[wp-story]

Opinione

Një vështrim demografik i pandemisë Covid 19 në Kosovë – ndikimi në vdekshmërinë e popullsisë

Një vështrim demografik i pandemisë Covid 19 në Kosovë – ndikimi në vdekshmërinë e popullsisë
11:46 | 06 Prill 2021

Kosova sikur edhe mbarë bota po ballafaqohet me pandeminë më të rëndë jo vetëm të kësaj dekade por edhe të shumë dekadave më herët. Është kjo përballja me virusin Corona i njohur si Covid- 19.

Historiku i përhapjes

Virusi Corona, i njohur si Covid- 19 (Corona Virus Disease – 2019), është një sëmundje infektive e shkaktuar nga virusi SARS – CoV-2 ( Severe Acute Respiratpry Syndrome – Corona Virus–2), i cili bën pjesë në grupin e viruseve Corona. Ky lloj virusi shkakton infeksione të organeve të frymëmarrjes që mund të jenë të lehta si ftohje e zakonshme deri te variantet vdekjeprurëse të tilla si Sars, Mers dhe Covid-19. Virusi më së shpeshti transmetohet nga pikat, dmth. duke biseduar, kollitur dhe teshtitë gjatë kontaktit të afërt me njerëzit. Higjiena e rregullt dhe distancimi jenë opsioni më i mirë për të parandaluar përhapjen e virusit. Shumica e vendeve të botës në fillim aplikuan karantinën në territoret e tyre për ta bërë më të lehtë kontrollimin e viruseve. Në fund të marsit 2020 mbi 150 vende kishin vendosur masa të tilla, duke e bërë këtë periudhë me më së shumti kufizimi të lëvizjes në historinë e udhëtimeve ndërkombëtare.

Duke parë nga aspekti kohor dhe hapësinor, virusi Corona u regjistrua zyrtarisht për herë të parë në 31.12. 2019. në pjesën lindore të Kinës, në qytetin Wuhan, kur autoritetet kineze informuan Organizatën Botërore të Shëndetësisë për shfaqjen e një virusi të panjohur. Me 07.01.2020 zyrtarisht u identifikua si virus dhe vetëm dy ditë më vonë mori viktimën e parë.

Rasti i par i infektimit jashtë kufijve te Kinës u regjistrua me 13.01.2020 në Tajlandë, për të shënuar një përhapje shumë të shpejt në ditët në vazhdim. Në fillim të shkurtit (02.02.2020) shënohet vdekja e par jashtë Kinës (Filipine), ndërsa paraqiten edhe rastet e para në Evropë. Me 14.02.2020, infeksioni arrin edhe në kontinentin Afrika (Egjipt), ndërsa në të njëjtën dit regjistrohet edhe vdekja e parë në kontinentin Evropian (Francë). Deri në fillim të prillit Corona përfshin pothuaj se tërë botën, ndërsa me 11.03.2020, OBSH , Covid-19 e shpall edhe zyrtarisht pandemi globale.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe transportit, bota është “zvogëluar”, duke mundësuar që çdo pjesë e planetit të arrihet në më pak se një ditë, çka ka mundësuar përhapjen e shpejtë si në aspekt numerik ashtu edhe atë hapësinor në një kohë të shkurtër duke infektuar rajone, shtete dhe kontinente duke mos respektuar kufij dhe duke treguar dobësitë e shoqërisë njerëzore, sistemeve shoqërore dhe shtetërore. Humbjet më të mëdha, natyrisht janë jetët e njerëzve, pa anashkaluar edhe ato në fushat tjera.

Pandemitë si kjo kanë ndodhur edhe më parë dhe fatkeqësisht do të ndodhin edhe ne të ardhmen. Pyetja e vetme e cila shtrohet është se çfarë mësimi do të nxjerrim nga e gjithë kjo në mënyrë që të përgatitemi më mirë për sfidat në të ardhmen.

