Sot në mbarë botën shënohet dita ndërkombëtare e gruas.
Në disa shtete kjo festë njihet si festë kombëtare, derisa në disa të tjera gratë protestojnë duke kërkuar të drejtat e tyre, shkruan Front Online.
Një protestë e tillë me moton “Marshojmë s’festojmë”, është organizuar edhe sot në Prishtinë.
Në këtë protestë gratë kanë kërkuar përfshirjen e tyre në trashëgimi pronësore.
Derisa, gratë në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, dhuna ndaj tyre vazhdon të jetë prezente.
Sipas raporteve të publikuara në raport me burrat numri i grave që vazhdojnë të jenë viktima të dhunës gjithmonë është më i lartë.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Front Online ka treguar numrin e rasteve të dhunës në familje për vitin 2022 ku në këto statistika janë përfshirë jo vetëm gratë por edhe burrat.
“Gjatë vitit 2022, policia ka iniciuar 2764 raste të dhunës në familje, në këto raste 2289 viktima kanë qenë femra dhe 519 meshkuj”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Front Online.
Vetëm në janar të këtij viti janë evidentuar 216 raste të dhunës në familje.
Kurse, në muajin shkurti numri ka qenë më i vogël.
“Gjatë janarit 2023 janë evidentuar 216 raste të dhunës në familje, në këto raste 177 viktima kanë qenë femra dhe 54 meshkuj, kurse gjatë muajit shkurt 2023, janë evidentuar 188 raste të dhunës në familje, në këto raste 143 viktima kanë qenë femra dhe 45 meshkuj”, thuhet më tutje në përgjigjen e policisë për Front Online.
Për ditën ndërkombëtare të gruas ka shkruar edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Ajo, ka kërkuar nga gratë që të mos ndalojnë së ëndërruari dhe së besuari, pasi që kanë potencial.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rolin e grave që kanë folur publikisht për dhunën seksuale që e kanë përjetuar gjatë luftës./Front Online