[wp-story]

Lajme

Paçarizi: VV ka hyrë në qorrsokak, s’ka mundësi për koalicionin VV-LDK

Paçarizi: VV ka hyrë në qorrsokak, s’ka mundësi për koalicionin VV-LDK
18:57 | 15 Janar 2020

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që nuk e sheh si opsion të mundshëm koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi nuk kanë gjetur zgjidhje edhe pas 100 ditëve.

“Më duket sikur janë mbyllur të gjitha rrugët mes dy partive. Ideja e ‘Koalicionit të Shpresës’ ka arritur deri në masën ku po kërkohet që të shpëtohet ky koalicion, e jo vendi”.

“Nuk po shoh arsye që LDK dhe VV duhet të arrijnë koalicion mes tyre. Nuk kanë qenë në gjendje që të gjejnë zgjidhje deri tani. Janë përplasur në mënyrë të pandershme. Po shihet se këto dy parti po bëjnë luftë dhe po bëjnë garë në opinionin publik në mes vete”.

Paçarizi në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë që arsye tjetër pse nuk mund të bëhet koalicioni LDK-VV është se përfundimisht ka humbur besimi mes tyre.

“Nuk ka asnjë arsye më që të bëhet koalicion pasi këto dy parti nuk kanë fije mirëbesimi mes tyre. LDK-ja do ta kishte bërë sakrificën më të madhe sikur të kishte hyrë në koalicion me VV-në pasi në zgjedhjet tjera do të ishte përpirë fare nga kjo parti”.

“LDK-ja nuk i ka ndryshuar qëndrimet. Mirëpo, VV-ja i ka ndryshuar, sidomos pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si Kryetar të Kuvendit. Tash ka hyrë në qorrsokak dhe po bën oferta të pandershme që ia zbehin edhe më shumë shijen atij koalicioni”.

“E mira e kësaj është se Vetëvendosje tash po bëhet një parti normale dhe nuk është ndryshe nga të tjerat. Edhe në zgjedhjet e ardhshme, VV-ja do të garojë në mënyrë të barabartë me partitë tjera politike dhe do të garojë me program, e jo me floskula populiste”.

Zgjedhjet e reja, sipas Paçarizit, do t’i ndihmonin VV-së që të sillet si parti normale.

“Këto dy parti politike do të heqin dorë nga vijat e kuqe dhe do të krijojnë kauza reale. Ndërsa Vetëvendosje përfundimisht do të shndërrohet në një parti normale. Nuk është ‘parti hyjnore’ dhe në zgjedhjet e ardhshme do detyrohet të bëjë oferta reale”.

“Petrol Company” ndihmon më shumë se 200 familje për festën e Fitër Bajramit (VIDEO)

Të tjera