Lajme

Policia e “zbathur”/ S`ka uniforma e as çizme për pjesëtarët e saj

Policia e “zbathur”/ S`ka uniforma e as çizme për pjesëtarët e saj
19:02 | 04 Janar 2023

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë mbetur pa uniforma e çizme të reja tash e gati dy vjet, raporton Front Online.

Furnizimi me këto veshmbathje elementare për punën e tyre s`po bëhet shkaku i dështimit të tenderëve.

Autoriteti ligjvënës kishte nisur procedurat tenderuese për të pajisur zyrtarët policorë me rroba të reja me shtatë shtator të 2021-tës. Ani se prisnin ofertat, në adresë të tyre, më para mbërritën ankesat e kompanive që donin t`ia mësynin tenderit, për të cilin ishin planifikuar mbi 11 milionë euro. Ato shprehën pakënaqësi për kriteret e vendosura në Dosjen e Tenderit. Kësisoj, aktiviteti prokurues u pezullua disa herë radhazi.

Seria nisë më 15 tetor 2021, për të vazhduar edhe në muajt pasardhës, kur tenderi anulohej si pasojë e një tube ankesash të operatorëve ekonomikë.

Dy nga kompanitë zgjodhën të trokasin edhe në dyert e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kompania “Tekno Ing” iu drejtua këtij institucioni në fund të 2021-ës me kërkesën që i njëjti të merr vendim për ndryshimin e katër specifikave në Dosjen e Tenderit.

“1/ Të largohen mostrat për dy gjinitë për uniformat e punës dhe solemne. 2/ Të largohen mostrat për uniformat ceremoniale. 3/ Të lejohen mostrat mostrat me ngjyrë tjetër dhe me pulla me mbishkrime dhe logo tjera. 4/Të ulet kriteri financiar që dëshmon qarkullimin finincar të kompanisë në tre vjet e fundit”, thuhej në ankesën e kompanisë.

Tri të parat i vlerësoi si të drejta eksperti shqyrtues i prokurimit, kurse atë për kriterin ekonomik jo. Andaj edhe i rekomandoi në dhjetor të 2021-ës Panelit Shqyrtues që ankesa e “Tekno Ing” të aprovohet si pjesërisht e bazuar, njëherit të modifikohet dosja e tenderit dhe të zgjatet afati për dorëzim të ofertave.

Atë kohë OSHP nuk kishte bord, andaj kjo lëndë mbeti pa u kompletuar.

Ankesat u bënë shkaktare që saga e dështimeve të përsëritet edhe gjatë vitit 2022.

Tash meqë “Gjykata e Tenderëve” ka Bord, një kompani tjetër PrimeSpot ka bërë ankesë tek ky organ në fundnëntorin e vitit 2022 lidhur me furnizimin me uniforma policore.

Akuzat e saj për pesë shkelje ligjore në Dosjen e Tenderit i ka vlerësuar si të pabaza eksperti shqyrtues i Prokurimit, i cili i ka rekomanduar Panelit Shqyrtues që t`ia lejojë Policisë vazhdimin e aktivitetit të prokurimit.

Paneli shqyrtues akoma nuk ka marrë vendim.

Deri tek epilogu, Policia nuk mund të bëjë asnjë hap për zbatimin e aktivitetit të prokurimit.

Pa çizme drejt dimrit të dytë

Jo vetëm pa uniforma të reja, policët edhe ky dimër me gjasë do t`i gjejë pa çizme të reja.

Tenderi që peshon mbi gjysmë milion euro nuk po arrin të finalizohet që nga 15 qershori i vitit 2021.

Për të kanë aplikuar tri kompani, “Solid”, “Fitim Bilalli” dhe grupi i operatorëve “Genc Taahut dhe Runway”.

Megjithatë asnjëra nga to, sipas një njoftimi të Policisë të 25 nëntorit 2022, nuk po i përmbush kriteret kryesisht të natyrës teknike, si pesha e çizmeve dhe problemet me qarkullim bankar.

Me vlerësimet e saj s`po pajtohen kompanitë garuese, të cilat kanë deponuar ankesa në OSHP.

Ankesat e tyre, të bëra më 19 dhjetor 2022, akoma nuk kanë kaluar as në filtrin e ekspertit shqyrtues të Prokurimit.

Me të dhënë opinionin ai, pastaj pritet të vendosë paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Procedura mund të marrë kohë, gjë që nënkupton se policët kosovarë mund të dalin në pranverë pa çizme të reja.

Policia mbyll “gojën”, edhe për mungesën e municionit

Lidhur me dështimet e këtyre tenderëve, Front Online i ka dërguar pyetje Policisë.

Një përgjigje nga ta mungoi gjatë së martës rreth kohës së finalizimit të tenderëve.

Heshtjen e zgjodhën edhe kur u pyeten për furnizimin e fundit me veshmbathje të policëve.

Një burim brenda Policisë i ka thënë Front Online se kjo nuk ka ndodhur që gati dy vjet.

“Sa i përket çizmeve ia kanë dhënë vetëm disa policëve, pra çizme që kanë mbetur në stok si rezervë. Mirëpo, jo të gjithëve”.

Ky burim po ashtu i ka thënë Front Online se institucioni ligjvënës po përballet me mungesë municioni.

Nga Policia as s`e kanë pohuar e as mohuar.

Heronjtë e “zbathur”

Kushtet e Policisë së Kosovës u bënë temë diskutimi së fundmi.

Kjo për shkak se  pjesëtarë të saj mbetën të bllokuar për gati dy javë në dy lokacione në veri të Mitrovicës nga vendosja e barrikadave atje.

Me ushqim të konservuar e pa mundësi për t’u pastruar e ndërruar rrobat këta policë qëndruan si heronj. U zëvendësuan tek pas asistimit të Eulexit.

Policia e Kosovës aktualisht është policia e vetme në rajon pa asnjë lloj sigurimi.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, janë 21 policë të vrarë gjatë detyrës zyrtare dhe mbi 400 policë të lënduar.

Edoni i shokuar teksa Lugati i tregon diçka për Artanin

Të tjera