×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita akuzon Qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë

    FrontOnline
    27 Janar 2022

    Opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë.

    Gjatë një seance të jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, opozita e ka kritikuar Qeverinë edhe për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit.

    Seanca e Kuvendit po mbahet në një kohë kur numri i të infektuarve me COVID-19 ka shënuar rekord të rasteve të reja.

    Më 27 janar, pas testimit të 16,307 mostrave, 4,397 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në Kosovë.

    Aktualisht, në Kosovë janë mbi 25 mijë raste aktive me koronavirus.

    Seanca është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, akuzoi Qeverinë e Kosovës për paaftësi në menaxhimin e situatës me COVID-19.

    “Afër 30 mijë raste me COVID-19 vetëm gjatë këtij muaji. Ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë, është rezultat i qeverisjes së paaftë e cila nxjerr masa joadekuate. Qeveria po neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv dhe kujdesin në shkolla”, tha Zemaj.

    Zemaj shtoi se e vetmja zgjidhje e kësaj Qeverie është izolimi, që po i dëmton bizneset e qytetarët.

    Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se është shqetësim i madh që Qeveria e Kosovës nuk po shqetësohet për situatën e rënduar me COVID-19.

    “Kjo Qeveri ka bërë dy gabime themelore në menaxhimin e pandemisë: ose ka hezituar për të lexuar situatën për të injoruar atë, ose e ka lexuar situatën gabimisht. Kur hezitojnë të lexojnë, ata hezitojnë të veprojnë në kohë, e kur e lexojnë gabimisht veprojnë jo me plan, po me impuls”, tha Krasniqi.

    Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, theksoi Krasniqi, ka bërë gabime me masat që ka marrë për frenimin e koronavirusit. Sipas tij, barazia që i është bërë qytetarëve të vaksinuar me ata të pavaksinuarit, ka bërë që ta stimulojë mosvaksinimin.

    “Sot kemi mbyllje të qendrave sportive, ngjashëm si për të vaksinuarit si për të pavaksinuarit. Kufizimi i lëvizjes përveç që është i panevojshëm, është edhe jologjik”, tha Krasniqi.

    Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se masat që Qeveria e Kosovës ka marrë, siç është kufizimi i lëvizjes nuk ndihmon në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

    “Shteti përmes aparateve të veta duhet të veprojë me masa sanksionuese për mosrespektim të masave, e jo duke i ashpërsuar me masa shtesë. Shkurtimi i orarit të gastronomisë dhe kufizimi i lëvizjes më tepër i kontribuojnë uljes së shpenzimit të energjisë elektrike sesa menaxhimit të pandemisë. Nuk luftohet pandemia me kufizim të lëvizjes, por me masa shëndetësore”, tha Dreshaj, infektolog.

    Ai i rekomandoi Qeverisë së Kosovës që të testojë më shumë qytetarë dhe të hapë më shumë pika të vaksinimit.

    “Vaksinimi masiv është dalja nga situata, numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve është shumë i ulët”, tha ai, duke rekomanduar që vaksinimi të bëhet obligativ, në veçanti për institucionet publike.

    Fatmire Kollçaku, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, i quajti fjalimet e deputetëve të opozitës me tendencë politike. Sipas saj, opozita është e pakënaqur me gjithçka që bën Qeveria.

    “Sjellja e partive politike karshi gjithë kësaj po bëhet për qëllime politike, jo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, tha Kollçaku.

    Në Kosovë nga data 22 janar janë në fuqi masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

    Masat e reja të Qeverisë së Kosovës ishin marrë pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit.

    Me masat e reja është kufizuar qarkullimi ora 22:00 deri në orën 05:00. Bizneset e gastronomisë zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00. Muzika në këto biznese lejohet deri në orën 20:30.

    Sa i përket procesit mësimor, në vendim është thënë që të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuara më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.

    Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

    Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.

    Deri më tani, të vaksinuar plotësisht, me dy doza të vaksinës janë 832,020 persona.

    Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër koronavirusit. Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh./REL/

    KEDS e KESCO, përmes aktiviteteve të shumta, i bashkohen fushatës kundër Dhunës me Bazë Gjinore
    Nga Rubrika
    Lajme25 Prill 2024
    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Gjykimi do të rinis në...
    Lajme25 Prill 2024
    Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi...
    Lajme25 Prill 2024
    Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët votuan të mërkurën për të zgjedhur presidentin e vendit. Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në festën e fitores së Frontit Europian në Tetovë tha se ky kapitull u...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani nga 80% e vendvotimeve të numëruara në gjithë Maqedoninë, ka arritur të sigurojë 101.839 vota ose...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) publikoi rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë, përcjell Telegrafi Maqedoni. Sipas KSHZ-së, me...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në konferencë për shtyp tha se koalicioni VLEN është fitues i votave shqiptare, ndërsa BDI ka...
    Lajme24 Prill 2024
    Kandidati nga Fronti Evropian, Bujar Osmani ka mposhtur në zgjedhjet për president kandidatin e koalicionit VLEN, Arben Taravarin. Sipas rezultateteve preliminare të...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë Veriore (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.