×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Ministri Zemaj akuzohet për dëm 18 milionë € në vit nga kaosi me çmime të ilaçeve

    FrontOnline
    02 Shtator 2020

    Manipulime të mëdha me çmime po ndodhin në tregun farmaceutik të Kosovës, përderisa pandemia COVID-19 ka goditur rëndë vendin, ku numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në rreth 14 mijë, përderisa  533 veta tashmë kanë vdekur nga ky virus.
    Gjithë këto keqpërdorime me çmimet e barnave në kurriz të konsumatorëve dhe buxhetit të Kosovës vazhdojnë të ndodhin, përderisa është krijuar një terren i përshtatshëm për veprime dredharake nga farmacistët pas vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për shfuqzimin e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale.
    Bari Citeral (Ciprofloxacin) 5×100 mg/10 ml, i cili edhe në Kosovë është futur në kuadër të protokolit mjekësor për COVID-19, këtyre ditëve në farmacitë e Prishtinës po shitet me një çmim dyfish më të shtrenjtë, nga 2 euro në rreth 5 euro, përderisa të njejtin në tregun me pakicë të Maqedonisë së Veriut mund ta gjesh më një çmim mesatar prej 2.2 euro, raporton portali “Front Online”.
    Kosova dhe Bjellorusia janë vendet e vetme në Evropë, të cilat ende nuk e kanë të rregulluar çmimin e produkteve dhe pajisjeve medicinale, përderisa kundër këtij rregullimi në shtetin më të ri të Evropës kanë qenë distributorët e barnave, të cilët krijojnë qarkullime milionëshe nga shitja e barnave në vend.
    Nga mbi 100 distributorë të barnave sa janë të regjistruar në Kosovë, 10-15 e marrin “ajkën” nga ky treg që vlerësohet se ka qarkullim prej mbi 100 milionë euro në vit.
    Pikërisht këta të fundit ka dyshime se kanë lobuar kundër rregullimit të çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale, duke i rritur kështu fitimet e tyre në një treg të paregulluar farmaceutik.

    Bari që do të duhej të shitej 34 euro në Kosovë, po shitet 60 euro

    Udhëzimi Administrativ 02/2019, i cili ishte nënshkruar në maj të vitit 2019 nga ish-ministri i Shëndetësisë,Uran Ismajli, ka paraparë rregullimin e çmimit të barnave, duke i marrë si referencë çmimin mesatar në vendet e rajonit si: Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë.
    Kjo nënkupton se asnjë bari në Kosovë nuk do të mund të shitej më shtrenjtë se mesatarja e rajonit. Por, në mungesë të një rregullimi të çmimit të barnave, po ndodhë e kundërta.
    Tabletat Aprizol 30 mg të prodhuesit kroat Belupo, sipas UA 02/2019 është dashur të shiten në tregun e Kosovës me një çmim prej 34 euro, përderisa në tregun vendor po shiten me një çmim prej rreth 60 euro, dyfish më shtrenjtë se në rajon.
    Tabletat Pantoprazol që do të duhej të shiteshin me një çmim prej 3.32 euro po shiten në farmacitë e Kosovës me një çmim prej 4.90 euro.
    Koncentrati për infusion “Amiodarone”, sipas Udhëzimit Administrativ 02/2019, është dashur të shitet rreth 2.5 euro në barnatoret e vendit, përderisa çmimi i këtij produkti farmaceutik ka shkuar në 20 euro, etj.

    Jakupi: Nga mosrregullimi i çmimit të barnave konsumatorët dhe buxheti dëmtohen rreth 18 milionë euro në vit

    Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), thotë për “Front Online” se me unifikimin e çmimit të barnave tregu i zi dhe marketingu korruptiv minimizohen dhe më e keqja është se, siç thotë ai, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, prej se e ka shfuqizuar UA s’ka marrë asnjë veprim për të ecur përpara në rregullimin e çmimeve të barnave dhe pajisjeve medicinale.
    I pari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, i cili më herët kishte drejtuar Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM), thotë për “Front Online” se nga mos rregullimi i çmimit të barnave humbjet vjetore të qytetarëve janë rreth 12 milionë euro, apo 1 milion euro në muaj, pasi që të njejtit po detyrohen të blejnë barna me çmime më të shtrenjta.
    Përpos qytetarëve, sipas tij, po dëmtohet edhe buxheti publik, pasi që Ministria e Shëndetësisë shpenzon miliona euro në vit për blerjen e barnave të ndryshme.
    “Nga mosrregullimi i çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale humbjet vjetore të konsumatorëve, por edhe të buxhetit të Kosovës arrijë në rreth 18 milionë euro”, shprehet Jakupi për “Front Online”, duke e drejtuar gishtin dhe dyshimet për korrupsion, siç thotë ai, pikërisht të përgjegjësit që e kanë bllokuar këtë proces.


    Edhe ish-ministri Uran Ismaili ka akuzuar pasardhësin e tij në krye të Ministrisë Armend Zemajn, duke thënë se një vendim i tillë i këtij të fundit rikthen krimin në shëndetësi dhe siç ka thënë ai, u shërben disa individëve, përderisa e varfëron popullin.
    “Ministri Armend Zemaj dje i ka dhënë hapësirë krimit dhe korrupsionit në shëndetësi, duke e shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave. Me këtë vendim, ai ka goditur një nga reformat më të mëdha në historinë e shëndetësisë dhe ka ri-legalizuar krimin”, pati deklaruar Ismaili.

    MSH-ja: Ministri Zemaj s’e ka bllokuar procesin

    Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë mohojnë se ministri Armend Zemaj e ka bllokuar procesin për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, por, sipas tyre, Komisioni për përcaktimin e cmimit të barnave, i ka pezulluar të gjitha aktivitetet në mungesë të listave zyrtare deri në marrjen e tyre nga shtetet e rajonit, siç e përcakton Udhëzimi Administrativ dhe që nuk ka pasur mundësi të bëhet sipas komisionit.
    “Shtetet të cilat janë marrë si referente në këtë Udhëzim Administrativ nuk i kanë dhënë listat e tyre që Kosova t’i përdorë ato si referenca, siç shkruan në udhëzim, me rastin e përcaktimit të çmimit të barnave”, kanë thënë për Front Online nga zyra për informim e MSH-së.
    Por, me një arsyetim të tillë nuk pajtohet Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, duke sqaruar se u kanë dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë dhe institucioneve tjera, siç thotë ai, me argumentimet se pse konsiderojnë se UA edhe ashtu si është aktualisht është i zbatueshëm dhe se mund të vazhdojë procesi i kalkulimit të çmimit të barnave.
    Sipas tij, fillimisht Komisioni i Ankesave (Shkalla e Dytë), i cili i ka rikthyer lëndët në rishqyrtim në Komisionin për çmime (Shkalla e Parë), e për të cilën gjë Oda e Farmacistëve ka reaguar se nuk është proces i rregullt.
    “Pasi Komisioni për Ankesa nuk ka marrë parasysh këtë gjë, OFK-ja i është drejtuar Ministrisë së Administratës Publike, të cilët kanë konfirmuar se Shkalla e Dytë nuk ka pasur të drejtë Ligjore ta kthej lëndën në Shkallë të Parë. Përsëris se bllokimi i këtij procesi ndërlidhet me mosemërimin e Komisionit të Ankesave nga ministri Armend Zemaj, i cili duhet të vazhdojë punën”, ka deklaruar Jakupi.

