×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Pence sulmon Biden lidhur me fondet policore në mes të trazirave racore

    FrontOnline
    27 Gusht 2020

    Ndërkohë që vendi është përfshirë nga trazira të reja racore, nënpresidenti Mike Pence u tha votuesve “nuk do të jeni të sigurtë në Amerikën e Joe Bidenit,” duke sulmuar kandidatin demokrat për president se është partner i gatshëm i atyre që duan të shkurtojnë fondet për policinë.

    “Joe Biden thotë se Amerika ka racizëm në sistem,” tha Pence në natën e tretë të Kuvendit Kombëtar Republikan. “Dhe se në radhët e forcave të rendit ka “paragjykime të brendshme” kundër pakicave. Dhe kur e pyesin nëse mbështet shkurtimin e fondeve për forcat e rendit, u përgjigj ‘Po, patjetër’,” tha Pence.

    “E vërteta e vështirë është se ju nuk do të jeni të sigurtë në Amerikën e Joe Bidenit,” tha Pence në fjalimin që mbajti nga Fort McHenry në Baltimorë, një fortesë që ka hyrë në histori për betejën e vitit 1814 me trupat britanike. Gjatë betejës, një oficer amerikan u frymëzua dhe kompozoi këngën “Flamuri i Spërkatur me Yje,” që u bë himni kombëtar.
    Presidenti Donald Trump dhe shumë nga përkrahësit e tij kanë akuzuar Biden se mbështet thirrjet e Lëvizjes BLM (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Janë me Vlerë) si dhe të grupimeve të tjera liberale për të anuluar fondet për repartet policore, një akuzë që Biden e ka hedhur poshtë. Por Pence u bazua në komente reale të rivalëve demokratë në zgjedhje se Joe Biden dhe Kamala Harris janë shprehur të hapur ndaj idesë për të reduktuar fondet për repartet policore dhe për të përdorur fondet e kursyera për agjenci komunitare që të angazhohen për të luftuar krimin.

    “Nuk dua të anuloj fondet për policinë,” tha këtë muaj Biden. “Dua të miratoj më shumë fonde për policinë për t’iu përgjigjur nevojave urgjente, që nga qasja tek metodat e ruajtjes së rendit në formë komunitare, tek punësimi i punonjësve socialë në departamentet e tyre, të psikologëve, të cilët të jenë në gjendje të merren me problemet e rënda që do të kërkonin katë diploma universitare për zgjidhje,” siç u shpreh Biden.

    Emërimi

    Pence pranoi zyrtarisht emërimin si kandidat i republikanëve për një mandat të dytë si nënpresident. Së bashku me të shoqen, Karen, në prani të rreth 150 vetëve, Pence u betua se ai dhe Presidenti Trump do të “qëndrojmë përkrah atyre që veshin uniformën blu dhe nuk do të ndalim fondet për policinë, as tani, as kurrë!”.

    Turma e mbledhur, shumë prej tyre veteranë të ushtrisë, ishin ulur pranë njëri-tjetrit, pa shumë distancë, pa maska, siç e kërkojnë rregullat për të penguar përhapjen e koronavirusit.

    Në mes të punimeve të kuvendit, trazirat racore kanë përfshirë qytetin e Kenoshës në Uiskonsin ku policia të dielën qëlloi 29-vjeçarin Jacob Blake duke rindezur revoltimin e aktivistëve që kanë demonstruar prej muajsh me thirrjet për drejtësi racore. Një 17-vjeçar u arrestua në shtetin e Ilinoit për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një të treti.

    Dyshja konkurrente republikane Trump dhe Pence, si dhe një numër figurash republikane që e kanë marrë fjalën gjatë kuvendit kanë theksuar se administrata është një përkrahëse e fortë e forcave të rendit, përballë protestave të dhunshme që kanë shpërthyer kundër dhunës dhe padrejtësive racore ndaj pakicave që nga vdekja më 25 maj e George Floyd-it në Mineapolis gjatë arrestit.

    Nënpresidenti Pence deklaroi: “Dhuna duhet të ndalet, qoftë në Mineapolis, në Portland apo në Kenosha,” duke shtuar se administrata Trump do të garantonte “ligjin dhe rendin” për çdo qytetar.

    Në komentet e tij, ai tha “Presidenti Trump dhe unë e kemi të qartë se burrat e gratë që mbajnë uniformat e rendit janë njerëzit më të mirë që kanë dalë prej nesh. Ata vënë jetën në rrezik çdo ditë”.

    “Populli amerikan e di se nuk na kërkohet të zgjedhim mes përkrahjes së për forcat e rendit dhe mbështetjes së afrikano-amerikanëve që janë fqinjët tanë për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytetet tona. Që nga dita e parë e administrates Trump, i kemi bërë të dyja dhe do të vazhdojmë edhe për katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë,” tha ai.

