[wp-story]

Lajme

Osmani në Istog: Më 6 tetor përfundon sundimi i Kosovës nga krimi e korrupsioni

Osmani në Istog: Më 6 tetor përfundon sundimi i Kosovës nga krimi e korrupsioni
16:49 | 01 Tetor 2019

Para mijëra qytetarëve në Istog, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të martën se me fitoren e LDK-së në zgjedhje, përfundon epoka e sundimit të Kosovës, nga ata që kanë themelet i kanë në krim dhe korrupsion.

“Fitorja e LDK-së i dërgon në opozitë sundimtarët që kanë vjedhur besimit tuaj dhe po ju ofrojnë paratë e vjedhura për të blerë besimin tuaj. Praktika e vendeve totalitare kanë treguar që sundimtarët e mbajnë popullin e varfër për t’i sunduar më lehtë, por kjo praktikë përfundon më 6 tetor, me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe fitoren tonë”, tha Vjosa Osmani.

Ajo tha se fitorja e LDK-së më 6 tetor do të jetë lajm i mirë për Kosovën dhe aleatët e saj. “Do t’i tregojmë botës se Kosova nuk është vend i krimit të organizuar, nuk është vend i korrupsionit e nuk është vend i haraçit. Unë kam ardhur sot për të lidhur një besë të re. Lidhja Demokratike e Kosovës, është bashkuar si kurrë më parë për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës qeverisjen që ata meritojnë. LDK-ja është alternativa e vetme që ka dëshmuar dhe që garanton ç’kapjen e shtetit. Lufton krimin e korrupsionin dhe e vendosë sundimin e rendit dhe të ligjit”, tha nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo tha me më 6 tetor do të ndodhë çlirimi i dytë i Kosovës, kësaj radhe nga kriminelët dhe të korruptuarit. “Kosova nuk ka kohë për të humbur. Duhet ta zëmë kohën që na ka humbur. Qeveria jonë ta nisë punën menjëherë për të garantuar të ardhme të ndritshme republikës dhe për ta jetësuar amanetin e Presidentit Rugova për krijimin e një shteti të fortë, demokratik, në miqësi të përjetshme me SHBA-në dhe BE-në”, shtoi Vjosa Osmani.

Ajo pohoi se qeveria e drejtuar prej saj, do t’ia kthejë Istogut vëmendjen që meriton.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se oponentët e Vjosës të kapluar nga paniku i humbjes po përdorin lloj lloj metodash e presioni duke u përpjekur të dekurajojnë votuesit. Ndër këto metoda Haziri ka përmendur lajmet e rreme që po përhapen nga oponentët politik të Vjosës.

“Një lajm i rrejshëm është gjoja se Presidenti amerikan Trump po e dërgon në Prishtinë dikë. Kjo është rrenë e kulluar”, tha Haziri.

Kryetari i Istogut, Haki Rugova, e siguroi kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani se në këtë qytet do të ketë rritje të votave për LDK-në. “Istogu ka qenë gjithmonë bastion i LDK-së, kështu do të jetë edhe me 6 tetor e përgjithmonë, pasi istogasit as nuk shiten as nuk blihen”, ka thënë Rugova.

 

Petrol Company në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhuron pako ushqimore per familjet nevojtare në qytetin e Vitisë

Të tjera