Ndikimi i pandemisë në vdekshmërinë e popullsisë në Kosovë

Deri me tani në nivel global nga pandemia janë prekur mbi 128 milion banor, ndërsa me fatalitet kanë përfunduar mbi 2.8 milion të infektuar. Pra ne nivel global i bie që të ketë vdekur përafërsisht çdo i 46 person i infektuar.

Në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë me 13.03.2020 (në Viti) deri me sot numri i të infektuarve është 90 mijë nga të cilët 1872 (29.03.2021) kanë përfunduar me fatalitet. Me çdo të 48 person të përfunduar me fatalitet nga të infektuarit, Kosova ndodhet ne gjendje më të mirë se sa niveli global i infektimit.

Në raport me numrin e të infektuarve në popullsinë e përgjithshme Kosova qëndron shumë më keq se sa niveli global. Kështu, përderisa në nivel global është infektuar afërsisht çdo i 60 banorë, në Kosovë është infektuar çdo i 21 banorë. Kjo nënkupton se masat ndaj pandemisë në Kosovë nuk janë respektuar, ndërsa menaxhimi nga institucionet shëndetësore ishte më i mirë.

Gjendja në Kosovë- Sikurse edhe me përmasa globale edhe në Kosovë është krijuar përshtypja që të gjitha rastet e vdekjeve në vitin e fundit janë si pasoj e pandemisë Covid 19. Po sa është e qëndrueshme përshtypja e fituar?

Me qëllim të konstatimit të gjendjes dhe ndikimit të pandemisë në vdekshmërinë popullsisë në Kosovë do të merren në analizë statistikat e vdekshmërisë në popullsinë e Kosovës në periudhën 2015- 2020.

Se pandemia Covid 19 ka ndikuar ne rritjen e vdekshmërisë e tregojnë edhe statistikat. Nëse i referohemi statistikave të numrit të përgjithshëm të vdekjeve në Kosovë në periudhën 2015-2020, atëherë do të shohim se mesatarisht në periudhën 2015-2019 janë regjistruar 9044 vdekje në vit ndërsa me 2020, 11106 vdekje që tregon rritje për 22.8%.

Dallimi bëhet edhe më i madh kur krahasohen dallimet për vitet e njëjta për periudhën mars- dhjetorë. Kështu, përderisa mesatarja e vdekjeve ne periudhën mars- dhjetor të viteve 2015-2019 ishte 7439, në vitin 2020 në periudhën e njëjtë janë regjistruar 9445 vdekje që tregon një rritje prej 26.9%. Nga ky kënd vështrim nga dy rastet e lartpërmendura mundë të konstatohet se rreth 1/4 e të gjitha vdekjeve në Kosovë mund ti atribuohen pandemisë Covid 19. Trendi i dallimeve thellohet edhe më tepër nëse krahasohet periudha qershor-dhjetorë për periudha të njëjta kur vdekshmëria tregon rritje për 43.6%.

Se rreth ¼ e të gjitha vdekjeve mundë ti atribuohen Covid-19 e vërteton edhe e dhëna e dallimit të vdekjeve brenda ditës në Kosovë në periudhën e njëjtë. Kështu në periudhën 2015-2019, mesatarisht brenda ditës në Kosovë kanë vdekur 25 persona, ndërsa gjatë vitit 2020 numri i vdekjeve ka arritur në 30.5 persona në ditë që tregon rritje prej 23.1%. Dallimet rriten edhe më tepër nëse krahasohen periudha qershor-dhjetorë për periudhën e njëjtë 43.6%.

Nga te dhënat e prezantuara më lart mund të konstatohet se ne gjashtëmujorin e fundit të 2020, ndikimi i pandemisë në vdekshmërinë popullsisë në Kosovë është rritur ndjeshëm.

