[wp-story]

Lajme

MPJD: Serbia po fsheh qëllimisht të vërtetën e gjenocidit të kryer në Kosovë

MPJD: Serbia po fsheh qëllimisht të vërtetën e gjenocidit të kryer në Kosovë
16:38 | 18 Nëntor 2020

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kritikuar autoritetet në Serbi, duke thënë se po vazhdojnë të fshehin krimet monstruoze të kryera në Kosovë.

MPJD thotë se autoritetet në Serbi nuk po tregojnë vendndodhjen e mbetjeve mortore të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë nga forcat paramilitare serbe, trupat e të cilëve janë fshehur qëllimisht në varrezat masive nëpër Serbi.

Diasporës thekson se gjykatat dhe prokuroria në Serbi kanë qenë në dijeni për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të zbardhur këtë krim.

“Gjykatat dhe prokuroria e ashtuquajtur e krimeve të luftës në Serbi me dekada kanë qenë në dijeni për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës në vendin e quajtur Kizhevak, afër Rashkës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të zbardhur këtë krim dhe për të urdhëruar paraburgimin e atyre që janë përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve gjenocidale.

Kjo dëshmon se krimet e kryera nga aparati shtetëror e kriminal i Millosheviqit, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe besnikët e të cilit sot janë në krye të shtetit serb, Vuçiç e Daçiq, qëllimisht po mbajnë të hapur një nga plagët më të rënda të Kosovës së pasluftës, çështjen e të pagjeturve”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Tutje në reagim thuhet se, nuk mund të ketë dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fsheh gjurmët e gjenocidit

“Kjo shpërfaqë edhe fytyrën e vërtetë të udhëheqësve të Serbisë, të cilët kurrsesi nuk po distancohen nga e kaluara e tyre kriminale. Nuk mund të ketë as dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fsheh gjurmët e gjenocidit. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta shoh Rashkën dhe varrezat tjera masive në Serbi dhe të mos heshtë përballë fakteve që dëshmojnë përgjegjësinë e Serbisë para drejtësisë ndërkombëtare për secilin krim, masakër dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”, vijon reagimi.

Tutje në njoftim thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përgëzon, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, që po punojnë me shumë përkushtim për zbulimin dhe identifikimin e trupave të të pagjeturve të fshehur në këtë varrezë masive në Serbi”.

“Ia kemi borxh Kosovës, nënës Ferdonije në Gjakovë dhe të gjitha nënave dhe familjarëve të të pagjeturave që të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe të mos lëmë gur pa lëvizur deri në ndriçimin e plotë të fatit të të dashurve të tyre.  Me mendje e zemër jemi pranë familjarëve në këtë periudhë të vështirë, për të cilët këto ditë po rëndohet dhimbja, dhe po thellohet plaga e luftës, 21 vjet pas përfundimit të saj.

Vazhdimi i politikës së pandëshkueshmërisë së Serbisë, vazhdon të jetë njollë në drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Ndryshe, ditën e hënë në një pjesë malore mes Rashkës dhe Kizhevakut të Serbisë, janë gjetur mbetje mortore, të cilat besohen të jenë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

 

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera