Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër M.Z që ushtroi dhunë ndaj nënës dhe motrës së tij.
Nëpërmjet një komunikata për media nga Gjykata Themelore bëhet e ditur se të pandehurit M.Z i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, derisa ti bëhet ekzaminimi psikiatrik nga data 13.11.2020 deri me datë 12.12.2020, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 lidhur me nenin 509 par 1 nën par. 1.1, 1.2 dhe 1.3 të KPPK-së.
Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri M.Z në liri mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarat ku mund t’ju rrezikojë jetën apo shëndetin e tyre dhe ekziston rreziku se mund të përsëris ose të kryejë vepra tjera penale.
I pandehuri M.Z për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarat – nënën dhe motrën e tij, kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi ndaj të tyre dhe si pasojë e këtyre veprimeve iu kishte shkaktuar lëndime trupore, ndjenjën e frikës dhe ankthit dhe të pasigurisë për jetë.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.