Karakteristikat sipas gjinisë dhe moshës– sa i përket aspektit gjinor mund të konstatohet se pandemia ka goditur të dy gjinitë, meqenëse nuk vërehet ndonjë dallim ne statistikat e vdekjes sipas gjinisë ne periudhën mars-dhjetorë të viteve 2015-2019 me vitin 2020, përveç rritjes së numrit të vdekjeve ne 2020 ne proporcion me vitet e mëparshme. Gjatë gjithë periudhës meshkujt përbëjnë rreth 54% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve.

Sa i përket grup moshave tanimë është e vërtetuar dhe shkencërisht që pandemia sikurse edhe të gjitha sëmundjet virale më tepër godasin më të moshuarit. Këtë konstatim e vërteton edhe e dhëna se rreth 80% e të gjitha vdekjeve nga Covid-19 në Kosovë i takojnë grup moshave mbi 65 vjet edhe pse me kalimin e ditëve kjo pjesëmarrje po zvogëlohet si pasoj e rritjes së pjesëmarrjes së grup moshave më të reja.

Kurorëzimet- Covid-19 ka ndikuar edhe në sferën e kurorëzimeve. Kështu për deri sa në periudhën 2015-2019, mesatarisht në Kosovë janë regjistruar rreth 17 mijë kurorëzime në vit në vitin 2020 numri i tyre është zvogëluar në 12.793, që paraqet një rrënje prej 24.9%.

Ku është më rrezik të infektohesh nga pandemia në Kosovë

Edhe përkundër faktit se Kosova po ballafaqohet me gjendje të rënduar nga pandemia, ekzistojnë zona ku rreziku nga infeksioni është më i lartë. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e rasteve të vdekjes në raport me numrin e të infektuarve në komunat e Kosovës.

Përjashto komunat me numër të vogël të banorëve dhe të infektuarve, Prishtina ndodhet në pozitë më të mirë sa i përket raporteve në mes të infektuarve dhe rasteve të përfunduara me fatalitet. Deri sa në nivel të Kosovës me fatalitet ka përfunduar çdo i 48 person i infektuar, në Prishtinë me fatalitet ka përfunduar çdo i 119 person i infektuar.

Në krahasim me Prishtinën, në Dragash është 10.8 here më rrezik të infektohesh, në Rahovec 8 here, Suharekë 6.4 here, në Prizren, Mitrovicë e Malishevë 6.2 here, Istog 5.5 here, Klinë 4.9 here, Kamenicë 4.7 here, Viti 4. 5 here, Gjakovë 3.9 here, Kaçanik 3.8 here, Ferizaj 3.5 here, etj.

Në përgjithësi komunat e regjionit të Prishtinës përjashto këtu Drenasin, karakterizohen me gjendje më të mirë sa i përket këtij treguesi, duke ju falënderuar trajtimit në Qendrën Klinike Universitare.

Në funde, pandemia Covid 19 ka ndikuar negativisht ne te gjitha sferat e jetës duke përfshirë edhe demografinë. Me qëllim të zvogëlimit të këtyre ndikimeve deri në sigurimin dhe aplikimin e vaksinës, nga popullata mbetet vetëm respektimi rigoroz i masave të propozuara nga institucionet përgjegjës e që janë: mbajtja e maskës, mbajtja e distancës, higjiena personale- pastrimi i duarve etj., të cilat në Kosovë, fatkeqësisht lënë shuma për të dëshiruar.

Nga zbatimi i masave do të varet edhe pasojat ( të mëdha ose të vogla) në të gjitha sferat e jetës duke përfshirë edhe atë më të rëndësishmen dhe shtrenjtën që është jeta e njeriut.

Mbetet ne ndërgjegjen (dorën) tonë se sa do të jenë dëmet nga pandemia Covid 19 dhe çfarë mësimi do të nxjerrim nga e gjithë kjo në mënyrë që të përgatitemi më mirë për sfidat në të ardhmen.

Autori është doktor i shkencave të demografisë- gjeografisë

Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…

Të tjera