[wp-story]

Lajme

Ministria e Shëndetësisë, tender 4.4-milionësh për insulina të shtrenjta

Ministria e Shëndetësisë, tender 4.4-milionësh për insulina të shtrenjta
21:18 | 25 Korrik 2019

Një tender prej hiç më pak se 4.4-milionësh për blerje të insulinave të shtrenjta (analoge) është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) para pak ditësh. Për shkak të monopolit të furnizimit, gjatë pesë vjetëve të fundit MSH-ja një insulinë të tillë e ka blerë nga 5.24 € deri në 7.8 € euro. Derisa në tenderin e shpallur më 25 qershor të këtij viti një insulinë të tillë MSH-ja ka paraparë ta blejë nga 6.64 deri në 10.46 euro, ose 34% më shumë, duke e krahasuar me tenderin paraprak, shkruan sot gazeta Zëri.

Miliona euro edhe më tutje vazhdon të shpenzojë Ministria e Shëndetësisë (MSH) për furnizim me insulina të shtrenjta (analoge), derisa shtetet e rajonit, por edhe ato të Bashkimit Evropian (BE) nëpër listat e tyre esenciale përdorin insulina humane, të cilat kanë çmim gati pesëfish më të lirë sesa insulinat, të cilat në vazhdimësi i blen Ministria e Shëndetësisë. Gjatë një hulumtimi të gjatë, që ka realizuar gazeta “Zëri”, është gjetur se për shkak të monopolit me furnizim me këtë produkt çmimet që MSH-ja i ka paguar për këtë lloj të insulinave janë dukshëm më të larta sesa është çmimi i tyre nëpër shtete të rajonit, por edhe më larg.

Në bazë të qasjes në kontrata për furnizim me insulina analoge, gazeta “Zëri” ka parë se në pesë vjetët e fundit MSH-ja me ketë produkt është furnizuar vetëm nga kompania “Meditech”, e cila deri në vitin 2016 këtë produkt MSH-së ia kishte shitur me çmime astronomike, përderisa gjatë vitit 2016 deri në vitin 2019 çmimi i produkteve të kësaj kompanie është sjellë nga 5.24 € deri në 7.8 € euro. Mirëpo në tenderin i cili është në proces MSH-ja për produktet e tilla ka vendosur çmime referente 34% më të larta sesa çmimet që janë në kontratën aktuale.

Depot, plot me insulina humane

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë gazeta “Zëri”, është gjetur se Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë në tenderët e shpallur për këtë qëllim 60 për qind të insulinave i blen humane, me çmim të lirë, ndërsa 40 për qind analoge. Të njëjtën praktikë e ndjekin edhe shtetet tjera të rajonit, por edhe më gjerë. Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se në vitin 2016, përmes tenderëve publikë, MSH-ja i ka blerë rreth 833 mijë insulina humane me çmime nga 2.55 deri në 2.79 euro, por pavarësisht se ka kaluar një kohë e gjatë, një sasi e konsiderueshme e tyre nuk është shpenzuar fare.

Burime të gazetës “Zëri” brenda Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se në depot e Ministrisë gjendet një sasi e madhe e insulinave humane, të cilave rrezikon t’u skadojë afati, por të njëjtat nuk përdoren pasi që ato fare nuk përshkruhen nga mjekët. “Një grup i caktuar i mjekëve të cilët shtrijnë ndikimin e tyre te endokrinologët tjerë në gjithë vendin janë të privilegjuar të kompanisë furnizuese ‘Novo Nordisk’. Këta në vazhdimësi përshkruajnë produktet e kompanisë në fjalë, ndonëse çmimet e tyre janë trefish më të larta sesa ato humane”, bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri”.

Madje disa nga ta për lobim kundër produkteve është dashur të ballafaqohen me organet e drejtësisë, pasi që analizat e kryera në Kroaci kanë rezultuar se produktet në fjalë i plotësojnë të gjitha standardet e parapara për trajtimin e pacientëve me diabet. Madje për shkak të lobimit të fuqishëm të kompanisë prodhuese tek endokrinologët, para disa vitesh një kompani e fuqishme amerikane, e cila kishte aplikuar në një proces të prokurimit për furnizim me insulinë angoleze, ndonëse dallimi në çmim mes kësaj dhe operatorit të rekomanduar për kontratë ishte shumë i madh, këta ishin detyruar të ikin nga vendin ynë për shkak të dyshimeve për “Ryshfet”.

 Mbi 5 milionë euro, vlera e tenderëve përmes monopolit

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare, shihet se kompania “Meditech” falë monopolit gjatë pesë vjetëve të fundit ka arritur të fitojë hiç më pak se 6 tenderë për insulina analoge, në vlerë mbi 5 milionë euro, derisa gjatë kësaj kohe edhe dy kompani të tjera kishin fituar edhe dy tenderë për insulina humane. Kompania “Excluziv” kishte fituar tenderin 1.8-milionësh, si dhe kompania tjetër “Phoenix Pharma” kishte fituar një tender prej 62 mijë eurosh.

Në bazë të qasjes në dokumente zyrtare, të siguruar nga gazeta “Zëri”, shihet se përmes procesit të prokurimit në vitin 2015 MSH-ja ka blerë 25.100 insulina analoge me veprim të zgjatur e ku çmimi për njësi ishte 5.7 euro, derisa fitues i kontratës ishte kompania “Meditech”. Edhe në vitin 2018 po ashtu kompania e njëjtë kishte fituar edhe një tender tjetër për furnizim me një sasi tjetër prej 25.100 insulinash analoge me veprim të zgjatur e ku çmimi për njësi ishte 5.65 euro. Po ashtu në bazë të të dhënave të siguruara kompania e njëjtë në vitin 2018 fitoi edhe një tender tjetër për 75.732 insulina analoge me veprim të zgjatur, derisa çmimi për njësi ishte 5.24 euro.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga MSH-ja, kompania e njëjtë “Meditech”, gjatë periudhës 2015-2018, kishte fituar edhe tre tenderë për furnizim me insulina analoge me veprim të zgjatur.

Në tenderin e parë bëhej fjalë për 12.400 copa e ku çmimi për njësi ishte 7 euro. Në tenderin e dytë bëhej fjalë për 6200 copa e ku çmimi për njësi ishte 7 euro, derisa në tenderin e tretë bëhej fjalë për 25.036 e ku çmimi për njësi ishte rritur, duke arritur në 7.8 euro. Gjithashtu kompania “Meditech” gjatë pesë vjetëve të fundit kishte fituar edhe tre tenderë tjerë për furnizim me insulinë analoge bifazike me veprim të mesëm dhe të shpejtë. Në tenderin e parë bëhej fjalë për 143.750 copë, derisa çmimi për njësi ishte 5.85 euro. Në tenderin e dytë bëhej fjalë për 143.750 copa, çmimi për njësi ishte 5.73 euro, derisa në tenderin e dytë bëhej fjalë 454.164 copa e çmimi për njësi ishte 5.24 euro.

Po ashtu, sipas të dhënave të siguruara nga MSH-ja, shihet se në vitin 2016 përmes tenderit publik janë blerë edhe 726 mijë “Insuline Bifazike Isophane 25-30/70-75”, ku çmimi për njësi ishte 2.55 euro, derisa fitues i tenderit ishte kompania “Excluziv”, si dhe 22.520 “Insulina me veprim të ndërmjetëm”, ku çmimi për njësi ishte 2.79 euro e fitues i tenderit ishte kompania “Phoenix Pharma”.

Prestreshi: I shpëtuam qindra mijëra euro të buxhetit të shtetit

Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ka thënë për gazetën “Zëri” se deri më tash nuk kanë iniciuar ndonjë hetim rreth monopolit për furnizim me insulina. Mirëpo, siç tregon ai, ndërhyrja e autoritetit që ai drejton në një tender paraprak për furnizim me barin “Imatinib” ka arritur që buxhetit të shtetit t’i kursejë qindra mijëra euro.

