Ardian Ramadani, djali i vetëm i familjes, do të varroset nesër në Panorc të Malishevës. Atij do t’i jepet lamtumira e fundit në orën 15:00, ka konfirmuar familja.
Kufoma e 15 vjeçarit pritet të arrijë nesër në mëngjes në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Ardiani, është goditur për vdekje nga treni mbrëmjen e së shtunës, në kantonin e Fribourgut. Plagët e rënda i ka përballuar deri në Bern por më pas mjekët kanë konstatuar se 15 vjeçari nuk kishte më shenja jete. Familja e të ndjerit ka hapur të pamën në Kosovë, atje po shkojnë të afërmit e viktimës për kryeshnosh.
Hafir Rexha, familjar ka rrëfyer ngjarjen dhe momentet e fundit të Ardianit.
Ai tha se Ardiani ishte djali i vetëm i familjes, i cili pas vetes la prindërit dhe dy motra nën moshën 18 vjeçare. Ndërsa Ardiani më datën 3 dhjetor do t’i mbushte 16 vjet.
“Është djali i vetëm, është djalë i hasretit, i ka dy motra, motrat janë më të mëdha, por dyjat janë nën moshën 18-vjeçare. Më datën 3 dhjetor Ardiani ka pas me i mbush 16 vjet”, tha Rexha për Gazetën Express.
I pyetur sesi ndodhi ngjarja dhe cila ishte arsyeja e daljes së Ardianit atë ditë, Rexha tha se 15 vjeçari paraprakisht ishte dalë me shokë, më pas është goditur aksidentalisht nga treni.
Në media kanë rrjedhur informacione se para aksidentit ka pasur përleshje fizike mes dy grupeve adoleshentësh, sipas mediave më pas përleshja është bartur në stacionin e trenit në Sugiez ku edhe ka ndodhur aksidenti fatal.
Megjithatë, nuk ka prova se para aksidentit ka pasur përleshje.
Është raportuar se i riu 15-vjeçar ka vrapuar në shina dhe nuk ka vënë re trenin që po afrohej, ai ka vdekur në spital nga plagët e marra.