Opinione

Përse Amerika dështoi në Afganistan?

Përse Amerika dështoi në Afganistan?
16:31 | 31 Gusht 2021

Pushtimi taleban i Afganistanit ngre nevojën e menjëhershme të evakuimit të dhjetëra mijëra amerikanëve dhe aleatëve që janë bllokuar në të gjithë vendin. Shpëtimi i tyre duhet të jetë prioriteti ynë urgjent. Shqetësimi ynë themelor, megjithatë, duhet të jetë një pyetje: se si Amerika e gjeti veten të detyruar të tërhiqet ne një vendim që u mor pa paralajmërim apo konsultim me aleatët dhe njerëzit që ishin të përfshirë në 20 vjet sakrifice në Afganistan? Dhe: përse “zgjidhja” në Afganistan është paraqitur si një zgjidhje mes pushtimit apo tërheqjes totale nga vendi?

Një fenomen thelbësor ka cenuar përpjekjet tona për të shtypur rebelimet nga Vietnami në Irak për më shumë se një brez. Kur Amerika rrezikon jetën e ushtarëve të vet, vë prestigjin e saj përfshirë edhe të vendeve tjera, se duhet ta bëjë këtë në bazë të një kombinimi objektivash strategjike dhe politike. Strategjikisht: për t’i bërë të qarta kushtet në të cilat luftohet dhe politikisht; në përcaktimin e kornizës qeverisëse për të garantuar rezultatin e ndërhyrjes – si brenda vendit ashtu dhe në nivel ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara e kanë ndarë veten në përpjekjet e saj për të luftuar ndaj rebelimeve, për shkak të paaftësisë për të përcaktuar objektivat e arritshëm dhe t’i lidhë ato në mënyrë harmonike me procesin e brendshëm politik në Amerikë. Objektivat ushtarakë janë bërë absolutë dhe të paarritshëm, ndërkohë që objektivat politikë janë abstraktë dhe të ndryshueshëm. Dështimi për t’i lidhur këto dy komponente me njëri-tjetrin, ka bërë që Amerika të përfshihet në konflikte pa një pikë fundore, pa një përmbyllje, dhe kjo ka shkaktuar ndarje brenda vendit mes njëri-tjetrit, si dhe ka nxitur një lumë debatesh.

Ne hymë në Afganistan me mbështetje të madhe të publikut për t’u përgjigjur ndaj sulmit të al-Qaedas në tokën amerikane që u orkestrua nga Afganistani i kontrolluar prej talebanëve. Fushata fillestare ushtarake u realizua me shumë sukses. Talebanët arritën të mbijetonin vetëm në disa zona në Pakistan, prej nga organizuan rebelimet dhe rezistenca edhe me ndihmën e autoriteteve pakistaneze.

Por, teksa talebanët po largoheshin nga vendi ne e humbëm fokusin strategjik. U bindëm se qëllimi ynë për ndalimin e instalimit të bazave terroriste mund të arrihej vetëm duke transformuar Afganistanin në një shtet modern me institucione demokratike dhe një qeveri që sundon me mandat kushtetues. Kjo sipërmarrje nuk kishte afat kohor që të mund të përputhej me proceset politike në Amerikë. Në vitin 2010 në një kolumne që shkrova si reagim ndaj shtimit të prezencës së trupave atje, paralajmërova se zgjatja e atij procesi të ndërhyrjes të gjatë do t’i kthente edhe afganët joxhihadistë kundër nesh.

Afganistani nuk ka qenë kurrë një shtet modern. Statusi i shtetit presupozon një ndjesi detyrimi të përbashkët dhe centralizim të autoritetit. Tokës afgane, e pasur në shumë elemente, i mungon ky aspekt. Të ndërtosh një shtet demokratik modern në Afganistan ku vendimet e qeverisë zbatohen në mënyrë uniforme në të gjithë vendin, do të thotë të qëndrosh atje për shumë vjet, madje dekada, pasi diçka e tillë shkon kundër esencës gjeografike dhe etno-religjioze të vendit. Ishte pikërisht fragmentimi i Afganistanit dhe mungesa e një autoriteti qendror që e bëri këtë vend atraktiv për terroristët.

Ndonëse një entitet afgan i mëvetshëm mund të gjendet që prej shekullit XVIII, popujt e tij përbërës e kanë rezistuar gjithmonë centralizimin. Konsolidimi ushtarak dhe veçanërisht politik i Afganistanit ka ndodhur në baza etnike dhe klanore, në një strukturë feudale ku forcat kryesore ndërmjetësuese janë organizuesit e mbrojtjes ushtarake të klaneve. Ashtu siç ndodh zakonisht në konflikte të tejzgjatura në kohë, shefat ushtarakë klanorë bashkoheshin në një koalicion të gjerë kur një forcë e jashtme – ashtu si ushtria britanike në vitin 1839 dhe ajo sovjetike në 1979 – ka tendencën të pushtojë vendin dhe të imponojë centralizim dhe koherencë në qeverisje.

