×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Ngrirja e ndihmave amerikane për vendet e huaja trondit Ukrainën

    FrontOnline
    04 Shkurt 2025

    Vendimi i Presidentit Donald Trump për të ngrirë shumicën e ndihmave amerikane për vendet e huaja i ka vënë në një pozitë të vështirë organizatat ukrainase që ofrojnë ndihma humanitare dhe shërbime të tjera. Siç njoftojnë gazetaret e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze nga Varshava dhe Anna Chernikova nga Kievi, qeveria ukrainase, shoqëria civile dhe media varen kryesisht nga ndihmat e huaja.

    Qendra e Veteranëve ofron mbështetje psikologjike dhe sociale për veteranët e luftës në Ukrainë dhe familjet e tyre. Drejtuesit thonë se urdhri i administratës së Presidentit Trump për të ngrirë ndihmat për vendet e huaja i detyroi ata të mbyllnin zyrën në qytetin Vinnytsia. Zyra qendrore në Kiev vazhdon të funksionojë falë donatorëve privatë.

    Ivona Kostyna drejton Qendrën e Veteranëve. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se ngrirja e fondeve nga Uashingtoni ishte e papritur dhe goditi rëndë projektin.

    “Ndalimi i fondeve do të thotë ndërprerje e operacioneve tona. Nënkupton ndalimin e rrogave dhe të kthimit të njerëzve në punë”.

    Menjëherë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump urdhëroi një ngrirje 90-ditore për të rivlerësuar ndihmën amerikane për vendet e huaja. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar lidhur me ndihmën për Ukrainën.

    Një deklaratë e Departamentit të Shtetit për ngrirjen e fondeve thotë se: “Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më fonde që nuk sjellin përfitime për popullin amerikan”.

    Ngrirja e fondeve amerikane tronditi organizatat humanitare në Ukrainë. Pas tre vitesh luftë, qeveria ukrainase, shoqëria civile dhe media varen kryesisht nga ndihmat e huaja.

    Ukrainasi Bohdan Logvynenko, themelues i projektit të pavarur multimedial “Ukrainer”, thotë për Zërin e Amerikës se shumica e fondeve për projektin vinin nga programet e ndihmave amerikane.

    “Po shkurtojmë punonjës dhe reduktojmë nivelin e punës pasi ishin disa programe që na mbështesnin në të njëjtën kohë”.

    Ai thotë se ngrirja e fondeve amerikane shkon përtej medias së pavarur.

    “Ndikimi është i lartë. Ndihmat për median janë një pikë uji në oqean. Mbështetja ekonomike ka një ndikim të madh dhe ndërprerja forcon pozitat e Rusisë”.

    Agjencia amerikane për ndihmat thotë se i ka dërguar Ukrainës më shumë se 7.6 miliardë dollarë në ndihma humanitare dhe ekonomike që nga fillimi luftës.

    Denys Bihus, me projektin e medias investigative “Bihus.info”, thotë se ndërprerja e ndihmave amerikane do të dëmtojë sektorin publik. Organizatën e tij e shqetëson fati i programeve shtetërore që mbështeteshin kryesisht tek këto fonde.

    “Përfituesi ynë kryesor është shteti i Ukrainës, që përfaqësohet nga komunitetet lokale ose drejtpërdrejt nga aparati shtetëror”.

    Analisti Doug Klain thotë se pjesa më e madhe e ndihmave amerikane kishin për qëllim ta mbanin të fortë qeverinë dhe shoqërinë ukrainase, si dhe programet për llogaridhënien qeveritare.

    Zoti Klain beson se aktivizimi i programeve do të forconte politikat e administratës së Presidentit Trump dhe do të krijonte një Ukrainë më të fuqishme.

    “Trumpi kërkon ta detyrojë Putinin që t’i japë fund pushtimit të Ukrainës dhe synon të arrijë atë që e quan ‘paqe përmes forcës’. Një Ukrainë e fortë që mund të manovrojë është çelësi i kësaj”.

    Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelenskyy udhëzoi qeverinë që t’u japë përparësi programeve më kritike që mbështeteshin tek fondet amerikane dhe të mbulojë nevojat e tyre përmes buxhetit kombëtar ose burimeve alternative nga ndihmat e huaja./VOA/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni13 Shkurt 2025
    Banka Botërore njoftoi të enjten se Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të saj ka miratuar Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe...
    Bota/Rajoni13 Shkurt 2025
    Gjykatësi i katërt me radhë federal bllokoi të enjten urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump që kërkon të ndërpresë shtetësinë e të...
    Bota/Rajoni13 Shkurt 2025
    Një ditë pasi Gjykata e Posaçme e la në masën e sigurisë “arrest me burg”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,...
    Të tjera
    Vip13 Shkurt 2025
    Opinionisitja e ‘Big Brother VIP Albania’ Neda Balluku kohë pas kohë është aktive në rrjete sociale. Postimet e Nedës me fëmijët janë...
    Lajme13 Shkurt 2025
    Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se gjatë fushatës ofendimet kaluan kornizat e normales. Ai ka thënë se...
    Bota/Rajoni13 Shkurt 2025
    Policia greke ka arritur të zbulojë pas 17 vitesh vjedhjen e 4 milionë eurove në një bankë. Bëhet fjalë për ngjarjen e...
    Lajme13 Shkurt 2025
    Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet, në këto zgjedhje priste...
    Lajme13 Shkurt 2025
    Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Gjermani për pjesëmarrje në “Munich Security Conference 2025”. Zyra e Kurtit njofton se kryeministri ka udhëtuar...
    Sport13 Shkurt 2025
    Tridhjetë ish-fitues të trofeut të Topit të Artë morën pjesë në një votim për të vendosur se kush është ‘Lojtari i Shekullit’,...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.