     Zyrtarë të Ministrisë pranojnë se ka dallime në çmimin e barnave në Kosovë

    Në Ministrinë e Shëndetësisë pranojnë se në Kosovë ka dallime në çmimet e barnave, në krahasim me vendet e rajonit, por, sipas tyre, problemi është se edhe çmimet e caktuara për një numër të madh të produkteve në Kosovë nga Komisioni për përcaktimin e çmimit të barnave janë në kundërshtim me UA, sepse ato çmime nuk janë caktuar në bazë të listave zyrtare siç kërkohet në UA, por duke marrë lista përmes rrugëve jo-zyrtare.
    “Pra, janë përcaktuar çmime, pa u referuar në listat zyrtare të shteteve referente, të cilat ceken në udhëzim. Ndërsa shtetet referente, zyrtarisht kanë refuzuar t’i japin listat e cmimeve për produktet që qarkullojnë në tregun e tyre. Po ashtu, UA 02/2020, ka dispozita që shkaktojnë konfuzion dhe japin mundësinë e përdorimit të kritereve të ndryshme për raste të njëjta”, thonë zyrtarët e MSH-së.
    Sipas tyre, për këtë qëllim, Ministri ka vendosur që ky Udhëzim Administrativ të plotësohet dhe ndryshohet, me qëllim që të tejkalohen këto pengesa ligjore që udhëzimin e bëjnë të pazbatueshëm dhe të ndryshohen pikat ku janë evidentuar problem në zbatimin praktik, me qëllim që udhëzimi të jetë i zbatueshëm në tërësi dhe të ndikojë në rregullimin e tregut farmaceutik dhe jo të krijojë probleme ligjore të cilat pastaj ndikojnë keq.
    “Ndryshe, para shpalljes së tenderëve një Komision i MSh del ne teren dhe verifikon çmimet e produkteve të shpalluara me qëllim që vlera e parashikur të jetë bazuar në çmimet e tregut dhe të parandalohen abuzimet nga ana e kompanive konkurruese”, thonë ata.
    Por, nga Oda e Farmacistëve i kundërshtojnë këto arsyetime të zyrtarëve të Ministrisë, duke thënë se listat referente janë në ueb faqet e shteteve përkatëse, prandaj, siç thonë ata, Komisioni duhet të vazhdojë punën.
    Ndërsa për verifikimin e çmimit të barnave nga Komisioni i Ministrisë, Jakupi nga Oda e Farmacistëve thotë se referenca duhet të merret vetëm nga një vend që ka mekanizma për rregullimin e çmimit të barnave.
    Në lidhje me akuzat për korrupsion që i janë bërë zyrtarëve të Ministrisë për mosrregullimin e çmimit të barnave, nga zyra për informim e këtij dikasteri qeveritar kanë thënë se do të ishte shumë mirë që kushdo që ka edhe më të voglin fakt se dikush dëshiron që përmes këtij procesi të bëj ndërhyrje korruptive apo të ngjashme ta prezantojë atë në organet e ndjekjes.
    “Përtej fushatave dhe qëllimeve që të fitohet qoftë edhe politikisht apo grupe interesi, Ministria ka hapur mundësinë që në procesin e plotësim-ndryshimit të marrin pjesë të gjitha palët për të bërë zgjidhjen më të mirë për sektorin farmaceutik, për të përcaktuar me bazë ligjore rregullimin e çmimit të barnave dhe një Udhëzim i tillë kur të miratohet t’i shërbëjë sektorit dhe të mos bllokohet për shkak të dispozitave të pazbatueshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Ministrisë, duke shtuar se për këtë arsye, është vendosur që UA të plotësohet- ndryshohet për t’u bërë i zbatueshëm.
    Përndryshe, edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate e ka kundërshtuar vendimin e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që rregullon çmimin e barnave.

    KDI konsideron se shfuqizimi i këtij Udhëzimi pa masa tjera të gatshme për parandalimin e keqpërdorimeve me barna është i dëmshëm për qytetarët.
    “Shfuqizimi i këtij udhëzuesi do të lejojë që qytetarët përsëri të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme në barnatore si dhe qeveria të pranoj ofertat nga operatoret ekonomik me çmime të larta. Kosova është ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk e ka të rregulluar tregun farmaceutik”, thuhej mes tjerash në reagimin e KDI.
    Instituti i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shqyrtoj të gjitha opsionet për mbrojtjen e qytetarëve dhe buxhetit nga keqpërdorimet potenciale me çmimet e barnave dhe të hartoj me urgjencë bazën ligjore për mbikëqyrjen e tregut farmaceutik.

