Zyrtarët në Tel Aviv kanë konfirmuar se së paku 3 persona Izraelit janë vrarë gjatë një sulmi që ndodhi në kalimin kufitar Allenby, mes Jordanisë dhe Bregut Perëndimor.
Sipas raporteve, sulmuesi, identiteti i të cilit ende nuk është publikuar, ka arritur në kalimin kufitar me një kamion nga Jordania dhe, pasi që hyri në territorin e Bregut Perëndimor, ai nxori një armë të fshehur dhe hapi zjarr drejtë izraelitëve prezent në kalimin Allenby duke vrarë së paku 3 persona para se forcat e sigurisë së izraelit të arrinin ta eliminonin.
Është njoftuar se momentalisht, të gjitha kalimet kufitare mes Bregut Perëndimor dhe Jordanisë janë mbyllur përderisa , sipas disa mediumeve, forcat izraelite, pas incidentit, kanë ndaluar rreth 20 ngasës të kamionëve për ti “intervistuar”.
Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, besohet se sulmi erdhi si pasojë e ngjarjeve në rripin e gazës.
Ndërkohë, nga Gaza është raportuar se operacionet e ushtrisë izraelite po vazhdojnë pa ndërprerje.
Sipas zyrtarëve në rripin e Gazës, gjatë 24 orëve të kaluara janë vrarë së paku 31 civil palestinez dhe janë plagosur mbi 100 të tjerë duke e sjellë kështu numrin e përgjithshëm të viktimave të konfirmuara në rripin e gazës në afro 41 mijë ndërsa rreth 100 mijë të tjerë janë plagosur.
Zyrtarët në Gaza thonë edhe se druajnë që numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i madh pasi që mbi 10 mijë civil janë të pagjetur dhe besohet se trupat e tyre gjinden nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruar ./rtk