Policia e Kosovës ka nisur një aksion bastisjesh në pjesën veriore paraditen e sotme.
Aksioni erdhi pas sulmeve të fundit në veri ndaj objekteve komunale dhe policore, e sidomos ai i mbrëmshmi në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Në këtë aksion ka edhe të arrestuar.
Sipas mediave serbe, në mesin e të ndaluarve është Dushan Milanoviq nga Leposaviqi, i cili raportohet të jetë edhe pronari i kompanisë “VIM info” në sistemin Kosovar, e cila thuhet se është themeluese e portalit “Kosova Onllajn”, transmeton Klankosova.tv.
Ky medium thotë se sipas dëshmisë së banorëve të zonës, rreth 20 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të shoqëruar nga dy autoblinda dhe tre xhipa, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:45 kanë hyrë në shtëpinë e Millanoviqit në Leposaviq.
“Sipas të njëjtit burim, familjes i është thënë se inspektori kishte urdhër nga prokurori i Prishtinës për arrestimin e Millanoviqit dhe kontrollimin e plotë të shtëpisë. Në orën 9:20 të mëngjesit, Millanoviq u mor dhe policia kontrolloi shtëpinë”.
Për momentin nga policia nuk ka informacione se përse është ndaluar Millanoviq.
“Ai fillimisht është transferuar në stacionin policor në Leposaviq dhe më pas është transportuar në stacionin policor në Mitrovicë”.