Dy vëllezërit Gëzim dhe Faik Gashi të dyshuar në plantacionin milionësh të drogës në Pejë, janë arrestuar sot pas disa jave në kërkim.
Arrestimi i tyre është bërë sot me ndihmën e njësive relevante të Policisë së Kosovës. Prokurori Ersan Qavolli në momentin e arrestimit ka lëshuar vendim për mbajtjen e tyre për 48 orë nën dyshimin për përfshirje në krimin për mbjelljen dhe kultivimin e drogës. Derisa një prokuror tjetër e ka mar rastin për të cilin ata po dyshohen se e kanë kërcënuar prokurorin Qavolli.
Prokurori Ersan Qavolli ka konfirmuar lëshimin e vendimit për mbajtjen e tyre për 48 orë dhe ka thënë që për ta ka mjaftueshëm prova që janë të përfshirë në rast dhe ka inicuar hetime shtesë sa i përket pasurisë së tyre.
“Prokuroria ka prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në rastin e plantacionit të drogës. Në vazhdimësi janë angazhuar edhe njësite tjera relevante për identifikimin e pasurisë së tyre”, ka thënë Qavolli.
“Njësiti për hetimin e trafikimit me narkotik në Pejë në bashkëpunim me njësitë tjera policore FIT, Fast Kosova dhe AKI , ishin të angazhuar intensivisht për kapjen e tyre“, ka thënë Ersan Qavolli për Insajderin.