Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.K, për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.
Rasti kishte ndodhur me datë 26.11.2020, ku sipas komunikatës për medie i pandehuri A.K me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin U.L, në atë mënyrë që për shkak të një problemi të mëparshëm që kanë pasur në mes vete.
“Ditën kritike gjersa i pandehuri ishte duke e drejtuar veturën e tij, pikërisht në momentin kur ishin duke dalë nga parkingu, aty para veture u kanë dalë të dëmtuarit, të cilët kanë filluar ta godasin me këmbë veturën e të pandehurit, ku nga vetura ka dalë i pandehuri, ka nxjerrë nga xhepi një brisk dhe ka filluar ta godas të dëmtuarin, e ku këtu ka filluar përleshja fizike në mes tyre dhe si pasojë e dëmtimeve të rënda trupore të dëmtuarit dërgohen me të shpejtë për kurim në QKUK”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës për medie, me këto veprime i pandehuri A.K dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës do të dëgjohen dëshmitarët ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës.
“Gjithashtu, gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me peshën e veprës së kryer penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë.