala ka kërcënuar me jetë drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morinën.

    Deputetit Haxhi Shala duket se i ka dalë punë me drejtorin e Urbanizmit në komunën e Malishevës, Ahmet Morinën.

    Shala po dyshohet se ka kërcënuar me jetë Morinën, për shkak të një vendimi në kuadër të detyrës së tij zyrtare.

    Se është kërcënuar, e ka konfirmuar edhe vetë Morina në një prononcim për Express.

    “Është e vërtetë që kam pasur një kërcënim, kam njoftuar organet e rendit dhe ata po merren me këtë rast. Tani jam në vend të punës”, ka thënë Morina.

    Morina deklaroi se kërcënimi ndaj tij ka ardhur për shkak të një vendimi që është marrë nga ai, rreth pëlqimit për një firmë e cila operon në territorin e Malishevës.

    “Ka pasur një pëlqim nga Drejtoria për një operator që operon në territorin e Malishevës. Pas peticionit  të qytetarëve dhe vendimit nga asambleja komunale, jam detyruar ta zbatoj vendimin e Kuvendit komunal dhe pëlqimin nga drejtori paraprak, e kam anuluar në bazë të vendimit të Kuvendit. Ky vendim ka pasur të bëjë me pezullimin e veprimtarive të gurëthyesëve. Kemi kërkuar tërheqjen e pëlqimit të lëshuar nga drejtoria jonë, me vendim të Kuvendit komunal dhe peticionit të qytetarëve. Direkt për këtë pjesë jam kërcënuar”, ka deklaruar Morina.

    Ndërkohë, Express mëson se policia ka bërë vlerësimin e rrezikut për viktimën, dhe bazuar në këtë vlerësim, Morinës po i ofrohet mbrojtje nga policia, gjë të cilën e ka pranuar edhe vetë drejtori.

    I pyetur  lidhur me rastin, Shala e ka mohuar, duke e quajtur shpifje.

    Megjithatë, ai e ka konfirmuar se është intervistuar nga Policia e Kosovës.

    “Shpifjet nuk i komentoj, s’është e vërtetë kjo. Në Parlament kam qenë kur më kanë thirrë, kam shku, jam intervistu, janë shpifje, drejtësia do ta hetojë, është shpifje qind për qind”, ka thënë Shala.

    Megjithatë, drejtori i Urbanizmit ka deklaruar në polici se Shala e ka kërcënuar me jetë.

    Krejt këtë, për Express e ka konfirmuar Policia e Gjakovës.

    Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, tha se rasti ka ndodhur pasditen e së premtes.

    “Më datë 07.08.2020 në orët e pasdites Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar për një rast kanosje. Viktima është ftuar për intervistim dhe pas marrjes së deklaratës, për shkak të ndjeshmërisë rasti është transferuar në Sektorin e Hetimeve Rajonale në Gjakovë. Sipas viktimës, i njëjti është kërcënuar me jetë për shkak të një vendimi në kuadër të detyrës së tij zyrtare. Një i dyshuar dhe dëshmitarët janë ftuar për intervistim dhe me urdhër të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Graishta për Express.

    Graishta bëri të ditur se policia është duke hetuar për të parë nëse ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.

    “Hetimet dhe veprimet policore për identifikim edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, po vazhdojnë ende, ndërkohë që policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në fazën fillestare të hetimit”, deklaroi Graishta.

    Nga Rubrika
    Lajme08 Dhjetor 2024
    Zhvillimet në Siri aktualisht duken të favorshme për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili tashmë ka formuluar strategjinë e tij dhe...
    Lajme08 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një mbledhjeje të partisë së tij, Vetëvendosje, ka përdorur një gjuhë të ashpër kundër mediave, duke...
    Lajme08 Dhjetor 2024
    Takimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Francë, nuk kanë të ndalur. Së fundmi, ajo ka bërë të ditur se ka...
    Të tjera
    Lajme08 Dhjetor 2024
    Takimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Francë, nuk kanë të ndalur. Së fundmi, ajo ka bërë të ditur se ka...
    Bota/Rajoni08 Dhjetor 2024
    Presidenti i rrëzuar sirian Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Moskë, raportojnë agjencitë shtetërore ruse të medias, duke cituar...
    Vip08 Dhjetor 2024
    Driloni nisi një diskutim me Gresën për Sarën. E kjo fundit reagoi ashpër ndaj, duke nisur një debat të gjatë. Driloni nuk...
    Bota/Rajoni08 Dhjetor 2024
    Presidenti amerikan, Joe Biden tha se rënia e regjimit të Assadit është një akt drejtësie që po u jep sirianëve një mundësi...
    Vip08 Dhjetor 2024
    Në një debat mes banorësh, Xuxi ka shprehur një vlerësim të tij drejt Gresës. Ai papritur e ka quajtur Gresën ‘’e pabesë’’...
    Vip08 Dhjetor 2024
    Driloni ka bërë një paralajmërim gjatë një diskutimi me Anisën dhe Kevinin. Ai u tha atyre se po pret derisa të përfundojë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.