×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Opozita kundër rritjes së çmimit të energjisë: ZRRE po vepron si dorë e zgjatur e Qeverisë Kurti

    FrontOnline
    11 Prill 2025

    Rritja prej 16% e çmimit të energjisë elektrike, e miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka shkaktuar reagime të ashpra nga partitë opozitare në vend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke e konsideruar si të padrejtë dhe me pasoja të rënda për qytetarët dhe ekonominë e vendit, shkruan FrontOnline.

    Sipas opozitës, ZRRE nuk po funksionon si institucion i pavarur, por si një mekanizëm i kontrolluar nga Qeveria Kurti, i cili zbaton vendime politike në kurriz të interesit publik.

    Deputetë dhe ish-deputet nga radhët e opozitës kanë theksuar se ky shtrenjtim i rrymës do të godasë direkt familjet kosovare, do të rrisë koston e jetesës dhe do të fusë ekonominë në një cikël të ri të inflacionit.

    Nga PDK, LDK dhe AAK janë ngritur shqetësime se vendimi për rritjen e çmimit nuk është vetëm teknik apo financiar, por bart prapa vetes një agjendë politike që tregon mungesën e ndjeshmërisë sociale dhe mungesën e mbështetjes për qytetarët dhe sektorin privat.

     

    Shala: Çmimin e rrymës e ka ngritë Qeveria Kurti, ZRrE dorë e zgjatur e Kurtit

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka folur pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%.

    Sipas tij, ky vendim është politik dhe reflekton ndërhyrjen e Qeverisë Kurti në institucionet e pavarura.

    “ZRRE ka implementuar vendimmarrjen e Qeverisë. Ky institucion është një dorë e zgjatur e qeverisë, e ndikuar politikisht me pasoja tepër të mëdha për ekonominë e vendit me vendimet e saja” tha Shala.

    Ai akuzoi qeverinë, duke thënë se ajo ka kërkuar ngritjen e çmimit të rrymës.

    ‘’Shtrenjtimin e energjisë e ka ngritë qeveria e Albin Kurtit’’ tha Shala.

     

    Zogaj: Rritja e çmimit të rrymës do ta godasë direkt qytetarin dhe do të shtyjë ekonominë drejt inflacionit

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, për FrontOnline ka folur pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike për 16%, duke e cilësuar atë si vendim të dëmshëm për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

    Zogaj tha se një vendim i tillë ishte i pritshëm, por theksoi se përmasat e rritjes janë shqetësuese dhe me pasoja afatgjata.

    “E kemi pritë këtë vendim të ZRRE. Është vendim i dëmshëm për qytetarin e Kosovës dhe për ekonominë në përgjithësi. Një rritje substanciale prej 16% e cila do ta rëndojë buxhetin e familjeve të Kosovës dhe do ta fusë ekonominë në një spirale të re të inflacionit”, u shpreh Zogaj.

    Ai theksoi se me shtrenjtimin e rrymës, automatikisht pritet edhe rritje e çmimeve të produkteve tjera bazike, çka do ta vështirësojë më tej jetesën për shumë qytetarë.

    ‘’Do ta fus ekonominë në një spirale të re të inflacionit se me shtrenjtimin e rrymës do të pasojë edhe rritja e çmimit të produkteve të tjera në ekonomi”, deklaroi Zogaj për FrontOnline.

     

    Lekaj: Të paguajnë qytetarët paaftësinë e menaxhimit të sistemit energjetik është e papranueshme

    Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar për Front Online ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe të padrejtë ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

    “Rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16% është absolutisht e papranueshme dhe godet drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset që tashmë po përballen me kosto të larta jetese”, deklaroi Lekaj.

    Lekaj akuzoi Qeverinë dhe institucionet përgjegjëse për mungesë ndjeshmërie dhe për një menaxhim të dështuar të sektorit energjetik.

    “Ky vendim është tregues i një mungese totale të ndjeshmërisë nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse ndaj situatës socio-ekonomike në vend. Kjo rritje do të ketë pasoja të mëdha: do të thellojë edhe më shumë varfërinë, do të ulë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik, sidomos te bizneset e vogla e të mesme, të cilat mezi po mbijetojnë”, shprehet ish-deputeti.

    Sipas ish-deputetit Lekaj, qytetarët nuk e kanë për detyrë të paguajnë paaftësinë e menaxhimit të sistemit energjetik.

    Ai thotë se rritja e çmimit të energjisë, tregon dështimin e politikave në këtë sektorë.

    “Në vend që të investohet në efecientë energjetike, në burime të qëndrueshme dhe të subvencionohet energjia për shtresat më të cenueshme, po shkojmë në drejtim të kundërt, në rëndim të qytetarëve. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë paaftësinë e menaxhimit të sistemit energjetik. Rritja e çmimeve nuk mund të jetë zgjidhje për çdo krizë – kjo është thjesht dështim i politikave dhe mungesë e vizionit për sektorin e energjisë”, deklaroi Lekaj për Front Online.

    Nga Rubrika
    Lajme28 Prill 2025
    Pas lajmit të mirë për gjetjen e voglushit Alp Krasniqi, ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Hyseni ka falendëruar të...
    Lajme28 Prill 2025
    Alp Krasniqi, shtatë vjeçari që u raportua i zhdukur në Komunën e Gjilanit, është gjetur falë angazhimit masiv të ekipeve të kërkim-shpëtimit...
    Lajme27 Prill 2025
    Në mbrëmjen e së dielës ka nisur operacioni i kërkimit të Alpit të vogël nga Gjilani. Ai është raportuar i zhdukur nga...
    Të tjera
    Lajme27 Prill 2025
    Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë parashtruar kallëzim penal ndaj një shtetasi të Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se tentoi të hyjë...
    Bota/Rajoni27 Prill 2025
    Rusia ka sulmuar Ukrainën me 8,500 bomba, 200 raketa dhe 3,000 dronë që kur Kievi propozoi një armëpushim 30-ditor, ka thënë presidenti...
    Lajme27 Prill 2025
    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se sot shënuan 27 Prillin, Ditën e të Zhdukurve me Dhunë, duke bërë...
    Bota/Rajoni27 Prill 2025
    Ka shkuar në 11 numri i të vdekurve pasi një automjet u përplas me turmën në një festival rrugor në Vankuver të...
    Lajme27 Prill 2025
    Një fëmijë ka humbur në qytetin e Gjilanit. Familjarë të tij kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët e vendit në gjetjen e tij....
    Lajme27 Prill 2025
    Pas reshjeve intensive të shiut që përfshinë qytetin e Pejës dhe shkaktuan daljen nga shtrati të disa kanaleve, autoritetet lokale kanë bërë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.