    Presidenti, Zonja e Parë përshëndesin Kuvendin

    Pas fjalimit të Pence, Presidenti dhe Zonja e Parë hipën në podiumin e ngritur në Fortesën “Fort McHenry” për të përshëndetur nënpresidentin dhe bashkëshorten e tij dhe për të dëgjuar këngëtarin e muzikës Country, Trace Adkins në interpretimin e himnit kombëtar.

    Të enjten, presidenti do të mbajë nga Shtëpia e Bardhë fjalimin ku pranon emërimin si kandidat i republikanëve në zgjedhje, që do të pasohet nga një shfaqje me fishekzjarre, ndërkohë që mbeten më pak se 10 javë nga dita e zgjedhjeve.

    Të mërkurën e mori fjalën edhe Kellyanne Conway, një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit Trump, e cila brenda pak ditësh pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë për të shpenzuar më shumë kohë me familjen dhe katër fëmijët e saj. Duke folur për presidentin, ajo tha se ai është një individ që “zgjedh betejat më të vështira dhe do të luftojë për ju”.

    Lista e figurave republikane që morën fjalën të mërkurën përfshinte edhe senatoret Marsha Blackburn nga Tenesi dhe Joni Ernst nga Ajova, si dhe Richard Grenell, ish-drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar.

    Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump shprehu ngushëllimet të martën për viktimat e pandemisë së koronavirusit, në një kontrast të dukshëm nga bashkëshorti i saj, Presidenti Donald Trump, që shpesh i minimizon pasojat e sëmundjes duke thënë se ajo do të zhduket vetvetiu.

    “Që nga marsi, jetët tona kanë ndryshuar në mënyrë drastike. U dërgoj ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e dashur. Lutem për ata që janë të sëmurë ose po vuajnë”, tha Zonja e Parë në fjalimin kryesor të natës së dytë të Kuvendit Kombëtar të Republikanëve nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë.

    “E di që shumë njerëz janë në ankth dhe disa ndjehen të pafuqishëm. Dua që ta dini se nuk jeni të vetëm”, tha ajo.

    Fushata e Biden kritikoi përmbajtjen e kuvendit, duke thënë se ata që ndjekin kuvendin nga shtëpitë nuk kanë dëgjuar ende ndonjë plan për të kontrolluar pandeminë.

    “Këmbulja e vazhdueshme e Trump për të mos e marrë këtë virus seriozisht ka bërë që Shtetet e Bashkuara të përfshihen nga goditja më e rëndë e pandemisë në botë. Refuzimi gjatë kuvendit për të pranuar realitetin apo për të pranuar përmasat e problemit është një kujtesë e rëndë për amerikanët për dështimin e plotë në udhëheqje,” tha zëdhënësja e Biden, Kate Bedingfield përmes një deklarate.

    Anketat tregojnë në masë të madhe amerikanët e shohin negativisht mënyrën se si Presidenti Trump i është përgjigjur pandemisë, e cila deri tani ka shkaktuar mbi 179 mijë viktima dhe ka infektuar mbi 5.8 milionë vetë në SHBA, duke e renditur Amerikën si vendin e goditur më rëndë në botë.

    Anketat tregojnë seBiden kryeson ndaj Presidentit Trump me një diferencë prej 7.6% sipas një analize anketash nga faqja elektronike “Real Clear Politics”. Por në disa shtete kritike për zgjedhjet epërsia e Biden është më e vogël dhe ky fakt mund të ketë ndikim të madh në zgjedhje.

    Vetëm dy presidentë amerikanë nuk kanë arritur të sigurojnë një mandat të dytë në katër dekadat e fundit: Jimmy Carter në 1980 dhe George H.W. Bush në 1992./voa/

    “Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp u shpreh se në këto zgjedhje, qytetarët kanë dënuar me votë pushtetin dhe...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në festën e fitores së Frontit Europian në Tetovë tha se Arben Taravarit me këto...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kandidati për president i Koalicionit VLEN Arban Taravari, pas shpalljes së rezultateve të para, ka reaguar në rrjetet sociale. Në një postim...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    Tre persona janë lënduar mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë te “Rruga B”, pas një përleshjeje mes disa personave. Sipas Policisë rasti...
    Lajme25 Prill 2024
    Policia malazeze arrestoi 8 policë kufitarë të dyshuar për marrje ryshfetesh nga shtetas të huaj nga Shqipëria, Turqia dhe Kosova, njoftoi të...
    Lajme25 Prill 2024
    Zëvendësministri i pushtetit lokal, Arbër Vokrri e ka parë si një sukses mbajtjen e votimit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve...
    Lajme25 Prill 2024
    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta zbatojë marrëveshjen e planit franko-gjerman, përfshirë...
    Lajme25 Prill 2024
    Sindikata e Re e KEK-ut, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës dhe Sindikata e Minatorëve të Trepçës mbajnë sot konferencë. Sipas...
    Lajme25 Prill 2024
    Sot takohen katër komisione parlamentare për të shqyrtuar çështje të ndryshme. Me fillim nga ora 09:00, Komisioni për Ekonomi shqyrton Projektrezolutën për...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.