Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 14:00 në bazë të informacioneve paraprake ka arritur të parandaloj futjen e substancës së dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Me këtë rast, ata kanë suspenduar zyrtarin korrektuar i cili dyshohet për shpërndarje të lëndëve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë.
“Me të pranuar informatat se një zyrtar korrektues dyshohet për shpërndarje të lëndëve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë, menjëherë janë ndërmarr veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar. Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e Policisë për intervistim. Po ashtu, policia ka konfiskuar substancën e dyshuar narkotike për ekzaminim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Tutje u theksua se ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla”, thuhet në njoftim.