Një helikopter po ndihmon për shuarjen e zjarrit që kaploi malet në Rugovë.
Sipas nje videoje shihet nga momenti kur helikopteri lëshon uje për shuarjen e flakëve të zjarrit.
Lajmin e ka konfirmuar inspektori i parandalimit Nijazi Gashi, i cili ka thënë se zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por se tashmë thuajse është lokalizuar dhe s’ka rrezik.
“Po, zjarri ka përfshi një pjesë të Malit të Rugovës, saktësisht te fshati Shtupeq i Madh. Zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por thuajse është lokalizuar tashmë. Zjarri ka filluar para dy ditësh, por falë intervenimit tashmë është larguar rreziku”, ka thënë Gashi.
Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi ka thënë s se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK-ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i.
“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR-i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.
Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.
“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse edhe temperaturat janë të lartë dhe lehtë mund të ndizen zjarre”, ka thënë Gashi./FrontOnline