Lajme

Përurohet në 110-vjetroin e Pavarësisë shtatorja e Anton Çettës, pas katër vjetësh e mbyllur në atelie

Përurohet në 110-vjetroin e Pavarësisë shtatorja e Anton Çettës, pas katër vjetësh e mbyllur në atelie
12:07 | 28 Nëntor 2022

Shtatorja e prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Anton Çetta është përuruar hapësirën e Universitetit të Prishtinës, pas katër vjetësh pritjeje në atelienë e skulptorit Agon Qosa, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Anton Çetta ishte i veçantë dhe kishte bërë punë të
palodhshme.

Ai shtoi se Çetta themeloi dhe udhëhoqi Komunitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi traditën shekullore të vëlla vrasjes duke pajtuar rreth 1800 gjaqe rreth 30 mijë ngatërrime.

“Profesor Anton Çetta vërtet i veçantë ishte, të gjithë ja njohim punën e palodhshme dhe të jashtëzakonshme që e kreu në punën e pa lodhshme që e kreu me punën e prozës popullore. Profesor Çetta themeloi dhe udhëhoqi komunitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi traditën shekullore të vëlla vrasjes duke pajtuar rreth 1800 gjaqe rreth 30 mijë ngatërrime”,

“Ishte fillimi i viteve të 90-ta, zullumet e pushtimet të atëhershme po u trashnin. Për baraspeshë po
punonte edhe trashëgimia e lashtë zakonore. Jemi njerëz me shumë fat, që Kosova jonë lindi një njeri kaq të madh. Kjo shtatore që po përurojmë është vepër e skulptorit Agon Qosa”.

Profesori Jahja Dranqolli, tha se kjo shtatore u ngrit në bindje të fortë njerëzore që vepra e profesor Çettës bartë vlera që nderojnë çdo shqiptarë kudo që është.

“Kjo shtatore nuk është ngritur me kriteret partiak apo politike, por ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindje të fortë njerëzore që vepra e profesor Çettës bartë vlera që nderojnë çdo shqiptarë kudo që është.  Profesor Çetta nxori disa breza studiuesish dhe  profesorësh të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitin 1990 në tubimin të Verat e Llukës për herë të parë në historinë e shqiptarëve u mblodhën në një vend mbi 500 mijë njerëz, kjo ngjarje mund të inkuadrohet në radhën e kuvendeve të historisë tonë siç ishte ai Kuvendi i Lezhës dhe ai i Prizrenit”, tha ai.

Profesori Riza Krasniqi, tha se virtyti kryesor i profesorit Anton Çetta ishte ndershmëria, raporton EO.

“Gjaqet u falën për çështjen kombëtare, sepse pas çdo falje e pajtimi ne ishim të fort dhe liria ishte një hap më afër. Kur flasim për profesorin virtyti i tij i parë ishte ndershmëria e tij. Edhe e udhëhoqi lëvizjen ndershëm. Dihet se kur lideri është i ndershëm edhe populli është i ndershëm”, tha ai.

Më 10 nëntor 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin për vendosjen e shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare në parkun para Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Ministrja e atëhershme e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se me këtë shtatore do jepnin kontributin për historinë e re të Kosovës.

Ndërkaq, Ipeshkvia e Kosovës, në janarin e vitit të kaluar, kishte marrë vendim që ta vendoste një tjetër shtatore të Çettës para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë.

Por, familja e veprimtarit kishte refuzuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se për të vlerësuar figurën e Çettës, statuja duhet të vendosej në ndonjë hapësirë publike, pasi veprimtaria e tij, sipas familjes, kishte një kuptim më të lartë sesa fetar e partiak.

E financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, shtatorja ka kushtuar 60 mijë e 800 euro.

Paraprakisht me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte shpallur muajin nëntor si “Muaji i Anton Çettës”, duke miratuar edhe programin e aktiviteteve përkujtimore.

 

Veprimtaria e Anton Çettës:

Anton Çetta, (3 janar 1920 – 4 nëntor 1995) ishte një folklorist shqiptar, akademik dhe profesor universitar. Ai lindi në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Ai diplomoi për gjuhë dhe kulturë romane në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Beogradit. Për një periudhë kohore punoi si asistent profesor në departamentin e Albanologjisë në Beograd. Nga viti 1960 deri në vitin 1968 ligjëroi lëndët: Letërsi e Vjetër Shqipe, Histori e Letërsisë dhe Gjuhën Latine në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 1968 ishte shef i Departamentit të Folklorit në Institutin e Studimeve Shqiptare në Prishtinë. Që nga viti 1959, Çeta grumbullonte materiale folklorike nga të gjitha trevat e Kosovës. Nga viti 1953 deri në vitin 1987 botoi 16 libra me folklor të mbledhur nga të gjitha trevat e Kosovës (përralla, mite, balada, legjenda, këngë etj.).

Në vitin 1990 ai ishte themeluesi i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë.

Ai ishte gjithashtu kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza”, e cila ofronte kujdes mjekësor për njerëzit në Kosovë, detyrë të cilën e mori pas vdekjes së tij Dom Lush Gjergji, bashkëpunëtor i tij shumëvjeçar në fushatën kundër gjakmarrjes.

Çetta vdiq në Prishtinë në vitin 1995.

Më 30 prill 2010 është nderuar me çmimin “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”, nga presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu.

Edoni i shokuar teksa Lugati i tregon diçka për Artanin

Të tjera