[wp-story]

Lajme

Një kandidat konsensual për president të ardhshëm të Kosovës?

Një kandidat konsensual për president të ardhshëm të Kosovës?
17:08 | 16 Dhjetor 2019

Një president konsensual, i cili nuk do të jetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet këtyre dy partive, nuk përjashtohet nga tavolina e bisedimeve.

Por, përderisa kjo mbetet vetëm si një alternativë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, të dy partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje konkrete.

Krahas marrëveshjes për koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston që të ketë edhe një marrëveshje për presidentin e ardhshëm i cili do të zgjidhej pasi që t’i skadojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi, në vitin 2021.

Në këtë pikë edhe janë bllokuar negociatat midis LVV-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke vazhduar bisedimet për të gjitha modalitetet dhe se ndërmjet dy partive nuk ka marrëdhënie kushtëzimi

Haziri thotë se të gjitha çështjet janë të hapura në tavolinën e bisedimeve, përfshirë edhe çështja e një presidenti konsensusal.

“Është në tavolinë ajo. Krejt janë duke u biseduar çështjet e hapura. Nuk mund të them se përjashtohet një bisedim ose u pranua. Është çështje që ka mbetur si modalitet në tavolinë”, u shpreh Haziri.

Ndonëse të dy partitë kanë deklaruar se kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës, ndarja e disa dikastereve ende është duke u negociuar, ndërkohë që çështja më problematike mbetet pozita e presidentit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. Por, më herët, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar para medieve që insistimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që të ketë postin e presidentit, është i padrejtë.

“Kërkesa për të pasur kryetarin e Kuvendit, presidentin – dhe në veçanti presidentin – për Vetëvendosjen është e padrejtë”, ka thënë Haxhiu

Haxhiu u ka thënë më herët medieve vendore që të dy partitë duhet të jenë fleksibile dhe se ekziston mundësia që president të bëhet dikush që nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje apo Lidhjes Demokratike të Kosovës, por një person unifikues.

Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shkruar në rrjetin social Facebook që marrëveshja për Presidentin duhet të sigurojë parime e kritere për profilin dhe vlerat që duhet t’i ketë presidenti i ri.

“Kjo marrëveshje duhet të arrihet tek pas formimit të qeverisë. Këto vlera, nuk mund të vihen në kundërshtim me atë për të cilën jemi marrë vesh: ribërjen e shtetit ligjor dhe ç’kapjen e shtetit”, ka shkruar Bajçinovci.

Bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë me më së shumti vota nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për arritjen e një marrëveshjeje për një koalicion qeverisës ende nuk janë përmbyllur.

Nënkryetari i LDK-së, Haziri, thotë që në tavolinën e bisedimeve nuk ka mbetur pa u zgjidhur vetëm çështja e presidentit.

“Po bëjmë përpjekje për të gjetur një rrugë të përbashkët për një president, i cili zgjidhet në frymën e Kushtetutës dhe që fryma e Kushtetutës e njeh si të tillë. Por të themi të drejtën, nuk është vetëm kjo çështje. Ne duhet të mbyllim komplet pakon e marrëveshjes”, ka thënë Haziri.

Por, a është reale të pritet që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të merren vesh për një president konsensual?

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se përderisa çështja e presidentit të zgjidhet në negociata ndërmjet partive politike, është jashtëzakonisht e vështirë që presidenti të jetë një personalitet, i cili është përtej politikës.

“Unë mendoj që në Kosovë nuk ekziston një personalitet i peshës kaq të madhe politike dhe shoqërore, i cili do t’i bashkonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse këto dy parti kanë pozicione të kundërta ideologjike dhe politike. Kështu që, është e pamundur që një personalitet, i cili është i pranueshëm për njërën parti, të jetë i pranueshëm edhe për partinë tjetër, në kontekstin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Takimi i fundit ndërmjet përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u mbajt të dielën, ka përfunduar pa marrëveshje konkrete.

Të dyja palët, nuk kanë dhënë hollësi se për çfarë është biseduar brenda takimit, por kanë theksuar se bisedimet do të vazhdojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje për qeverisje të përbashkët.

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera