Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të hënën ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për ngacmim, Gëzim Bajrami.
Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e prokurorit Dushko Manitasheviq dhe të dëmtuarit Blerim Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit Agron Maxhuni ka deklaruar se është njoftuar nga prokurori Manitasheviq se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantoj në seancën e sotme, kurse për të dëmtuarin Ademi ka thënë se vëllai i të njëjtit ka konstatuar se gjendet në shtetin e Gjermanisë.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Maxhuni e ka shtyrë seancën për 18 dhjetor 2020, në ora 09:00.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Gëzim Bajramit, për veprën penale “Ngacmimi”, nga neni 182 par. 1 të KPRK-së.
Ai akuzohet se më 22 tetor 2019, disa herë e ka shqetësuar dhe e ka thirrur të dëmtuarin-ankuesin Blerim Ademin, në mënyrë që nga telefoni i tij si dhe nga telefonat e vëllait të tij dhe shokut të tij, me qëllim të shqetësimit pa arsye, se kinse Blerimi e ka fotografuar automjetin e tij. /BetimipërDrejtësi