Edhe tërheqja kaotike e britanikëve nga Kabuli në vitin 1842, nga e cila një evropian i vetëm arriti të shpëtojë i gjallë nga vdekja ose robëria, apo edhe tërheqja e madhe e sovjetikëve në vitin 1989 nga Afganistani, të gjitha ndodhën për shkak të mobilizimit të përkohshëm të klaneve. Argumenti bashkëkohor se përse populli afgan nuk është i gatshëm për të luftuar me bashkëkombës nuk është i mbështetur nga historia. Ata kanë luftuar me përkushtim për klanet dhe autonominë e tyre tribale.

Me kalimin e kohës, lufta mori formën e fushatave të mëparshme të neutralizimit të rreziqeve terroriste, ku besimi i popullsisë vendase binte progresivisht me kalimin e kohës dhe qëndrimin mëtejshëm të amerikanëve në vendin e tyre. Shkatërrimi i bazave talebane u arrit. Por, të ndërtosh një shtet në një vend të përçarë nga lufta kërkon forca të mëdha ushtarake. Talebanët mund të izolohen, por jo të eliminohen. Dhe promovimi i formave jo familjare të qeverisjese një qeverisjes dobësoi politikën dhe shtoi korrupsionin galopant.

Afganistani përsëriti sjelljet e mëparshme të përplasjeve të brendshme. Kur në anën e luftimit të terrorizmit shënohej progres, në anën e progresit politik kishim katastrofë. Njëri objektiv duket se paralizonte tjetrin përgjatë administratave të njëpasnjëshme nga të dyja partitë. Një shembull është vendimi i vitit 2009 për të shtuar prezencën e trupave amerikane në Afganistan, së bashku me njoftimin se amerikanët do të tërhiqeshin brenda 18 muajve.

Ajo që ishte neglizhuar ishte mundësia e kombinimit të objektivave që mund të arriheshin. Rebelimi terrorist mund të ishte reduktuar me izolimin dhe jo zhdukjen e plotë të talebanëve, ndërkohë progresi politiko-diplomatik mund të ishte bërë duke marrë parasysh aspektet e veçanta të realitetit afgan: faktit që fqinjët e tij, qoftë edhe shtete armike me njëri-tjetrin apo me ne disa herë, kishin frikë nga potenciali terrorist i afganëve.

A do të ishte e mundur të koordinonim disa përpjekje anti-terroriste me ta? Patjetër që India, Kina, Rusia dhe Pakistani kanë interesa të ndryshme. Një diplomaci kreative mund të kishte krijuar një paketë masash që do të lejonte tejkalimin e kërcënimit terrorist në Afganistan. Kjo strategji ishte mënyra sesi Britania mbrojti pushtimet e saj në Lindjen e Mesme nga ekspansioni indian për një shekull. Pa pasur trupa apo baza në vend, por thjesht duke mbajtur aleatë në rajon që ruanin balancën e fuqive.

Por, kjo alternativë nuk u eksplorua kurrë. Përderisa kishte bërë fushatë kundër luftës, presidentët Donald Trump dhe Joe Biden bënë negociata paqeje me talebanët, shkatërrimin e të cilëve ne dhe aleatët tanë ishim zotuar të arrinim, 20 vite më parë. Këto negociata kanë kulmuar me tërheqjen pa kushte të Amerikës nga administrata Biden.

Të përshkruash evolucionin e situatës deri në arritjen e kësaj pike, nuk eliminon faktin sesa mizore dhe mbi të gjitha e papritur ishte vendimi për t’u tërhequr. Amerika nuk mund t’i shpëtojë faktit që është një komponent primar i rendit ndërkombëtar për shkak të kapaciteteve dhe vlerave të saj historike. Nuk mund të shmangë këtë përgjegjësi duke u tërhequr. Si të luftohet, të limitohet dhe të tejkalohet terrorizmi, i mbështetur nga shtete që kanë një ide gjithnjë dhe më të madhe për veten dhe që kanë në dispozicion teknologji përherë dhe më të avancuar, mbetet një sfidë globale. Duhet rezistuar që interesat tona strategjike së bashku me strukturat ndërkombëtare që kemi krijuar të zhbëhen nga diplomaci proporcionale me peshën e asaj që ishte më parë.

Duhet të kuptojmë se asnjë lëvizje dramatike strategjike nuk ekziston për të ardhmen e afërt për t’i dhënë fund konflikteve të krijuara, qoftë edhe me zotime formale përkundrejt shteteve të rajonit. Nxitimi amerikan, nxit zhgënjim mes aleatëve, inkurajon kundërshtarët tanë dhe shkakton konfuzion tek vëzhguesit.

Administrata Biden ndodhet ende në hapat e saj të parë. Duhet të ketë mundësinë që të zhvillojë dhe implementojë një strategji afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse që përshtatet me detyrimet tona të brendshme dhe ndërkombëtare. Demokracitë evoluojnë në një konflikt mes grupimeve. Demokracitë arrijnë madhështi nëpërmjet pajtimeve. /Burimi: The Economist/Përshtatur në shqip nga: tiranapost.al/

Përfito FALAS një pushim për çift në Budva

Të tjera