    Abdullahu: Tregu i lirë i përcakton çmimet, ndërsa në situata tjera i cakton pushteti

    Argumentet e njejta si të Ministrisë së Shëndetësisë se Udhëzimi Administraiv 02/2019 është i pazbatueshëm i ka edhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutik të Kosovës.
    Milaim Abdullahu nga kjo Shoqatë ka thënë për “Front Online” se e kanë përkrahur iniciativën për t’i vënën nën kontrollë çmimet e barnave, por, sipas tij,  UA duhet të korrigjohet, sepse Komisioni për Ankesa ka konstatuar se si i tillë është i paimplementueshëm, prandaj duhet të bëhet plotësim-ndryshimi.
    Ai mohon akuzat se pikërisht nga moszbatimi i këtij UA po favorizohen distributorët e barnave.
    “Nuk është favorizuar askush në këtë drejtim, mirëpo procedurat janë të paimplementuara. Kur ka qenë puna që t’i kërkojmë çmimet nga Turqia dhe Shqipëria, asnjëra nuk i kanë deklaruar çmimet e tyre. Nuk ka pasur komisioni prej kujt t’i merr çmimet krahasuese”, shprehet Abdullahu për “Front Online”.
    Abdullahu thotë se 3000 çmime të barnave, të cilat janë tashmë të rregulluara, mund të hyjnë në fuqi menjëherë dhe kjo gjë varet nga ministri Armend Zemaj,
    “Nëse çmimet e barnave vendosen zyrtarisht, atëherë nuk mund të keqpërdoren nga dikush, sepse çmimi është zyrtar. Nëse Ministria e Shëndetësisë i zyrtarizon çmimet që kanë aplikuar prodhuesit, ndalet mundësia e manipulimeve, keqpërdorimeve dhe dezinformatave të subjekteve të ndryshme”, thotë kreu i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik.
    Ai mohon se nga kjo situatë po përfitojnë pikërisht anëtarët e Shoqatës që përfaqëson.
    “Deri sot çmimet janë të liberalizuara në Kosovë, është treg i lirë. Importuesit dhe prodhuesit janë duke e shfrytëzuar tregun e lirë, ndërsa kur vendosen çmimet, pushteti vendos”.
    Por, Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës insiston se sa më shumë neglizhohet rregullimi i çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale dikush përfiton.
    “Dyshimet për përfitime korruptive janë pikërisht tek ata që e kanë bllokuar procesin”, shprehet i bindur ai.

    /Front Online/

     

    KEDS zë 156 persona duke e vjedhur energjinë elektrike për një javë
    Nga Rubrika
    Hulumtime08 Prill 2024
    Mbi 26 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë Kosovës gjatë tri viteve të fundit,...
    Ekonomi03 Prill 2024
    Komuna e Prishtinës e cila drejtohet nga Përparim Rama si dhe ajo e Fushë Kosovës që drejtohet nga Burim Berisha janë në...
    Ekonomi03 Prill 2024
    Për 12 muaj të vitit 2023, Ministria e Ekonomisë, e cila udhëhiqet nga Artane Rizvanolli, ka shpenzuar vetëm 11% të buxhetit të...
    Të tjera
    Sport19 Prill 2024
    Phil Foden ka shpjeguar pse Jude Bellingham është një ‘dhuratë nga Zoti’ dhe ai po shpreson se do t’i korrigjojë gabimet e...
    Lajme19 Prill 2024
    Deputetja Blerta Deliu – Kodra e ka akuzuar ministren për vjedhje shtetërore në Komisionin për Integrime Evropiane ku raportoi ministrja e Industrisë,...
    Vip19 Prill 2024
    Njëri nga emrat më të kërkuar prej festivaleve nëpër botë – Burna Boy, është konfirmuar si artisti i parë në Sunny Hill...
    Lajme19 Prill 2024
    Në Komisionin për Integrime Evropiane nuk ka kaluar projektligji për tekste shkollore për shkak se nuk ka pasur kuorum. Për të kanë...
    Sport19 Prill 2024
    Deri në këtë fazë të kampionatit, për Dritën si pretendente e titullit kampion, flitej pak, pasi gara ishte fokusuar te Ballkani dhe...
    Lajme19 Prill 2024
    Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.