[wp-story]

Lajme

Nga zotimet e deri te urimet për liberalizim

Nga zotimet e deri te urimet për liberalizim
09:29 | 17 Dhjetor 2019

Prej vitit 2010 krerët institucionalë të Kosovës kanë premtuar pareshtur heqjen e vizave për Kosovën. Por edhe tash, kur ka kaluar një dekadë nga nisja e varganit me zotime për liberalizim qytetarët po vazhdojnë ta kenë të pamundur të udhëtojnë pa viza në vendet e Zonës Shengen.

Qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës gjatë këtij 10-vjeçari dështuan t’i bindin shtetet e BE-së se i kanë plotësuar kriteret për heqjen e vizave.

Më 2010-n ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pati siguruar qytetarët se brenda 15 muajve të ardhshëm që nga ajo kohë do të finalizohej procesi i vizave.

“Unë jam i zotuar që t’i implementoj të gjitha kriteret demokratike, madje edhe për më pak se 15 muaj, që Kosova t’i kryejë obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj”, qe shprehur Thaçi para gati 10 vjetësh.

Zotimet e njëjta ish-shefi i ekzekutivit Hashim Thaçi i pati vazhduar edhe në vitet në vijim. Njëjtë pati vepruar edhe pasardhësi i tij, ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili disa herë pati dhënë garanci për heqje të vizave, shkruan Zeri. Përpos premtimeve, disa herë pati pasur edhe urime për vizat. Më 2016-n ish-ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, pati hapur një shampanjë për të festuar dhe për të uruar qytetarët për heqjen e regjimit të vizave, ndonëse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. As atëherë. As tash.

“Urime juve edhe qytetarëve, sepse ne edhe si zyrtarë, edhe si ministra kemi mundur të kemi viza gjithë, nuk e kemi pasur problem. Por më në fund e zgjidhëm problemin për qytetarët e zakonshëm”, qe shprehur Çollaku atë kohë.

Të njëjtën gjë menjëherë pasi mori timonin e Qeverisë filloi ta pohonte edhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj. Ai disa herë me radhë uroi qytetarët për heqje të vizave përgjatë muajve të fundit. Haradinaj gjatë mandatit të tij është shprehur i bindur disa herë se vizat do të hiqen brenda këtij viti. Por gjatë ditës së djeshme ai doli me një deklaratë më pesimiste krahasuar me herët e kaluara, ndonëse as kësaj here nuk la pa përmendur një afat të ri për vizat. “Jemi më skeptikë tash.

Është vështirë të ndodhë, sepse po shihet se jemi afër Krishtlindjeve. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të shkurtit, në fillim të marsit për të hyrë në rend dite. Unë kam vazhduar komunikimin me palët dhe u kam bërë shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi”, ka deklaruar Haradinaj.

Zotime për heqjen e vizave shumë herë pati dhënë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, si dhe ministrja e Integrimit Evropian në largim, Dhurata Hoxha.

“M Sillosi” S’ka nëvojë për panik, grurë ka me bollëk

Të tjera