×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Pas marrëveshjes Rusi-Serbi, Beogradi tenton “t’i hyjë në hatër” perëndimit: S’i njohim referendumet ruse

    FrontOnline
    26 Shtator 2022

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi se Serbia nuk mund të pranojë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës.

    Ai në konferencën për media, më 25 shtator, deklaroi se kjo do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

    “Kjo do të ishte krejtësisht në kundërshtim me politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit dhe përkushtimit ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve”, tha Selakoviq.

    Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.

    Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

    Shefi i diplomacisë serbe, tha po ashtu se në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 23 shtator, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin për Konsultime për dy vitet e ardhshme. Ai tha se dokumenti është “çështje teknike” dhe se është nënshkruar që nga viti 1996.

    “Bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe dhe aktivitet shumëpalësh. Qeveria ka mundur ta refuzojë një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të dhe është kritikuar nga ata që as nuk e kanë parë”, tha Selakoviq.

    Më 23 shtator, ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë publikoi në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.

    Nga video mund të konstatohet se Plani i Konsultimeve është nënshkruar në ambientet e misionit rus në OKB.

    Ky është dokumenti i parë diplomatik i nivelit të lartë që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës.

    Për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

    Autoritetet serbe votuan për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.

    Megjithatë, Serbia edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

    Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka shkruar në Twitter se lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes e sheh si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

    Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Kramon, vlerësoi se ky mund të jetë sinjal për ngrirjen e negociatave për anëtarësim në BE, sepse sipas saj, hyrja në bllok nuk bëhet përmes Moskës.

    Serbia është shtet që varet nga gazi rus dhe sondazhet tregojnë mbështetje të madhe të popullsisë serbe për Rusinë, pavarësisht faktit se ndihmën më të madhe ky shtet e pranon nga Perëndimi.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

    Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

    Prince Caffe shpërblen për festa Fitoren me veturë Fiat 500
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Kandidati për president Donald Trump do të jetë sot sërish në sallën e gjyqit ndërsa procesi për përzgjedhjen e jurisë vazhdon. Zoti...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Shqipëria renditet e gjashta në Evropë sa i përket aksidenteve rrugore. EUROSTAT në publikimin e fundit e rendit kështu Shqipërinë, ndërkohë që...
    Të tjera
    Vip18 Prill 2024
    Tashmë është e konfirmuar, Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht në emisionin e Bora...
    Lajme18 Prill 2024
    Sonte në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh, raporton FrontOnline. Lajmin për të shtëna me armë në kryeqytet për FrontOnline e ka...
    Lajme18 Prill 2024
    Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, ka reaguar pas maltretimeve që Serbia i bëri shtetasve të Kosovës, të mërkurën, derisa ishin duke udhëtuar transit...
    Bota/Rajoni18 Prill 2024
    Uashingtoni e ka konfirmuar dhe ka dhënë një shpjegim se pse ShBA ka vendosur të vë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në...
    Lajme18 Prill 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ai në një moment, Kurtin e quajti argat të...
    Lajme18 Prill 2024
    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, ka takuar disa deputetë të Kuvendit të Austrisë, përfshirë edhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.