×
  • Tenderët
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Mungesa e bordit të OShP-së si mundësi për lidhjen e kontratave të dyshimta

    Fatlum Berisha
    05 Dhjetor 2022

    Periudha kur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), i njohur ndryshe edhe si “Gjykata Tenderëve” mbeti pa bord dhe rrjedhimisht nuk kishte mandat të vendoste mbi ankesat që vinin në këtë organ, u shfrytëzua nga disa institucione që lidhën kontrata me kompani që nuk plotësonin kriteret ligjore.

    Këto kontrata u nënshkruan përkundër opinioneve të ekspertëve shqyrtues të cilët rekomandonin që këto aktivitete të prokurimit të anuloheshin ose të ktheheshin në rivlerësim. Ndonëse opinionet e ekspertëve nuk janë obliguese për panelet shqyrtuese të OShP-së, vendimet e këtij organi zakonisht bazohen në ekspertizën e tyre.

    Bordi i ri i cili u emërua në fund të qershorit të këtij viti, mori vendim që të mos shqyrtonte ankesat që kishin ardhur para emërimit të tij nga Kuvendi, me arsyetimin se këtyre ankesave iu kishte kaluar afati ligjor për shqyrtim.

    Ky vendim u hapi rrugë institucioneve që të lidhnin kontrata të cilat ishin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, për të cilat kishte dyshime të bazuara që duheshin anuluar. Ky hulumtim identifikon tri raste të tilla.

    Rasti I: Komuna e Pejës në prill të vitit 2022 filloi aktivitetin e prokurimit për sinjalizim horizontal dhe vertikal të rrugëve, në vlerë të parashikuar prej 74 mijë eurove. Për këtë procedurë të tenderimit, Komuna e Pejës rekomandoi për kontratë kompaninë ErLis Sh.P.K., si tenderi me çmimin më të ulët. Kjo kompani nuk kishte dorëzuar librezën ose faturën, përmes të cilave do të dëshmonte se posedon pajisjet e kërkuara për sinjalizim të rrugëve, të cilat sipas dosjes së tenderit, duhej dëshmuar përmes librezave ose faturave. Po ashtu, oferta e ErLis Sh.P.K., ishte jo normalisht e ulët, duke qenë se ishte 30% më e ulët se mesatarja e ofertave të gjashtë (6) kompanive tjera[1]. Në këtë situatë, Komuna e Pejës do duhej të kërkonte sqarime shtesë se si kishte arritur kjo kompani te çmimi i ofertuar dhe nëse shpjegimi nuk do të ishte i mjaftueshëm, do duhej të eliminuar.

    Dy kompani kishin ngritur ankesë për këtë tender, teksa eksperti shqyrtues në OShP kishte rekomanduar që të anulohej dhënia e kontratës për Erlis Sh.P.K., dhe lënda të kthehej në rivlerësim.

    Përkundër se ishin evidentuar rrethanat që e bënin ofertën e Erlis Sh.P.K., të papërgjegjshme dhe për këtë ekzistonte edhe rekomandimi i ekspertit të OShP-së, Komuna e Pejës nënshkroi kontratë me kompaninë ErLis Sh.P.K., në fillim të muajit tetor.

    Rasti II:  Komuna e Rahovecit përdori metodën e njëjtë kur shpërbleu me kontratë kompaninë N.Sh. Liriu, për tenderin për sinjalizim horizontal dhe vertikal të rrugëve në Rahovec, që kishte vlerë të parashikuar 150 mijë euro. Ky operator ekonomik nuk kishte i përgjegjshëm për faktin se nuk kishte plotësuar kërkesën mbi mundësitë teknike dhe profesionale në lidhje me stafin e kërkuar, konkretisht kërkesa për gjashtë (6) punëtorë staf teknik, dhe dy (2) staf profesional nuk ishte plotësuar pasi në ofertën e N.Sh. Liriu, figurojnë vetëm shtatë punëtorë.

    Foto 1. Lista e stafit në ofertën e kompanisë fituese N.Sh. Liriu, ku numri rendor nuk përkon me emrat e punëtorëve.