“Në tenderin e shpallur për kontratë është rekomanduar një operator ekonomik, ku vlera e tenderit kishte qenë mbi 500 mijë euro, por kur ne kemi nisur hetimet, në fund të procesit MSH-ja kontratën e ka nënshkruar me një operator ekonomik me çmim prej rreth 70 mijë eurosh. Pra përmes abuzimit me çmime kompanitë kanë tentuar të fitojnë shuma të mëdha parash. Ne në të gjitha rastet ku kemi informacione për monopol nisim hetimet”, ka thënë për gazetën “Zëri” Valon Prestreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Demhasaj: Prokuroria t’i hetojë tenderët e kaluar

Përfaqësues të organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset e prokurimit në vend thotë se përmes monopoleve në vazhdimësi është abuzuar me buxhetin e shtetit.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se prishja e monopoleve pa dyshim se përbën një lajm pozitiv, por sipas tij Ministria e Shëndetësisë duhet të shkojë më tutje dhe të zbardhë komplet keqpërdorimet e taksave të qytetarëve përmes tenderëve për furnizim me barna. “Nëse sivjet kompanitë kanë aplikuar me çmime shumë më të lira sesa vitin e kaluar, atëherë kjo dukuri, e cila është stopuar nga Ministria e Shëndetësisë, duhet të hetohet nga Prokuroria. Këta të fundit duhet të merren shumë seriozisht me pronarë të kompanive që kanë zhvatur me buxhetin e shtetit, duke i shitur barna Ministrisë me çmime shumë më të larta sesa është çmim i tyre nëpër barnatoret që gjenden në gjithë vendin. Përmes këtyre tenderëve është abuzuar shumë me para të qytetarëve të Kosovës”, kishte thënë më parë për gazetën “Zëri” Demhasaj.

OBSH: Përdorimi i insulinës analoge mund të çojë në pabarazi mes të trajtuarve dhe të patrajtuarve

Në një rekomandim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thuhet se shtimi i insulinave analoge mund të çojë në një pabarazi më të madhe mes të trajtuarve dhe të patrajtuarve, që është shqetësimi më i madh i OBSH-së për vendet në zhvillim dhe të atyre të pazhvilluara, si në rastin tonë Kosova.

Sipas rekomandimit, ofrimi i insulinës sintetike me kosto efektive për një popullsi më të madhe mund t’i plotësojë më mirë nevojat prioritare shëndetësore të një niveli të ulët ose vendi i të ardhurave të mesme sesa dhënia e analogëve më të mirë të mundshëm të insulinës në më pak pacientë. “Kur kësaj çështjeje ia shtojmë faktin se nuk ka dëshmi shkencore, klinike mbi superioritetin e insulinës analoge në raport me insulinën humane dhe asaj sintetike humane, por ka vetëm një efekt shumë modest gati të papërfillshëm dhe ky dallim në cilësi është shumë i paqartë. Pastaj aplikimi vetëm i insulinës analoge mund të çojë në faktin se insulina humane dhe sintetike humane të bëhet ‘e vjetruar’, që do të ishte me pasoja fatale për shëndetin publik. Ky është një shqetësim i veçantë për popullsinë në rritje me diabet të tipit 2. Në fund OBSH-ja rekomandon qasje të barabartë për trajtim më të mirë në dispozicion për diabetin e tipit 1 me insulinë analoge dhe me insulinë humane ose sintetike humane, pasi këtu kur të shtrojmë faktin për nevojën për të siguruar pajisje shtesë, të tilla si shirita testimi, gjilpëra dhe shiringa për insulinë, të cilat rrisin ndjeshëm koston për trajtim të diabetikëve. Në botën moderne sot ekziston një koalicion në rritje për përballimin e insulinës për personat në nevojë, është një rrjet akademikësh, klinicistësh, studentësh e pacientësh të përkushtuar për të promovuar qasje të barabartë global të insulinës, disponushmëri dhe përballushmëri”, thuhet në rekomandimin e OBSH-së. ZERI

“Graniti” hap showroom-in e dytë në Prishtinë (VIDEO)

Të tjera