Një punëtore e institucionit mikrofinanciar privat “RIA” ka informuar se nga një person i pa njohur nën kërcënimin e sëpatës i janë grabitur rreth 2,000 euro.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 18:36 në rrugën “Avdulla Babalija”, në Gjakovë.

Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se i dyshuari me inicialet F. H., i lindur në vitin 1995 është arrestuar si dhe i është konfiskuar sëpata dhe paratë e grabitura.

“Zyrtarët policorë me të pranuar informacionin menjëherë janë vënë në kërkim të të dyshuarit, ku nëpërmes rrugëve operative dhe hetimore është arritur të gjendet dhe të arrestohet i dyshuari me inicialet F. H., i lindur në vitin 1995, shtetas i Republikës së Kosovës. Në posedim të tij janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: një sëpatë dhe 2,000 euro në bankënota 200-she, 100-she dhe 50-she”, thuhet në njoftim./Front Online