    Edhe për këtë tender ishte ngritur ankesë në OShP, ku eksperti shqyrtues pasi analizimit të lëndës kishte rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

    Raporti i ekspertit nuk u mor në konsiderim nga Komuna e Rahovecit, e cila duke u thirrur në vendimin e bordit të ri të OShP-së për mos trajtim të ankesave, me 16 gusht lidh kontratën me N.Sh. Liriu.

    Rasti III: Në mars të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), hapi tender lidhur me mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të informatave në laborator. Në këtë aktivitet të prokurimit, për të cilin ishin zotuar mbi 60 mijë euro, morën pjesë tri kompani. MPB rekomandoi për kontratë kompaninë LeadTech Sh.P.K., teksa eliminoi dy ofertuesit e tjerë me arsyetimin se ishin të papërgjegjshëm.

    Megjithatë, LeadTech Sh.P.K. nuk ishte e përgjegjshme për faktin se nuk kishte ofruar të dhënat të sakta për shërbimet e kryera në fushën e softuerëve dhe mirëmbajtjes së tyre, në tri vitet e fundit. Kontrata e prezantuar nga kjo kompani, kishte vetëm titullin ndërkohë në dosje të tenderit kërkohej që të specifikohej shuma e kontratës, data dhe pranuesi dhe kësaj t’i bashkëngjitej dëshmi (kopja e certifikatës ose referencës së nënshkruar nga pranuesi i shërbimeve për kontratën e përmendur).

    Po ashtu, kjo kompani në ofertën e saj paraqiti si staf tre (3) ekspertë, për të cilët nuk dëshmohet se ishin pjesë e saj. Në CV-të e dy prej ekspertëve figuron se ata punojnë për një kompani tjetër, ndërkohë në pasqyrat e Trustit të ekspertit të tretë, vërehet se nuk është kryer asnjë obligim tatimor nga LeadTeach Sh.P.K., që nënkupton se as ai nuk është në marrëdhënie pune me këtë kompani.

    Përkundër rekomandimit të ekspertit shqyrtues që paneli shqyrtues i OShP-së të obligojë këtë autoritet kontraktues që ta anulojë vendimin për kontratë dhe ta kthej lëndën në rivlerësim, MPB vazhdoi me nënshkrimin e kontratës.

    Këto raste tregojnë se vendimi i bordit të ri të OShP-së, për të mos shqyrtuar ankesat e deponuara para emërimit të tij, është keqpërdorur nga autoritetet kontraktuese të cilat nuk kanë marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve shqyrtues dhe kanë vazhduar me nënshkrimin e kontratave të cilat shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.

    Deklaratë mohimi:

    Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE,  zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

    Kush janë parakushtet efektivitetit dhe efiçiencës?
    Nga Rubrika
    Lajme24 Prill 2024
    Komuna e Podujevës e cila drejtohet nga Shpejtim Bulliqi e ka shpërblyer me tender prej hiç më pakë se 413 mijë euro...
    Hulumtime08 Prill 2024
    Mbi 26 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë Kosovës gjatë tri viteve të fundit,...
    Ekonomi03 Prill 2024
    Komuna e Prishtinës e cila drejtohet nga Përparim Rama si dhe ajo e Fushë Kosovës që drejtohet nga Burim Berisha janë në...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Përpjekjet globale të imunizimit kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në 50 vjetët e fundit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH),...
    Lajme24 Prill 2024
    Në orën 19 janë mbyllur vendvotimet në të cilat qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot kanë votuar në zgjedhjet e shtata presidenciale....
    Lajme24 Prill 2024
    Shtatë ish-pjesëtarët e grupit “Çakallët”, janë dënuar me 56 vjet burgim nga Gjykata e Lartë e Beogradit. Ata akuzohen për vrasjen e...
    Lajme24 Prill 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar deputetët e Parlamentit të Finlandës, njëherit anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, kryesuar nga...
    Lajme24 Prill 2024
    Orë më parë ka filluar takimi i anëtarëve të komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe komisionit për Punë të Jashtme...
    Lajme24 Prill 2024
    Në kuadër të vizitës dhe pjesëmarrjes së bizneseve nga Kosova në panairin Hannover Messe 2024, nën organizimin e Agjencisë për Investime dhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.